Kohët e fundit skuadra kombëtare e informatikës e nxënësve bullgarë u kthye me dy medalje të arta, një të argjendte dhe një të bronztë nga Olimpiada e 22 ndërkombëtare që u zhvillua në Kanada. Në të morën pjesë 84 shtete me afro 300 pjesëmarrës. Secili prej pjesëmarrësve bullgarë ka kaluar përmes shumë garave të tjera për të hyrë në skuadrën kombëtare të vendit, që drejtohet nga profesor Stojan Kapralov nga Universiteti teknik i Gabrovos dhe kryeasistenti në Institutin e matematikës dhe informatikës pranë Akademisë bullgare të shkencave Emil Kelevexhiev. Bullgaria është një prej themeluesve të këtyre olimpiadave ndërkombëtare të informatikës, e para prej të cilave është zhvilluar në vitin 1989 në qytetin Pravec, jo larg Sofjes. Vendi ynë ishte mikpritës dhe i Olimpiadës së vitit të kaluar që u mbajt në qytetin Plovdiv.

Një prej anëtarëve të skuadrës dhe një prej fituesve të medaljes së artë në Olimpiadën e sivjetshme është Vladislav Haralampiev, nxënës në Gjimnazin e matematikës në Sofje. Sipas tij konkurrenca në Kanada ka qenë shumë e madhe. Vladislav ka ambicien të marrë pjesë dhe në garën ndërkombëtare të vitit të ardhshëm. Garat për Olimpiadën e vitit 2011 fillojnë qysh këtë vjeshtë - shpjegon ai: “Gara e parë në Bullgari është turneu i informatikës në vjeshtë. Ka dhe gara të informatikës në dimër. Në kohën e vitit shkollor gjithashtu ka shumë gara dhe në bazën e rezultateve formohet ranglista e pjesëmarrësve në Bullgari. Gara më e rëndësishme është Olimpiada kombëtare, që zhvillohet në tre rrethe – shkollor, krahinor dhe kombëtar. Në rrethin kombëtar zgjidhet skuadra kombëtare, në të cilën përfshihen 12 anëtarë. Pas disa eliminatoreve përbërja e skuadrës kombëtare reduktohet deri në 4 veta.”
Vladislav tregon dhe disa detaje nga reglamenti i Olimpiadës në Kanada:
“Problemet janë ndarë kështu, qe të ketë një problem që mund të zgjidhet nga të gjithë pjesëmarrësit gjatë ditës së garës. Gjithashtu ka dy probleme me vështirësi mesatare. Shumica prej pjesëmarrësve arrijnë të zgjidhin këto probleme dhe kështu grumbullojnë një numër serioz pikësh. Çdo ditë jepet nga një problem mjaft i vështirë dhe kryesisht prej tij përcaktohet klasifikimi në Olimpiadën.”
Sipas Vladislavit problemet në garën e sivjetshme kanë qenë intersante por edhe të vështira. “Mund të thuhet se nuk më mjaftoi koha” i bën bilanc ai. Pas mbarimit të Gjimnazit të matematikës Vladislav ka në plan të studiojë në degën e informatikës të Universitetit të Sofjes. ”Preferoj të vazhdojë arsimin tim këtu dhe të mbetem në Bullgari. Në Bullgari ka shumë specialistë të mirë në fushën e informatikës që janë mësimdhënës në universitetet, ka mundësi shumë të mira për punë dhe për realizimin e njeriut si programist” – është i mendimit Vladislav.
Tani pas suksesit të madh në Olimpiadën ndërkombëtare të informatikës në Kanada, Vladislavin e pret një pushim i shkurtër në bregdet, sepse përveç matematikës ai është dhënë dhe pas notit.
Përgatiti në shqip: Gjullka Ilieva