Këtë vit Dita botërore e shumëllojshmërisë biologjike, 22 maj, kaloi disi në hijen e festimeve të 24 majit – Ditës së alfabetit sllav dhe të kulturës bullgare. Gjatë ditëve të pushimit shumë njerëz nuk kuptuan se këto ditë u shpall ekzistenca e një krahine të re të mbrojtur në Bullgari – “Lumi Veselina” afër Veliko Tërnovos.
Bëhet fjalë për një kompleks prej zonave të lagëta në rrjedhën e mesme dhe të poshtme të lumit Veselina, përfshi këtu dhe shtretërit e vjetër të lumit dhe disa habitate të tjera të rëndësishme, ndër të cilat pyje, livadhe etj., ku jetojnë kafshë dhe shpendë të rrallë. Programi i Danubit dhe Karpateve i Fondit botëror për natyrën e egër WWF është duke përgatitur atje një projekt për rimëkëmbjen e meandrit të vjetër të lumit Veselina pranë fshatit Mindja. Ditën e shumëllojshmërisë biologjike përfaqësues të WWF-Bullgaria folën para bashkësisë vendase për përvojën e vet dhe praktikat e mira në lidhje me administrimin e zonave të lagëta te ne.
Për shkak të gjendjes së saj në udhëkryq midis krahinave të ndryshme gjeografike dhe klimatike, Bullgaria është ndër tri vendet e para në Evropë me shumëllojshmëri më të madhe biologjike. Një e treta e territorit të vendit u përfshi në rrjetin evropian “Natura 2000”, një përqindje, e cila gjithashtu është ndër më të lartat në Kontinentin e Vjetër. Jashtë këtij rrjeti vendi disponon dhe një sistem të mirë prej territoresh të mbrojtura – parqe kombëtare dhe natyrore, rezervate, krahina dhe monumente të mbrojtura natyrore. Thënë shkurtimisht, po të doni të shihni kënde të virgjëra të natyrës, ejani në Bullgari.

Për shkak të tërmetit të fuqishëm dhe shirave të mëdhenj javën e kaluar, për të hënën mbeti akoma një aktivitet i lidhur me Ditën e shumëllojshmërisë biologjike. Ai zhvillohet me pjesëmarrjen e kryeministrit bullgar Bojko Borisov. Në rajonin e Dimitrovgradit, Bullgari Jugore, organizohet një operacion shpëtimtar për luleborën е moçalit (Leucojum). Traseja e magjistralit “Marica”, i cili është në proces ndërtimi, i përket krahinës, ku rritet kjo bimë e rrallë, e cila është përfshirë në Librin e Kuq të Bullgarisë për bimët dhe kafshët e kërcënuara nga zhdukja. Përveç vlerës së saj biologjike, bima ka akoma një funksion shumë të rëndësishëm. Ajo përdoret për prodhimin e një ilaçi shumë të vlershëm bullgar për mjekimin e poliomielitit – një sëmundje shumë e rrezikshme.
Operacioni ka për qëllim të zhvendosë popullimin e rreth 2 600 luleborave të moçalit rreth të paktën 50 metra larg magjistralit, ku ndotja është më e madhe. Magjistrali automobilistik “Marica” është projektuar sipas praktikave më të mira evropiane për ruajtjen e mjedisit rrethues. Janë parashikuar bio-korridore të thata për gjitarët e imët dhe zvarranikët, mure mbrojtëse transparente për shpendët dhe gardhe zhurmëmbrojtëse.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva