Njerëz të moshuar ose me sëmundje kronike që janë braktisur – për fat të keq këto nuk janë raste të izoluara në Bullgari. Ky problem u thellua shumë si rezultat i migrimit të jashtëm dhe të brendshëm pas ndryshimeve demokratike në vendin tonë. Sipas të dhënave të Kryqit të kuq bullgar (KKB) nga viti 1989 afro një milion të rinj u larguan nga vendi i lindjes për të kërkuar një standard më të mirë të jetesës ose realizim profesional. Ata i lënë prindërit dhe të afërmit, të cilët me përparimin e moshës gjithnjë e më vështirë kujdesen për vetveten. Pjesa e tyre aktualisht është 24% të popullsisë në Bullgari. Për t’i ndihmuar njerëzit në gjendje të tillë të kenë një jetë të pavarur dhe të denjë në mjedisin e tyre të zakonshëm shtëpiak, KKB inicioi krijimin e qendrave për kujdes shtëpiak. Me mbështetjen financiare të programit PHARE ACCESS, Kryqit të kuq italian dhe gjerman, qendra të tilla u krijuan në Sofje dhe në 5 qytete të tjera. Sivjet me ndihmën e fondacionit Unicredit-Unidea do të ndërtohen dy qendra të reja në vend. Sipas d-r Nedezhda Todorovskës, zëvendësdrejtore dhe kryetare e degës “Veprimtari sociale operative” pranë KKB kjo praktikë tashmë ka vërtetuar efektivitetin e saj.
“Ky është një program që ka dy pjesa – shpjegoi ajo. – Pjesa e parë është e lidhur me kujdesin e drejtpërdrejtë për njerëzit në shtëpitë e tyre, kurse ajo e dytë përfshin trajnim të njerëzve të moshuar vullnetarë. Shumë shpesh këta vullnetarë përfshihen në këshillat shoqërorë pranë bashkive. Kështu ata tërheqin vëmendjen e shoqërisë dhe luftojnë për të drejtat e tyre.”
Në saje të programit “Kujdese shtëpiake” nuk harxhohen mjete për qëndrimin e këtyre njerëzve në spital, në shtëpi sociale për të moshuar ose institucione të tjera. Praktika tregon se kur njeriu i moshuar hyn në një institucion të specializuar, ai ndihet i braktisur, i izoluar dhe nuk rimëkëmbet shpejt. Përkundrazi, kur është në shtëpi, në mjedisin e tij të natyrshëm, rimëkëmbja bëhet më shpejt, thekson d-r Todorovska. Për këtë shkak në qendrat e specializuara bëhet analizë e gjendjes së njerëzve. Në këtë bazë infermiere nga KKB përgatitin plane për kujdes individual për çdo njeri. Në se njeriu nuk mund të kujdeset për veten, nuk mund të mbetet në ndonjë institucion dhe njëkohësisht nuk ka nevojë për kujdese intensive, vullnetarët kujdesen për të. Nga ana tjetër, në saje të vullnetarëve krijohet një bashkësi, në të cilën njerëzit e mbështetin njëri-tjetrin.
“Në saje të këtyre kujdeseve dhe të kontaktit të pandërprerë me personelin, njerëzit e moshuar tashmë nuk ndihen të vetmuar – thotë d-r Todorovska. – Kur gjendja e tyre shëndetësore përmirësohet, ata bëhen vullnetarë aktivë dhe i ndihmojnë të tjerët. Për shembull në Sofje kishim një grua me një formë shumë të rëndë të neurozës. Në vazhdim të 30 vjetëve ajo nuk kishte dalë nga shtëpia. Pas vdekjes së të shoqit, ajo do të mbetej krejt e izoluar, por të mos ishte ndërhyrja jonë. Në saje të kontakteve ajo tashmë del jashtë.”
Ky projekt ka një efekt tjetër pozitiv. Sipas d-r Todorovskës në saje të tij krijohet një lidhje midis brezave, sepse në të marrin pjesë njerëz në moshë të ndryshme. Kur njerëzit e moshuar flasin vetëm me bashkëmoshatarë, ata përqendrohen mbi problemet e tyre shëndetësore, sëmundjet. Por kur komunikojnë me të rinj, tashmë vjen optimizmi dhe dëshira që të marrin pjesë në jetën shoqërore.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova