Për dorëheqjen e Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale dhe pyetjet që ajo provokon

Biser Petkov
Foto: BGNES

Më 11 qershor në fund të ditës së punës u njoftua se Kryeministri Bojko Borisov e ka pranuar dorëheqjen e Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale Biser Petkov. Si shkak për dorëheqjen z. Petkov ka shënuar pamundësinë për ta përballuar tensionin e krijuar lidhur me kërkesat e prindërve të fëmijëve me çrregullime. Në kampin me çadra të nënave që protestojnë para Parlamentit shprehën befasim, sepse ato nuk e kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit, por miratimin e projektit tashmë të gatshëm të Ligjit për asistencën personale. Në rrjetet sociale protestuesit dhe përkrahësit e tyre e caktuan dorëheqjen si një shenjë se projektligji nuk do të shqyrtohet nga Parlamenti dhe prandaj fillojnë të organizojnë “një protestë grandioze për dorëheqjen e qeverisë”. Përveç se është e papritur, dorëheqja shtroi një sërë çështjesh. Ky është Ministri i dytë i Punës dhe Politikës Sociale, i cili largohet nga tri qeveritë e deritanishme të Bojko Borisovit. I pari – Ivajllo Kallfin u nis nga kabineti Borisov – 2, që të marrë pjesë në garën për president, kurse ai i tanishëm u argumentua me pamundësinë për t’u zgjidhur një problem, i cili megjithëse është shumë i rëndësishëm në sferën sociale, nuk është nga problemet kryesore. Në qoftë se është e vërtetë se gjatë zhvillimit të bisedimeve me nënat e fëmijëve me çrregullime z. Petkov ka shprehur kuptim dhe dëshirë të madhe për zgjidhjen e problemit të tyre, a do të thotë kjo se dorëheqja e tij është shenjë e dallimeve të thella me politikën sociale të qeverisë?

Biser Petkov është një ekspert dhe udhëheqës shumë i mirë në sferën sociale. Deri në përfshirjen e tij në kabinetin “Borisov 3” ai ka pasur stazh shumëvjeçar në institucionet sociale dhe financiare, ka autoritet të madh si ekspert në lëmin e çështjeve sociale. Në vitin 2016 Petkov u zgjodh për mandat të dytë si drejtor i Institutit Kombëtar të Statistikave. Ai ishte kryetar i Agjencisë Shtetërore të Mbikëqyrjes Sociale pranë Këshillit të Ministrave, Zëvendëskryetar i Komisionit për Mbikëqyrje Financiare,  udhëheqës i drejtorisë “Mbikëqyrja Sociale”. Njerëz me përvojë të tillë zakonisht marrin vendime racionale dhe nuk udhëhiqen nga emocionet e tyre dhe nuk heqin dorë nga qëllimet e vëna.

Dita e dorëheqjes së Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale koincidoi me lajmin se paga minimale e mësuesit në Bullgari që nga data 1 janar bëhet 920 leva (rreth 460 euro), kurse ajo minimale në vend është 510 leva (rreth 260 euro). Ndryshimi do të bëhet fakt pasi hyn në fuqi Kontrata e re kolektive e punës, e nënshkruar nga Ministri i Arsimit me sindikatat e mësuesve. A është dorëheqja e Ministrit të Punës një shprehje e dëshpërimit nga përkrahja financiare ndaj kategorive të veçanta profesionale në sfondin e ndihmës minimale ndaj grupeve të prekshme sociale? Në të njëjtën kohë në qoftë se në shoqëri me të vërtetë ka një ndjeshmëri të tillë, pse atëherë ajo nuk u përket edhe ministrave?

Partia Socialiste Bullgare në pushtet supozoi se Ministri Biser Petkov është viktimë e dobësisë së qeverisë për t’u zgjidhur një problem, i cili tashmë nuk ekziston në shumicën e vendeve nga Evropa. Sipas socialistëve, përkrahja e nënave me fëmijë me aftësi të kufizuara është një problem, i cili varet kryesisht nga Ministria e Financave dhe jo nga ajo sociale, kurse vendimet supozojnë pjesëmarrje jo vetëm të Ministrit të Punës, por edhe të ministrave të shëndetësisë dhe të financave, si dhe pjesëmarrjen personale të Kryeministrit.

Në fakt Kryeministri ynë mori pjesë në zgjidhjen e çështjes, duke e miratuar dorëheqjen e Ministrit, por kjo kërkon edhe sanksionin e Parlamentit. Ndërkaq, para Radios Kombëtare Bullgare Zëvendëskryeministri Valeri Simeonov deklaroi se tërheqja e Petkovit është e papritur dhe dorëheqja e tij nuk është koordinuar me të. Kryetarët e sindikatave – Konfederata e Sindikatave të Pavarura /KNSB/ dhe “Podkrepa” ngulën këmbë me një letër dërguar Borisovit për ta rishikuar vendimin e vet për pranimin e dorëheqjes. Para pak kohe shoqëria bullgare ishte dëshmitare e situatave kontradiktore rreth dorëheqjes së Ministres së Energjetikës Temenuzhka Petkova, e cila edhe sot e kësaj dite është në këtë post. Ishte vështirë të prognozonim se çfarë do të ndodhte tani. Mirëpo, dyshimet u shpërndanë nga vetë Kryeministri Bojko Borisov, i cili deklaroi në Izmir: “Po e lë që të punojë!”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Më shumë nga rubrika

Filloi bashkërendimi përfundimtar i Ligjit të ri për fetë ndërmjet politikanëve dhe klerikëve

Të enjten Kuvendi Popullor pranoi në lexim të parë dy projektligje për çështjet fetare. Ideja e deputetëve është që të mbrohen besimet tradicionale dhe të eliminohen mundësitë   për radikalizim në bazë të religjionit. Meqenëse Kisha Ortodokse..

botuar më 18-10-12 3.08.MD

Ballkani Perëndimor përsëri në rendin evropian të ditës me konferencë në Sofje

" Tani është në duart e elitës politike në Shkup për të përfunduar marrëveshjen e Prespës ” – këtë e deklaroi Ekaterina Zaharieva Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e punëve të jashtme e Bullgarisë gjatë hapjes së konferencës “Transformimi i rajonit..

botuar më 18-10-08 2.28.MD
Ceremonia zyrtare e akreditimit të Ambasadorit Edon Cana në Pallatin Presidencial në Sofje

Ambasadori i ri i Kosovës Edon Cana: “Asgjë nuk na ndan, shumë na bashkon”

„ Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera, asgjë nuk na ndan, shumë na bashkon ” – janë fjalët e para të Ambasadorit të ri të Republikës së Kosovës në Sofje Edon Cana para mikrofonit të Radio Bullgarisë...

botuar më 18-09-27 12.37.MD