Një prej përbërjeve më të rëndësishme në pothuaj të gjitha produktet kozmetike – vaji i livandës, bëhet gjithnjë e më interesant për bujqit bullgarë. Shkurrja e livandës e ka prejardhjen e vet në rajonet diellore të Mesdheut. Në trojet tona shkurrja e livandës rritet që nga fillimi i shekullit të XX-të. Gradualisht vendi ynë, krahas Francës, bëhet një prej prodhuesve më të mëdhenj të vajit të livandës.
Këto ditë u përhap informacioni se Bullgaria madje është përpara Francës për nga prodhimi i këtij produkti. Mirëpo për hir të së vërtetës duhet thënë se ekspertët kanë dyshime për përhapjen e një bakteri, i cili ka infektuar tokën në Francë, dhe për këtë shkak francezët janë detyruar t’i kufizojnë tokat e mbjella me livandë. Për dallim nga Franca, në Bullgari vëzhgohet tendenca e kundërt. Sipërfaqet e mbjella me shkurret e livandës po zgjerohen. Aktualisht livanda zë rreth 40 000 dynymë, kryesisht në Luginën e Trëndafilave (Bullgari Qendrore) dhe rreth Shumenit (në Bullgarinë Verilindore). Gjatë vitit 2011 Franca ka prodhuar 25 – 30 vaj eterik, kurse Bullgaria – 55-60 tonë, domethënë dy herë më shumë në krahasim me vitin 2010.
Interesi i forcuar kohët e fundit i fermerëve bullgarë ndaj kësaj kulture është rrjedhojë e faktit se ka tregje botërore të vajit të livandës. Të paktën 60 për qind e vajit të prodhuar te ne eksportohet, kryesisht për Francën, SHBA-në dhe Gjermaninë. Ai përdoret në industrinë farmaceutike, në parfumeri, në prodhimin e sapunëve. Çmimi i tij nuk është kaq i lartë si ai i vajit të trëndafilit, ku Bullgaria gjithashtu është ndër prodhuesit kryesorë në botë, por në të njëjtën kohë është i leverdishëm ekonomikisht për prodhuesit. Vitin e kaluar sipas një përfaqësuesi të një prej firmave kryesore bullgare në këtë degë, ka pasur rritje të çmimit të vajit të livandës, kjo ka qenë spekulative dhe pritet ulje e çmimeve. Atëherë çmimi i një kilogrami ka qenë afro 100 euro, kurse në disa periudha – madje nga 110 deri në 115 euro. Po të bëjmë një krahasim, vetëm para 10 vitesh çmimi i një kilogrami vaj livande ka qenë 15-30 euro.
Sipas ekspertëve në këtë degë tashmë disa vite livanda tradicionale bullgare gradualisht zëvendësohet nga lloje, të cilat sigurojnë prodhueshmëri më të madhe, por kanë cilësi më të ulët të vajit eterik. Sipas tyre lloji i vjetër i livandës, që rritej në Bullgari, jepte më pak vaj livande, por ai ishte me cilësi më të lartë. Prandaj prodhuesit bullgarë këshillohen për të përqendruar vëmendjen e tyre në ruajtjen e cilësisë së lartë, që të mund të ruajnë pozitat e mira në tregje në plan afatgjatë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva