Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Fshati Dobërsko dhe krahinat rreth tij – një gërshetim i jashtëzakonshëm i së kaluarës historike dhe natyrës përrallore

БНР Новини

Çdonjëri, i cili do qo ta njohë Bullgarinë, medoemos duhet të vizitojë fshatin Dobërsko. Ai ndodhet në Luginën e Razllogut dhe tërheq gjithnjë e më shumë turistë. Fshati përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të mbretit Ivan Shishman nga viti 1378, si pjesë e Manastirit të Rillës.

Rruga për fshatin kalon përmes Dollno Draglishte dhe Gorno Draglishte dhe gjarpëron ndër pyje dhe livadhe të gjera, ku kullotin tufa lopësh, delesh dhe kuajsh. Atje ku trualli është i rrafshët shihet bimësi, që bën përshtypje për gjelbërinë e saj madje gjatë vapës më të madhe të gushtit. Fshatarët punëtorë i kanë devijuar ujërat e përrenjve vendës në kanale ujore. Kështu në këtë rajon të thatë dhe jopjellor ata rritin kultura të ndryshme, kryesisht fasule. Vetë banorët thonë se nuk ka fasule si ajo e Razllogut.

Udha mbaron në Dobërsko. Rrugët janë të pjerrëta, shtëpitë janë vendosur shkallë-shkallë në shpatet jugore të Rillës. Legjenda rrëfen se pas betejës te Bellasica në vitin 1014 midis mbretit bullgar Samuil dhe perandorit bizantin Basil II Vrasësi i Bullgarëve ushtarët e verbëruar bullgarë kanë gjetur strehim aty. Pas humbjes së rëndë ata u nisën për në Manastirin e Rillës, duke kaluar përmes Nedobërsko – emri i atëhershëm i fshatit. Për shkak të dimrit të egër bullgarët e Samuilit u detyruan të mbeten atje. Gjatë qëndrimit të tyre ushtarëve u bëri përshtypje se uji i ajazmës, e cila mund të shihet edhe sot e kësaj dite në oborrin e kishës e pakësonte dhimbjen në sy, dhe kështu ata u vendosën në këto troje, duke krijuar Shkollën e njohur Muzikore të Dobërskos në ndihmë të fëmijëve të verbër, shkollë kjo që ekzistonte deri në fillim të shekullit të XX.

Në qendrën e këtij fshati të vogël malor është zhytur kisha “Shenjtorët Theodor Tiron dhe Theodor Stratilat” – kisha e vetme në Bullgari kushtuar këtyre dy ushtarëve të shenjtë. Është ndërtuar në vitin 1614 sipas kërkesave turke – të mos bëjë përshtypje dhe të mos ngrihet mbi godinat e tjera. Një pjesë e godinës, e cila është prej guri dhe horasani, është gërmuar në tokë dhe nuk ka as kupolë, as kambaneri.

Ndërtuesit kanë bërë në muret e saj një sistem të vështirë prej vrimash, që në fakt përbën një kondicioner të natyrshëm. Për këtë kontribuojnë edhe dritaret e vogla të llojit “mazgallë”. Temperatura atje nuk ulet kurrë nën 0 gradë. Në të kaluarën qirinjtë e përdorur nga besimtarët kanë qenë prej dylli të pastër dhe tymi ka formuar një shtresë të natyrshme mbrojtëse. Në saje të kësaj gjatë viteve 70 të shekullit të kaluar, kur tempulli u restaurua, kishte nevojë për t’u hequr vetëm shtresa e blozave. Kështu u zbuluan pikturat origjinale në mur, të ruajtura me ngjyra të forta. Kisha është monument i kulturës dhe është nën mbrojtjen e UNESKO-s. Është shpallur një prej 100 objekteve turistike kombëtare.

Dobërsko është pikënisja e itinerareve interesante turistike. Një prej tyre është deri në shtëpinë malore me të njëjtin emër, që ndodhet në një lartësi prej 1750 metrash në gjirin e Rillës. Denivelimi është 700 metra dhe shtegu është i pjerrët, i gjatë 10 km. Është më lehtë të arrihet me veturë deri në vivarin e peshkut, ku ofrohen gjellë më të ndryshme peshku. Mbi të ka një urë të vogël të vjetër. Majtas urës, nga një përroskë e thatë fillon itinerari.

Që nga atje duhet të ndiqen shenjat në bojë të bardhë dhe blu. Me çdo një metër që kalojmë pamja bëhet gjithnjë e më e bukur, ndërsa hapësira hapet gjithnjë e më e pafundme. Në Lindje shtrihen kodrat e buta të malit Rodope, kurse në Jug ngrihen majat e rrepta të Pirinit. Poshtë, buzë malit, në mjegullinën diellore shihet Dobërsko.

Shtegu vazhdon dhe herë shndërrohet në një xhade karakteristike për itineraret e Rillës, herë ngushtohet dhe mezi kalon përmes bimësisë së harlisur, herë del në ndonjë livadh të bukur, plot dritë, lule dhe bimë mjekësore me aromë të këndshme.

Diku në pyll nga larg dëgjohen zilet e tufave të deleve dhe lehjet e qenve. Dalëngadalë arrihet te Shtegu i Dhive – një prej sfidave të itinerarit. Kreshta e malit është më e pjerrët dhe ngjitja është më e vështirë. Përpjekjet kurorëzohen me sukses, sepse ka një segment, i cili është më pak i lodhshëm. Shtegu mbaron në një livadh të gjerë, ku ka tabela me të dhënat për Dhinë e egër ballkanike Rupikapra rupikapra balkanika – një lloj i kërcënuar, i cili është përfshirë në librat e kuqë të Bullgarisë dhe të botës. Popullimi i saj kryesor është në malet tona dhe haset në rajon. Ka gjithashtu një tabelë me të dhëna për gjelin e egër Tetrao urogallus. Duke vazhduar lart në shtegun e tij, njeriu është mirë të hedhë një shikim për të parë këtë shpend të bukur.

Kjo është sfida e fundit e ngjitjes. Ndër pishat dhe bredhat shihet maja Ezernik. Shtëpia malore nuk është e madhe. Ajo gjendet në një livadh të gjerë pyjor. Vendi është i qetë dhe i izoluar, dëgjohet vetëm kënga e zogjve. Shtëpia malore Dobërsko është pikënisja e shumë itinerareve turistike. Ato më tërheqëse janë deri në shtëpitë malore Semkovo dhe Makedonia.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Fotografi: Svetllana Dimitrova, en.wikipedia.org dhe arkiv



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në shekullin e XIX-të, qyteti i Elenës u quajt „Bitlehemi Bullgar“

Turizmi i festivalit, romanca dhe natyra e pastër - njihuni me qytetin e Elenës dhe rrethinat e tij

Rajoni i malit Stara Pllanina përreth qytetit të Bullgarisë Veriore - Elena gëzon interes të pandërprerë turistik jo vetëm nga bashkatdhetarët tanë, por edhe nga shumë të huaj. Madje disa prej tyre vendosen këtu përgjithmonë, duke u bërë pjesë e..

botuar më 24-04-14 10.45.PD
Rumen Draganov

Pushimet e majit do t'i japin një shtysë të fortë sezonit turistik veror

Më shumë se 1 milion udhëtarë priten në Bullgari për Pashkët, tha për BTA Rumen Draganov, drejtor i Institutit për Analiza dhe Parashikime në Turizëm. Në një periudhë prej rreth 5 vitesh, Pashkët bien në fillim të majit, dhe zakonisht atëherë..

botuar më 24-04-09 11.54.PD
Foto: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Japoni

Televizioni japonez promovon Bullgarinë si një destinacion turistik

Televizioni japonez Fuji TV filmoi episode të cilat ia prezantojnë Bullgarinë shoqërisë japoneze. Procesi i xhirimeve u krye në bashkëpunim me Ambasadën e Bullgarisë në Tokio, njoftoi përfaqësia jonë diplomatike. Nisma, e cila synon të..

botuar më 24-04-08 6.32.MD