Bullgaria zë vendin e parë në Evropë për nga numri i proceseve gjyqësore kundër shtetit në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Kuptohet, jo për nga vlera absolute, por për nga numri i proceseve kundrejt numrit të popullsisë. Shkaqet më të shpeshta janë zgjatja e tepërt e procesit gjyqësor në Bullgari, shkelje nga ana e policisë dhe kërkesa për restitucion.
Ky fakt pohon kritikat e shumta nga ana e KE-së, se sistemi gjyqësor në vendin tonë nuk funksionon mirë. Gjatë viteve të fundit nuk vërehet më shtim i numrit të proceseve kundër shtetit tonë në Strasburg që është një shenjë për ndryshime pozitive në sistemin tonë gjyqësor. Gjatë vitit 2009 proceset kundër Bullgarisë ishin më pak se 100, 61 prej tyre janë fituar dhe shteti u ka paguar paditësve gjithsej 1,5 milionë euro.
Rritet numri i çështjeve gjyqësore që zgjidhen me vullnetin e mirë të dy palëve, pohojnë ekspertët. Kjo mënyrë aplikohet kur ka fakte të padyshimta ose në raste të shkeljes sistematike të Konventës për të drejtat e njeriut. Atëherë gjyqi u ofron palëve një shumë konkrete si kompensim. Më shpesh të tilla ishin rastet gjatë viteve 90, të lidhura me zgjatjen e tepërt të procesit gjyqësor. Shuma mesatare, me të cilën kompensohet vonimi i procesit gjyqësor përtej afatit të arsyeshëm, në Bullgari është 3000-4000 euro. Shumat përcaktohen si një përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto të çdo vendi.
Ka dhe teknika të tjera për lidhjen e marrëveshjes gjyqësore. Por në se ka pretenca të mëdha nga ana e qytetarëve ose kompanive për shkelje, gjyqtarët nisin proces. Ka raste, kur kanë përcaktuar që shteti të paguajë 300 mijë euro. Më shpesh shuma të mëdha u jepen viktimave të restitucionit ose për dëme të mëdha të kompanive të huaja.
Për 18 vjet, qëkur Bullgaria ka ratifikuar Konventën për të drejtat e njeriut, ankesat e parashtruara në Strasburg janë mbi 6500, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë. Por rreth 90% prej tyre nuk u përgjigjen kërkesave të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut dhe prandaj janë shpallur të palejueshme. Por qytetarët dhe firmat bullgare tashmë e njohin më mirë Konventën evropiane për të drejtat e njeriut, e cila përcakton kompetencën e gjykatës në Strasburg.
Duke marrë parasysh vendimet e gjykatës në Strasburg, Këshilli i Evropës i bën rekomandime Bullgarisë për të përmirësuar sistemin e saj gjyqësor. “Një nga rekomandimet është që moslejimi i mitingjeve të mund të apelohet në gjykatë. E morëm parasysh dhe bëmë ndryshime në Ligjin për mbledhjet, mitingjet dhe grevat” – tha zëvendësministrja e drejtësisë Daniela Masheva.
Për shkak të milionave që Bullgaria paguan çdo vit për proceset në Strasburg, organizatat joqeveritare gjithashtu ofrojnë ndryshime në një varg ligjesh, sipas të cilave gjyqtarët dhe nëpunësit fajtorë të mbajnë përgjegjësinë për vendimet, të cilat kanë çuar në procese në Gjykatën evropiane. Kështu shteti do të marrë të paktën një pjesë të parave që duhet të paguajë si kompensime, mendojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.
Përveç se është instanca e fundit për proceset gjyqësore të evropianëve, Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg bëhet dhe një instrument për përsosje të sistemeve gjyqësore kombëtare, veçanërisht në vendet e porsaaderuara si Bullgaria.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova