COVID-19 në Bullgari: Dita 25

| обновено на 01.04.20 в 22:05

Qeveria kërkon zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe 1 muaj

Qeveria propozon që gjendja e jashtëzakonshme të vazhdojë deri më 13 maj. Vendimi duhet të miratohet nga Kuvendi Popullor. Bullgaria po përdor të gjitha resurset e saj në luftën me koronavirusin, por përmasat e krizës akoma nuk mund të vlerësohen dhe të prognozohen, thuhet në argumentet e ministrit të shëndetësisë Kirill Ananiev. Presioni mbi sistemin e shëndetësisë mund të pakësohet vetëm me anë të zgjatjes së afateve për masat e izolimit, rekomandon dhe Shtabi operativ për kundërvënien e COVID-19.

Të prekurit nga koronavirusi në Bullgari janë 422

Sipas të dhënave të Shtabit operativ kombëtar numri i të vdekurve është10. Viktima e fundit e sëmundjes është një burrë në moshë 57 vjeç nga qyteti Kjustendill. Të shëruarit janë 20 veta dhe ata po ndodhen në shtëpitë e tyre. Rastet e reja për të cilat ka analiza pozitive laboratorike janë 10 dhe 8 prej tyre janë në Sofje, kurse 2 – në Bllagoevgrad (Bullgari Jugperëndimore). 207 janë të sëmurët, të cilët po ndodhen në spitale, 18 prej tyre janë në gjendje kritike. Më i riu i shëruar është 27-vjeçar, kurse më i moshuari – 80-vjeçar. Sot në brifingun e rregullt të shtabit kombëtar për koronavirusin prof. Vencisllav Mutafçijski nënvizoi si problemi kryesor i ashtuquajturave “teste të shpejta” është se jo gjithmonë rezultatet e tyre janë të sakta. Për këtë arsye Bullgaria ka hedhur poshtë propozimin e Kinës të blejë teste të tilla..

Kryeministri falënderoi bullgarët për përpjekjet kundër COVID-19

“Jemi të detyruar të bëjmë çdo gjë të mundshme për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e popullit bullgar”, shkroi në profilin e vet në Facebook Kyreministri Bojko Borisov. “Masa e vetme me rezultate të provuara tani për tani është distanca sociale. Për shkak të saj jemi të detyruar të imponojmë rregulla të rrepta. Kuptoj pakënaqësinë e shumë njerëzve. Ndryshimi i mënyrës së jetesës ishte i papritur . Por ju lutem të kuptoni seriozitetin e situatës”, shtoi Bojko Borsovi dhe nënvizoi se akoma askush nuk mund të parashikojë sa kohë do të vazhdojë pandemia.

Parlamenti ndaloi përkohësisht punën për shkak të një deputeti të infektuar me COVID-19

Deputeti i Lëvizjes për të Drejta dhe Liritë Hasan Ademov është infektuar me koronavirus.  Për këtë arsye puna e organit ligjvënës përkohësisht pezullon punën e vet për të testuar të gjithë deputetët dhe personelin e Kuvendit Popullor. Rifillimi i punës së parlamentit do të koordinohet me Shtabin Operativ Kombëtar. Seanca e Parlamentit më 2 prill, në të cilën duhej të shqyrtohej aktualizimi i buxhetit shtetëror u shty. “Ne kemi punë për të bërë – tha Kryetarja e komisionit të përhershëm buxhetor Menda Stojanova dhe shpjegoi se javën e ardhshme deputetët detyrimisht duhet të mblidhen në sallën plenare, sepse në Kushtetutë është shënuar shprehimisht se deputetët nuk mund të marrin vendime në distancë. Po shqyrtohet mundësia që seancat të mbahen në një sallë tjetër më të madhe, ku distanca mes deputetëve të jetë 2 metra, në përputhje me kërkesat kundërepidemiologjike.

Bullgarët i respektojnë masat e jashtëzakonshme, por kanë frikë për ekonominë
Gjatë javës së fundit nuk ka ndryshim në mënyrën e të menduarit të bullgarëve për koronavirusin, tregon një studim i “Gallup International”. 2/3 prej të anketuarve mendojnë se masat e autoriteteve janë të mjaftueshme. Rritet pak deri në 20 për qind numri i atyre të cilët mendojnë se masat janë të tepërta, kështu mendojnë kryesisht të rinjtë. Masat janë “të pakëndshme, por të pranueshme” për 82 për qind prej bullgarëve. Njerëzit janë të shqetësuar për gjendjen e tyre ekonomike. 1/3 pohojnë se janë ulur të ardhurat e tyre. 25 për qind, kryesisht njerëzit e moshuar mendojnë se të ardhurat e tyre do të pakësohen, 6 për qind kanë mbetur pa punë, 10 për qind shënojnë se do të mbeten pa punë së shpejti, 70 për qind vënë në dukje se nuk ka rrezik për vendin e tyre të punës.

Qeveria caktoi pikat kufitare për “korridore të gjelbra” me qëllim furnizimin e mallrave

Qeveria bullgare caktoi pikat kufitare në territorin bullgar përmes të cilave do të sigurohet kalimi pa pengesa i mallrave. Plani për sigurimin e “korridoreve të gjelbra” në rrjetin rrugor evropian u propozua nga ministri i transportit, teknologjive të informacionit dhe komunikacioneve në përputhje të udhëzimeve të Komisionit Evropian. Në kufirin me Greqinë pikat kryesore janë “Kullata” dhe “Kapitan Petko Vojvoda”, ndërsa “Ilinden” do të përdoret në situata urgjente. Pikat kryesore në kufirin me Rumaninë janë ato të qyteteve Vidin dhe Ruse, ndërsa – Orjahovo dhe Silistra do të përdoren vetëm në rast të nevojës urgjente. U caktuan pikat kufitare për kalim me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Midis Bullgarisë dhe Serbisë ajo është “Kallotina”, drejt Turqisë – “Kapitan Andreevo”, drejt Maqedonisë së Veriut – “Gjueshevo”. Korridoret e gjelbra duhet të jenë të hapur për të gjitha automjetet që transportojnë mallra të çdollojshme.

Buxheti shtetëror akoma nuk është ndikuar nga kriza e COVID-19.

Më 31 mars Ministria e Financave konstaton se teprica buxhetore për tremujorin e parë të vitit 2020 është mbi 600 mln. euro. Pavarësisht nga kjo teprica është duke u pakësuar sepse në fund të shkurtit ka qenë 700 mln. euro. Rezervat fiskale mbeten mbi 5 mlrd. euro. Në bazë vjetore gjatë marsit të ardhurat në thesarin shtetëror janë rritur 75 mln. euro dhe tani janë me vlerë të përbashkët 5,56 miliardë euro. Rritja është në vend të parë për shkak të të hyrave që vijnë nga fondet evropiane. Shtyrja e afatit të pagimit të tatimeve ndikon negativisht realizimin e të ardhurave nga tatimet korporatave në mënyrën, në të cilën ato ishin parashikuar.

Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.

Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.
Още от MË E RËNDËSISHMJA PËR KORONAVIRUSIN