Edhe duke u njohur mirë me Bullgarinë, turistët e huaj mbeten kuriozë nga trashëgimia jonë historiko-kulturore dhe artefaktet e shumta në territorin e vendit. Sidomos tërheqëse janë malet mistike Rodope, për të cilat rrëfehen gojëdhëna interesante. Në këtë pjesë në jug të Bullgarisë ka shumë vende të shenjta që datojnë qysh prej kohës së lashtë, manastire të vjetra dhe tempuj myslimane. Adhuruesit e turizmit fetar vizitojnë vendpushimin Çepelare, Bullgari Jugore, i cili gjatë dimrit tërheq skitarët si magnet. Rreth e rrotull qytetit shtrihen shumë kisha dhe xhami. Në këtë vend krishterizmi dhe islami bashkëveprojnë në qetësi, duke na kujtuar për përjetësinë e rregullave filozofike të të gjallëve dhe të të vdekurve.
Gjatë viteve të 30-të të shekullit të XIX-të, në kohën e Sundimit osman, banorët e këtij rajoni i lejonin të respektonin lirisht fenë ortodokse. Atëherë në malet Rodope nisi ndërtimi masiv i tempujve të krishterë në bazën e bazilikave të dikurshme. Për më pak se tri dekada në rajonin e Rodopeve të Mesme, ku gjendet qyteti Çepelare, u ndërtuan shumë kisha dhe manastire. Gjatë periudhës së Rilindjes vendi ka qenë qendër kulturore,
© Foto: chepelareinfo.org
Kisha e “Shën Thanasit”
ku shkollat pranë kishave kanë ushqyer shpirtin dhe besimin e bullgarëve. Sot 15 manastire vizitohen nga shumë turistë që kërkojnë të gjejnë qetësim. Kisha të vjetra me ikona të çmueshme do të zbuloni në fshatrat Pavelsko, Hvoina, Orehovo etj. Ia vlen të vizitoni kishën e “Shën Thanasit” në Çepelare. Vendësit vullnetarë e ngritën vetëm për 40 ditë. “Dëshira e madhe e paraardhësve tanë besimtarë për të pasur një shtëpi të Zotit, ku të luten, ua ka dhënë forcën që të ndërtojnë jo vetëm me duar, por edhe me zemër, duke kursyer madje nga buka” – shkruan në memoaret e veta bariu vendas i lopëve Vasil Deçev. Ikonostasi i mrekullueshëm i kishës së Shën Thanasit është gdhendur prej druri dhe i përket një mjeshtri të panjohur. Dikur në oborrin e kishës ndodhej shkolla më e vjetër në rrethina. Po të ngjitesh lartë në shkallët dhe të hysh në shtëpinë e Zotit, do të qetësohesh dhe do të futesh në një botë tjetër. Heshtja të pushtojë dhe të bën të shikosh brenda vetes suaj. Një muze modest jep informacione rreth historisë së kishave buzë lumit Çaja që rrjedh nëpër shpatat e bukura të maleve Rodope.
“Ndihem sikur jam në shtëpi. Kishën e dua shumë, thotë peshkopi Stanimir Minkov. – Kjo atmosferë ka qenë edhe dikur. Kisha ka histori të pasur. Kohën e fundit vërejmë se interesi ndaj nesh u rrit. Na vijnë jo vetëm bullgarë, por edhe turistë të huaj. Ata nuk i fshehin emocionet e habitjes kur vizitojnë këtë shtëpi të Zotit. Mbishkrimet e mureve janë shumë interesante, me stilin karakteristik për periudhën e Rilindjes.”
© Foto: chepelareinfo.org
Kisha “Fjetja e Shën Marisë”
Turistët në qytetin Çepelare vizitojnë edhe kishën “Fjetja e Shën Marisë”. Ajo u ndërtua më 1866. Një kishë tjetër që daton që nga viti 1835 ndodhet në fshatin Pavelsko. Kisha “Ngritja e Kryqit” është e ndërtuar me kolona masive prej gruri, ndërsa në oborr ndodhet kambanorja shtatëmbëdhjetë metrash, e cila është më e larta në Rodopet e Mesme. Në rajon ka mundësi të mira për pushime. Turistët vendosen në shtëpitë për mysafirë, ku pronarët i presin me buzëqeshje dhe gjellë tradicionale. Turizmi fetar është një pjesë e mozaikut të këtij vendi të favorizuar nga natyra.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova