Në Kriptën e katedrales më të madhe bullgare – “Shën Aleksandër Nevski” u paraqit një disk multimedial “Koleksionet e Muzeut kombëtar të artit figurativ bullgar”. Bëhet fjalë për koleksionet e Galerisë kombëtare të arteve, Kriptës dhe shtëpive-muze të piktores Vera Nedkova dhe skulptorit Ivan Llazarov. Pasuria dhe bukuria e këtyre koleksioneve janë paraqitur në një video, në mbi 200 kuadro digjitalë dhe panorama specifike. Edicioni ka një version bullgar dhe një version tjetër anglez. Përpiluesja e diskut është Suzana Karanfillova, autor dhe interpretues i projektit multimedial është doc. dr. Bojan Dobrev nga Akademia kombëtare e arteve.
© Foto: Veneta Pavllova
Doc. dr. Bojan Dobrev
“Ky është edicioni më i madh multimedial, kushtuar muzeve në Bullgari – tregoi ai para mikrofonit të Radio Bullgarisë. – Ai përfshin një film prej një ore, i cili është ndarë në disa pjesa. Domethënë ka filma të veçantë për Kriptën, për Galerinë kombëtare, për shtëpitë-muze. Përveç kësaj, po të doni të shihni vetëm ikonat e shekullit të 15-të për shembull, mund të vizitoni seksionin përkatës. Ndërkohë po të doni të shihni veprat e piktorit tonë të madh Vlladimir Dimitrov – Mjeshtri, mjafton të vizitoni vetëm sallën 6 në Galerinë kombëtare të arteve. Krahas kësaj ka 28 panorama sferike, të cilat janë grupuar në shëtitje virtuale. Kështu çdonjëri mund të shëtitë në Kriptë ndër veprat e artit të krishterë, të ndiejë ndikimin e kësaj hapësire. Sipas këtij parimi është paraqitur dhe Galeria kombëtare. Disku është shumë i vlershëm, sepse cilësia e tij është shumë e lartë. Mund të shihni të zmadhuar, me detaje çdo një vepër, përfshi dhe nënshkrimin e autorit, gjë që nuk mund të bëni në një katalog të zakonshëm.”
Nikolla Marinov (1879 – 1948), Portreti i bashkëshortes së piktorit 1910 – 1914
Bojan Dobrev e ka zgjedhur jo rastësisht Kriptën si vend, ku të paraqesë katalogun e ri unikal. Në të janë grumbulluar ikona të mrekullueshme, të krijuara gjatë historisë shumëshekullore të shtetit bullgar. Cilat ikona i bëjnë përshtypje më të madhe?
“Unë e dua ikonën që nga fëmijëria ime – thotë Bojan Dobrevi. – Xhaxhai im ka mbaruar Akademinë e arteve në Munih në vitin 1942 dhe më thonte: e vetmja mënyrë, në të cilën njeriu mund të afrohet me artin, kjo është ikona. Nuk është e rastit se vitin e parë në Akademi, mësoja restaurim, pastaj vazhdova me pikturimin në mur. Sa për Kriptën, kjo me siguri është një prej muzeve më të mëdhenj të ikonave në Ballkan. Mua personalisht më pëlqen jashtëzakonisht shumë Shkolla e Samokovit dhe më konkretisht Zaharij Zograf (1810-1853). Ka një sërë ikonash nga shekulli i XVII-të, ndër to ka një ikonë shumë të bukur të Virgjëreshës së Shenjtë.”

Bojan Dobrev ka mbaruar në degën e pikturimit në mur, pas kësaj ka qenë dy herë me bursa të Fulbrajtit në Artinstitutin në Çikago dhe në Institutin Kalarts të Kalifornisë. Në Kalarts ka qenë pedagog i multimedias interaktive. Tani është pedagog i semiotikës vizuale në Akademinë e arteve në Sofje. Bojan Dobrev ka punuar mbi projekte të ndryshme multimediale, të cilat e paraqesin vendin tonë. Është krijues i sajtit të madh “Bullgaria virtuale”. Sajti mund të vizitohet falas dhe u është kushtuar pasurive natyrore dhe trashëgimisë së pasur historiko-kulturore të Bullgarisë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva