Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Për dorëheqjen e Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale dhe pyetjet që ajo provokon

БНР Новини
Biser Petkov
Foto: BGNES

Më 11 qershor në fund të ditës së punës u njoftua se Kryeministri Bojko Borisov e ka pranuar dorëheqjen e Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale Biser Petkov. Si shkak për dorëheqjen z. Petkov ka shënuar pamundësinë për ta përballuar tensionin e krijuar lidhur me kërkesat e prindërve të fëmijëve me çrregullime. Në kampin me çadra të nënave që protestojnë para Parlamentit shprehën befasim, sepse ato nuk e kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit, por miratimin e projektit tashmë të gatshëm të Ligjit për asistencën personale. Në rrjetet sociale protestuesit dhe përkrahësit e tyre e caktuan dorëheqjen si një shenjë se projektligji nuk do të shqyrtohet nga Parlamenti dhe prandaj fillojnë të organizojnë “një protestë grandioze për dorëheqjen e qeverisë”. Përveç se është e papritur, dorëheqja shtroi një sërë çështjesh. Ky është Ministri i dytë i Punës dhe Politikës Sociale, i cili largohet nga tri qeveritë e deritanishme të Bojko Borisovit. I pari – Ivajllo Kallfin u nis nga kabineti Borisov – 2, që të marrë pjesë në garën për president, kurse ai i tanishëm u argumentua me pamundësinë për t’u zgjidhur një problem, i cili megjithëse është shumë i rëndësishëm në sferën sociale, nuk është nga problemet kryesore. Në qoftë se është e vërtetë se gjatë zhvillimit të bisedimeve me nënat e fëmijëve me çrregullime z. Petkov ka shprehur kuptim dhe dëshirë të madhe për zgjidhjen e problemit të tyre, a do të thotë kjo se dorëheqja e tij është shenjë e dallimeve të thella me politikën sociale të qeverisë?

Biser Petkov është një ekspert dhe udhëheqës shumë i mirë në sferën sociale. Deri në përfshirjen e tij në kabinetin “Borisov 3” ai ka pasur stazh shumëvjeçar në institucionet sociale dhe financiare, ka autoritet të madh si ekspert në lëmin e çështjeve sociale. Në vitin 2016 Petkov u zgjodh për mandat të dytë si drejtor i Institutit Kombëtar të Statistikave. Ai ishte kryetar i Agjencisë Shtetërore të Mbikëqyrjes Sociale pranë Këshillit të Ministrave, Zëvendëskryetar i Komisionit për Mbikëqyrje Financiare,  udhëheqës i drejtorisë “Mbikëqyrja Sociale”. Njerëz me përvojë të tillë zakonisht marrin vendime racionale dhe nuk udhëhiqen nga emocionet e tyre dhe nuk heqin dorë nga qëllimet e vëna.

Dita e dorëheqjes së Ministrit të Punës dhe Politikës Sociale koincidoi me lajmin se paga minimale e mësuesit në Bullgari që nga data 1 janar bëhet 920 leva (rreth 460 euro), kurse ajo minimale në vend është 510 leva (rreth 260 euro). Ndryshimi do të bëhet fakt pasi hyn në fuqi Kontrata e re kolektive e punës, e nënshkruar nga Ministri i Arsimit me sindikatat e mësuesve. A është dorëheqja e Ministrit të Punës një shprehje e dëshpërimit nga përkrahja financiare ndaj kategorive të veçanta profesionale në sfondin e ndihmës minimale ndaj grupeve të prekshme sociale? Në të njëjtën kohë në qoftë se në shoqëri me të vërtetë ka një ndjeshmëri të tillë, pse atëherë ajo nuk u përket edhe ministrave?

Partia Socialiste Bullgare në pushtet supozoi se Ministri Biser Petkov është viktimë e dobësisë së qeverisë për t’u zgjidhur një problem, i cili tashmë nuk ekziston në shumicën e vendeve nga Evropa. Sipas socialistëve, përkrahja e nënave me fëmijë me aftësi të kufizuara është një problem, i cili varet kryesisht nga Ministria e Financave dhe jo nga ajo sociale, kurse vendimet supozojnë pjesëmarrje jo vetëm të Ministrit të Punës, por edhe të ministrave të shëndetësisë dhe të financave, si dhe pjesëmarrjen personale të Kryeministrit.

Në fakt Kryeministri ynë mori pjesë në zgjidhjen e çështjes, duke e miratuar dorëheqjen e Ministrit, por kjo kërkon edhe sanksionin e Parlamentit. Ndërkaq, para Radios Kombëtare Bullgare Zëvendëskryeministri Valeri Simeonov deklaroi se tërheqja e Petkovit është e papritur dhe dorëheqja e tij nuk është koordinuar me të. Kryetarët e sindikatave – Konfederata e Sindikatave të Pavarura /KNSB/ dhe “Podkrepa” ngulën këmbë me një letër dërguar Borisovit për ta rishikuar vendimin e vet për pranimin e dorëheqjes. Para pak kohe shoqëria bullgare ishte dëshmitare e situatave kontradiktore rreth dorëheqjes së Ministres së Energjetikës Temenuzhka Petkova, e cila edhe sot e kësaj dite është në këtë post. Ishte vështirë të prognozonim se çfarë do të ndodhte tani. Mirëpo, dyshimet u shpërndanë nga vetë Kryeministri Bojko Borisov, i cili deklaroi në Izmir: “Po e lë që të punojë!”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Saga politike bullgare e përkthyer për të huajt

Shkëmbimi i kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit në krye të shtetit, i rënë dakord 9 muaj më parë, mund të jetë në prag të dështimit. I ashtuquajturi rotacion midis kryeministrit në dorëheqje Nikollaj Denkov dhe zëvendës kryeministres Maria Gabriel..

botuar më 24-03-22 12.41.MD
Ne duam të kemi një qeveri, çështja është se si ta marrim kthesën pas asaj që u tha nga të dyja palët - tha lideri i GERB-it Bojko Borisov

Falja është mënyra për të vazhduar negociatat për një qeveri bullgare

Bullgaria po kalon një moment të vështirë politik, në të cilin duhet të bëhet rotacioni i parë në qeverisje në historinë tonë, i rënë dakord 9 muaj më parë kur u formua kabineti i kryesuar nga Nikollaj Denkov. Përfaqësuesja e forcës së parë parlamentare..

botuar më 24-03-20 11.32.PD
Radko Vllajkov

Shkëlqesia e Tij Radko Vllajkov: Marrëdhëniet bullgaro-rumune duhet të zhvillohen me shpejtësi evropiane

Nga shkurti i vitit 2022 Shkëlqesia e Tij Radko Vllajkov është Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Rumani. Ai ka qenë zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme nga viti 1994 deri në vitin 2001. Ndër misionet dhe..

botuar më 24-03-20 7.20.PD