Investimet e huaja në Bullgari në periudhën 2001-2010 kanë arritur afro 36 miliardë euro. Këtë e tregojnë të dhënat e Bankës Popullore Bullgare dhe të Agjencisë bullgare për investimet. Sipas informacionit jozyrtar pritet që kapitalet e huaja, të investuara në ekonominë bullgare gjatë vitit të kaluar, të arrijnë 1 miliard euro. Megjithë uljen e investimeve në plan botëror, biznesi bullgar është optimist. Edhe këtë vit pritet që eksporti i Bullgarisë të bëhet lokomotiva e ekonomisë bullgare. E ripohojnë dhe pritjet e ministrit të ekonomisë, energjetikës dhe turizmit Trajço Trajkov, i cili mendon se eksporti i Bullgarisë gjatë vitit 2012 mund të arrijë 20 miliardë euro.
Rritje të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar shënojnë sektorët e industrisë përpunuese, elektronikës dhe elektroteknikës, energjetikës dhe turizmit. Ky është një prej faktorëve për eksportin e rritur të Bullgarisë. Ministri Trajkov i analizoi të dhënat dhe dha një shembull, sipas të cilit gjatë vitit 2009 eksporti i Bullgarisë, kryesisht për vendet e BE-së, ka qenë 12 miliardë euro, kurse sivjet pritet që ai të rritet në mënyrë të konsiderueshme. Ministri Trajço Trajkov vuri në dukje se kapitalet e huaja janë kufizuar kryesisht në sektorët e ndërtimit, pasurisë së patundshme, ndërmjetësisë financiare dhe tregtisë, por janë rritur investimet në industri.
Agjencia bullgare për investimet i dalloi kompanitë, të cilat kanë investuar më shumë në Bullgari gjatë vitit të kaluar. Çmimet “Investitor i vitit 2011” ishin në pesë kategori, kurse në konkurs morën pjesë 30 firma.
© Foto: Kristine Hristov
Borisllav Stefanov, kryetar i Agjencisë për investimet
“Viti 2011 ishte një prej viteve më të vështira sa u përket investimeve jo vetëm në Bullgari, por në përgjithësi në mbarë botën – tha gjatë hapjes së ceremonisë Borisllav Stefanov, kryetar i Agjencisë për investimet. – Sektorët, të cilët para krizës e formonin klimën e investimeve te ne, si financa, tregtia, pasuritë e patundshme, tani janë në periudhë pezullimi. Ndërkohë një pjesë e madhe e projekteve investuese, të cilat mbaruan gjatë dy viteve të fundit janë në sfera si telekomunikacionet, teknologjitë informative, prodhimi, energjetika.”
Ministri i ekonomisë, energjetikës dhe turizmit Trajço Trajkov i përshëndeti investitorët e nominuar dhe të dekoruar: “Në Bullgari mund të realizohen madje planet më të guximshme të biznesit – tha në aktivitet ministri Trajço Trajkov. – Në raportin e fundit të Bankës Botërore Bullgaria është më përpara në klasifikim nga vende si Çekia, Serbia, Turqia, Rumania. Duke e parë listën me firmat e nominuara, më bënë përshtypje dy gjëra. E para është se shumica prej tyre nuk janë për herë të parë në klasifikim dhe e dyta është se këto janë firma, të cilat u përgjigjen koncepteve tona për zhvillimin e ekonomisë bullgare. Kjo na bën më të pasur të gjithë – edhe punonjësit, edhe aksionarët, edhe shoqërinë, edhe tërë Bullgarinë.”
Një prej investitorëve të dekoruar ishte “
Lufthanza Tehnik Sofja”. Firma merret me remont të anijeve ajrore në Evropë. Në vitin 2011 kompania ka investuar 13 milionë euro në zgjerimin e veprimtarisë së saj. Drejtori ekzekutiv Bernd Frekman u kujtua se në fillim gazetarët e kanë pyetur pse e kanë zgjedhur pikërisht Bullgarinë për këtë veprimtari.
© Foto: BGNES
Drejtori ekzekutiv i “Lufthanza Tehnik Sofja” Bernd Frekman dhe ministri i ekonomisë Trajço Trajkov
“Ne arritëm ta bëjmë Bullgarinë një prej vendeve më të mëdha dhe më të suksesshme për mirëmbajtje të
Airbus dhe
Boeing në Evropë – tha ai. – Tashmë askush nuk na pyet pse e kemi zgjedhur Bullgarinë. Ne treguam qartë se Bullgaria është një vend shumë i mirë për investime dhe do të vazhdojmë të investojmë në të ardhmen.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva