Vendet e virgjëra në Bullgari kanë frymëzuar dy bullgarë për ta krijuar një udhërrëfyes të posaçëm, kushtuar këtyre oazave të parajsës. Para pak kohe u publikua “Udhërrëfyesi për vendet e virgjëra në Bullgari.” Në vazhdim të 15 viteve gazetarja Olja Stojanova dhe i shoqi, fotografi Zhivko Xhagov, kanë udhëtuar gjithandej Bullgarisë, kanë fjetur në çadra, kanë vizituar shkëmbinj të lartë, shpella të thella, fshatra të harruara dhe e gjithë kjo, që të koleksionojnë krahina të virgjëra, për të cilat tani na rrëfejnë.
“Bullgaria nuk është vetëm Manastiri i Rillës (nën egjidën e UNESKO-s), Kështjella e Mesjetës Carevec ose bregdeti ynë. Shumë kohë flitej për turizmin tonë vetëm me shabllone, por mjafton të ecësh në një rrugë të zezë dhe fillojnë takimet e paharrueshme, historitë e reja – na tregon Olja. – Në fakt më e bukura në këto vende janë takimet me njerëzit e zakonshëm, me jetën e tyre. Mendoj se pikërisht këto vende na ndihmojnë, që ta harrojmë jetën e përditshme. Për shumë prej këtyre vendeve njerëzit nuk e dinë pothuaj asgjë. Për shembull sa njerëz në Bullgari dinë se afër fshatit Bajllovo, i cili ndodhet 20 km larg Sofjes, ka një vend jashtëzakonisht të bukur të shenjtë trak, me shpella, ku janë pikturuar disqe të mëdha diellore – rreth 100! Sipas njërit prej versioneve ato përbëjnë një observator të shenjtë astronomik, me një kalendar të fazave të hënës, sipas një versioni tjetër shpellat janë përdorur për rituale zbatimin e ritualeve më të ndryshme. Përveç kësaj në disa prej tyre para disa vitesh ka pasur piktura me guano (ekskremente të lakuriqeve të natës). Sipas ekspertëve këto piktura janë nga përpara 3 mijë vitesh para Krishtit. Deri atje nuk ka madje një shteg.
Mua më pëlqen shumë pllaja karstike pranë Karllukovos në Bullgarinë Veriperëndimore. Në fakt tërë regjioni është plotë shpella – rreth 300. Ka hallka shkëmbore, ka ura, kulla. Natyra atje ka pikturuar me një imagjinatë të jashtëzakonshme.”

Zbulimi i këtyre vendeve të virgjëra të Bullgarisë është një aventurë e vërtetë, plot befasime dhe takime interesante. Si i zbuloni këto vende, si arrini deri tek ato?
“Para 15 vitesh ishte më vështirë. Tani ka internet, ku njerëzit japin informatë. Para 15 vitesh orientoheshim në saje të studimeve tona ose të miqve tanë, të cilët kanë vizituar ndonjë shpellë, ose ndonjë shkëmb. Kështu për shembull zbuluam krahinën Bozhenski Urviç – atje ka një masiv, ku mund të ngrihesh.”

Ku flini në këto vende të virgjëra, larg qytetërimit?
“Para disa vitesh, kur udhëtonim me djalin tonë të madh, atëherë ai ishte vetëm dymujor, flinim në një çadër – na tregon Olja. – Tani, 14 vjet më vonë çuditemi si e kemi bërë këtë. Kur djali ynë mbushi 3 vjeç shkuam së bashku në majën Murgash (1687 metra në malin Stara Pllanina). Në fakt kudo kemi fjetur në çadra, madje pa çadra... Tani situata është më e ndryshme. Do t’ju jap një shembull. Pollska Skakavica në të ashtuquajturën “Zemenska Pllanina” (Mali i Zemenit) afër qytetit Kjustendill është një fshat i vogël, por afër tij nga shkëmbi derdhet një ujëvarë shumë e bukur, afër lumit Struma. Ky fshat është ndarë në 18 mëhalla të vjetra. Nëse atje banojnë njerëz mund të kuptoni vetëm në mbrëmje, kur shihen dritat e shtëpive. Mbi ujëvarën në fjalë ka rreth katër-pesë shtëpi dhe vitin e kaluar u befasuam shumë, kur kuptuam se një prej këtyre shtëpive ka hapur dyer për turistët.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Veneta Nikollova