Bashkimi Evropian i rrit subvencionet për Bullgarinë në sfondin e buxhetit të kufizuar për kohezion

Foto: arkiv

Komisioni Evropian prezantoi variantin e vet të buxhetit të BE-së për periudhën 2021-2027. Pas Brexit-it paratë evropiane bëhen më pak dhe në të gjitha sferat parashikohen shkurtime të shpenzimeve. Më të mëdha do të jenë ato në fondet strukturore dhe në bujqësi. Por tendenca nuk e prek Bullgarinë, e cila është ndër pak shtetet, për të cilat Brukseli parashikon më shumë para sesa ishin ato në buxhetin e tanishëm. Bëhet fjalë për buxhetin e politikës së kohezionit dhe për politikën e përbashkët bujqësore. Në të dy programet paratë janë 7% më pak për 2021-2027 d.m.th. 373 mlrd euro. Subvencionet për fermerët do të shënojnë ulje prej rreth 1%.

Në këtë sfond paratë e parashikuara për Bullgarinë rriten 8% deri më 8.9 mlrd. euro, në vend të shumës së deritanishme prej 3.3 miliardëve. Financimi është shtuar edhe për Rumani, Greqi, Qipro, Spanjë, Itali. Shtetet më të prekura nga rregullat e reja janë Polonia, Hungaria, Çekia, Lituania, Estonia dhe Malta. Gjatë periudhës së ardhshme programore ato do të marrin ¼ më pak në krahasim me këtë, të cilën e kanë përdorur deri tani në kuadrin e politikës së kohezionit, tregojnë llogaritë.

Më shumë para – më mirë! A mund të thuhet kjo në rastin me subvencionet e parashikuara për Bullgarinë? Mendimet janë kontradiktore. Pa këto para projektet e mëdha infrastrukturore do të ishin të pamundshme – për shembull për autostradat e ndërtuara ose për rinovimin e infrastrukturës së qyteteve. Pjesa më e madhe e financimit të tyre – 60 % mbulohet nga fondet evropiane. Pjesa tjetër është bashkëfinancimi nga ana e autoriteteve vendore. Duke folur për bashkëfinancim duhet thënë se politika e re e Bashkimit Evropian parashikon pjesëmarrje më të madhe të qeverive kombëtare në projektet e përbashkëta. Kjo do të thotë se buxheti shtetëror bullgar duhet të kërkojë më shumë para për realizimin e këtyre projekteve. Dhe kjo detyrë nuk është e lehtë për shtetin më të varfër evropian, sepse kërkesa për më shumë para vijnë nga të gjitha sferat publike – nga shëndetësia, arsimi, mbrojtja dhe siguria, ndihma sociale etj. Ata që janë skeptikë për sa u përket efekteve pozitive të bashkëfinancimit evropian, përmendin se ai shtrembëron parimin e konkurrencës së lirë dhe se efektet pozitive më në fund nuk janë aq të konsiderueshme. Dhe në të vërtetë mjetet e BE-së për Bullgarinë nuk janë pak dhe nuk tejkalojnë 3% prej Produktit të Brendshëm Bruto. Por duhet të themi gjithashtu se ekonomia bullgare përbën vetëm 0.3% prej ekonomisë së përbashkët evropiane.

Në këtë kontekst mund të përmendim dhe diçka tjetër – pavarësisht nga rritja e tyre nominale, subvencionet evropiane për frymë të popullsisë në Bullgari mbeten ndër më të ulëtat në Evropë. Kështu për secilin bullgar janë parashikuar nga €1248 prej buxhetit të ri të BE-së, kurse secili kroat merr nga €2100. Diferenca është pothuajse e dyfishtë. Dhe kjo është rezultati prej implementimit të politikës së re evropiane sipas së cilës paratë për përafrim nuk do të përcaktohen siç ishte deri tani – në bazë të Produktit të Brendshëm Bruto për frymë të popullsisë. Ndër treguesit e tjerë, prej të cilëve do të varet financimi, janë papunësia ndër të rinjtë, niveli i arsimit, imigracioni mes 2014-ës dhe 2017-ës dhe emetimet e karbonit.

Ka edhe diçka shumë të rëndësishme për Bullgarinë në buxhetin e ri të BE-së. Sofja ka ndër mend të parashtrojë brenda këtij muaji kërkesën e vet për aderim në mekanizmin e këmbimit ERM2 (ai është i njohur si “dhoma e pritjes” e eurozonës). Në Bruksel mendojnë se të gjitha shtetet-kandidate për euro duhet të marrin ndihmë me qëllim që përpjekjet e tyre t’u përgjigjen kritereve për anëtarësi. Për këtë qëllim janë parashikuar €25 mlrd. euro për 7 vjet dhe këto para mund të përdoren nga shtetet, të cilat dëshirojnë të hyjnë në Eurozonë.

Subvencionet evropiane nuk mund t’i “shërojnë” të gjitha “sëmundjet” e ekonomisë bullgare, pavarësisht sa të mëdha do të jenë ato. Por subvencionet evropiane janë të rëndësishme, sepse kanë efekt disiplinues dhe parandalojnë korrupsionin. Mjafton të përmendet metroja moderne e Sofjes, e cila përdoret çdo ditë nga qindra kryeqytetas.

Projektbuxheti i BE-së është pozitiv për Bullgarinë, por duhet pasur parasysh se ai duhet të miratohet  nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli Evropian. Diskutimet në lidhje me buxhetin e ri do të fillojnë pas disa ditësh në Sofje, e cila tani është në krye të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova

Më shumë nga rubrika

Tomisllav Donçev në konferencën “Biznesi dhe regjionet”

Bashkitë e vogla dhe aktive regjistrojnë rritje më të madhe të punësimit dhe të ardhurave

Me rëndësi kyçe për zhvillimin e regjioneve janë zonat industriale, është kategorik Zv.Kryeministri Tomisllav Donçev. Më të larta janë pagat në rajonet me punësim më të madh, tregojnë analizat e Institutit të Ekonomisë së Tregut...

botuar më 19-06-24 2.16.MD

250 vende të reja pune hap një firmë për prodhim të sistemeve klimatike në Bozhurishte

Furnizuesi për një nga kompanitë më të mëdha të automobilave Behr-Hella Thermocontrol investoi 16.2 milionë euro /31,6 milionë leva/ për zgjerimin e uzinës së vet në Bullgari, e cila gjendet në zonën ekonomike të lagjes Bozhurishte të kryeqytetit. Në këtë..

botuar më 19-06-22 10.25.PD

Një shoqëri, filial i Hekurudhave Gjermane, do të rimëkëmbë Uzinën e Riparimit të Vagonëve në Karllovo

Shoqëria “Di Bi Kargo” – një filial i Hekurudhave Gjermane “Dojçe Ban” lidhi një kontratë për blerjen e Uzinës së Riparimit të Vagonëve në qytetin bullgar Karllovo. Uzina, e cila u krijua në vitin 1964, u shpall në falimentim në vitin 2015 dhe që..

botuar më 19-06-15 9.10.PD