Nga 23 shtatori deri më 20 tetor në Bruksel u zhvillua Festivali i kulturës bullgare. Në programin e tij kishte gjashtë ngjarje: një ekspozitë, tre filma, një takim dialog dhe një spektakël teatral. Aktivitetet i dhanë mundësi publikut të shohë zhvillimin bashkëkohor të artit bullgar nga gjashtë pikëpamje të ndryshme. Organizator kryesor ishte shtëpia kinematografike “Good&Bad News”, në partneritet me rrjetin evropian “Bashkim artistik”, Ambasadën bullgare në Belgjikë, Fondin kombëtar “Kultura” pranë Ministrisë së Kulturës së Bullgarisë. Shtëpia kinematografike “Good&Bad News” është themeluar në Bruksel nga Zlatina Ruseva, eksperte në fushën e mediave dhe organizatore e Festivalit udhëtues në Danub “Kundër rrjedhës”.
Festivali filloi me ekspozitën e Nikolaj Totevit – një piktor origjinal dhe jo standard. Në një nga galeritë e qytetit – Centre international pour la ville, u treguan veprat e piktorit. Totevi mori pjesë dhe në një dialog me shkrimtarin Krasimir Damjanov mbi problemet e artit bashkëkohor. Programi i filmave u hap me dokumentarin “Sevt i pavdekshmi – sekretet e një mbreti trak”. Ky është filmi i Zlatina Rusevës, i cili u krijua në vitin 2009 dhe fitoi shumë çmime – çmimin e jurisë në festivalin ndërkombëtar “
Arts&Film” në Çeki sivjet, si edhe çmimin e madh të Festivalit të njëzet ndërkombëtar të filmit arkeologjik në Itali gjatë vitit 2009.
Disa ditë para premierës në Sofje, publiku në Bruksel pa dhe filmin e ri të regjisorëve Ivan Vladimrov dhe Valeri Jordanov “Atlete”. Pas projektimit Ivan Vladimirovi u përgjigjej pyetjeve të publikut. Një interes të madh tërhoqi filmi “Lora nga mëngjesi deri në mbrëmje” i regjisorit Dimitër Kocev-Shosho. Ai personalisht e prezantoi filmin që është xhiruar me kamera joprofesionale. Një film për vlerat e përjetshme dhe për miqësinë, i cili gjeti shumë adhurues në Bruksel. Në një sallë plot e përplot Kamen Donevi paraqiti spektaklin e tij teatral “Pikëpamjet e një mësuese për krijimtarinë popullore”.
© Foto: Allbena Bezovska
Aktori dhe regjisor Kamen Donev dha autografe.
“Tani, pas fundit të festivalit, mund të përgjithësoj se në Bruksel ka një uri të vërtetë për artin bashkëkohor bullgar, tha Zlatina Ruseva. – Ky festival u organizua për shkak të nevojës që të prezantohet arti bullgar në Bruksel. Artistët dhe muzikantët bullgarë kanë marrë pjesë shumë herë në aktivitete të ndryshme këtu. Por mendoj se një forum i tillë i përhershëm do të kontribuojë për popullarizimin e fytyrës bashkëkohore të Bullgarisë në qytetin, i cili mbledh tërë administratën evropiane dhe shumë organizata lobuese. Mendoj se në këtë mënyrë artistët tanë do të kenë mundësi të përfshihen në programe të ndryshme evropiane. Organizuam një festival të vogël, por interesi ishte shumë i madh. Erdhën shumë bullgarë, por edhe shumë të huaj. Ishin të pranishëm dhe mysafirë zyrtarë nga Komisioni Evropian, nga Parlamenti Evropian, specialistë që interesohen për trashëgiminë kulturore bullgare dhe për zhvillimin bashkëkohor të kulturës sonë. Shpresoj se në festivalin tjetër do të kemi një program edhe më të pasur, tashmë ka interes nga shumë njerëz që dëshirojnë të përfshihen.”
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova