Magnatët grekë të anijeve kërcënuan se do të largohen nga vendi
Magnatët e anijeve në Greqi paralajmëruan se do të largohen nga vendi, në qoftë se i vihen tatime biznesit të tyre. Ky paralajmërim u shkaktua nga qëllimi i shpallur nga e majta radikale SIRIZA për t’i vënë tatime lundrimit, në qoftë se fiton zgjedhjet parlamentare ditën e diel dhe formon qeveri. Magnatët grekë të anijeve, të cilët sigurojnë punën e 60 mijë vetave, nuk paguajnë tatime. Sipas të dhënave të Konfederatës kombëtare të tregtarëve grekë, bashkë me të punësuarit në sektorët fqinjë të flotës tregtare, punonjësit janë rreth 200 mijë. Magnatët grekë të anijeve zotërojnë anije dhe pajisje lundruese, të cilat kapin shumën prej afro 11 miliardë dollarësh.
Firma rumune dhe ato të huaja do të konkurrojnë për marrëveshje me vlerë nga 25 deri në 250 milionë dollarë
Lidhur me ndërtimin e pajisjeve të mburojës kundër raketave në Deveselu të Rumanisë, disa firma rumune kanë marrëveshje me qeverinë amerikane me vlerë nga 25 deri në 250 milionë dollarë amerikanë. Interesi ndaj këtyre marrëveshjeve është i madh jo vetëm nga ana e firmave rumune, por edhe nga ato të huaja. Procesi i seleksionimit fillon gjatë pranverës së vitit 2013. Ndërtimi i pajisjeve në Deveselu do të vazhdojë dy vjet dhe duhet të mbarojë deri në vitin 2015, kur duhet të jetë e gatshme baza për eksploatimin.
BE-ja do të fillojë bisedime për anëtarësimin e Malit të Zi
Liderët evropianë do t’i japin dritë jeshile ofertës për fillimin e bisedimeve për aderimin e Malit të Zi në BE gjatë takimit të nivelit të lartë të BE-së në fund të muajit. “Që gjatë muajit maj vumë në dukje se Mali i Zi bën përpjekjet e domosdoshme” – deklaroi zëdhënësi i eurokomisionarit për zgjerimin Shtefan Fjule.
Standard and Poor’s uli rejtingun e kreditit të Malit të Zi
Agjencia ndërkombëtare e rejtingut Standard and Poor’s uli rejtingun e kreditit afatgjatë të Malit të Zi me një shkallë për shkak të shqetësimeve se shteti do të ketë vështirësi me pagimin e borxhit të vet. Sipas Standard and Poor’s rejtingu BB- pasqyron mendimin e agjencisë se qeveria ndeshet me sfida në rritje në përpjekjet e saj për të stabilizuar nivelet e borxhit shtetëror, duke pasur parasysh mjedisin e keqësuar ekonomik. Rejtingu i kaluar i Malit të Zi ishte BB.
Qeveria dhe gazetarët në Maqedoni u morën vesh për dekriminalizimin e shpifjes
Lidhja e gazetarëve në Maqedoni dhe qeveria arritën marrëveshje për dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit dhe për përmasën e dëmshpërblimit në rast dëmesh materiale. Zëvendëskryeministrja e çështjeve evropiane Teuta Arifi e vlerësoi lartë marrëveshjen dhe shënoi se ajo çon deri në arritje të vlerave më të larta demokratike. Kryetari i Lidhjes së gazetarëve Naser Selmani vuri në dukje nga ana e vet se marrëveshja është një kompromis optimal, që jo vetëm do të përmirësojë praktikën gjyqësore, por dhe do të ndihmojë për rritjen e standardeve dhe profesionalizmit në gazetari.
Ish komandant i NATO-s do që të nxjerrë qymyre në Kosovë
Gjenerali Uesli Klark, ish kryekomandant i forcave të NATO-s në Evropë, kërkoi nga autoritetet e Kosovës licencë në dobi të një kompanie kanadeze, të udhëhequr nga ai, për eksploatimin e resurseve të qymyreve. Kompania “Indiviti” kërkon gjithashtu marrjen e të drejtave të prodhimit jo vetëm të qymyreve, por edhe të lëndëve djegëse sintetike. Një zëdhënës i Ministrisë së zhvillimit ekonomik të Kosovës deklaroi se kërkesa është në proces shqyrtimi. Gjatë pranverës së vitit 1999 gjeneral Uesli Klark udhëhiqte bombardimet e NATO-s, me të cilat u ndaluan veprimet e forcave serbe kundër partizanëve të Kosovës.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva