Eмисия новини
от 15.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Ngjarjet me adresë ballkanike

Deeskalimi i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian - çështje të një dialogu

Një vendosmëri të përmirësojnë marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë dhe të evitojnë konfliktet regjionale  shprehën në takimin konferencë në video presidenti turk Rexhep Erdogan, kryetari i Këshillit Evropian Charles Michel dhe kancelaria gjermane Angela Merkel. Turqia synon drejt dialogut dhe bisedimeve dhe janë të domosdoshme hapa reciprokë, që të mund të ruhet inercia e uljes së tensionit në Mesdheun Lindor, ka thënë Erdogani. Ankaraja ka kërkuar një konferencë regjionale për Mesdheun Lindor, në të cilën të marrë pjesë dhe Republika Turke e Qipros Veriore akoma e panjohur, njofton gazeta Sabah. Sipas gazetës greke Ethnos, Erdogani ka kërkuar viza nga Bashkimi Evropian për qytetarët turq, bashkim doganor me Bashkimin Evropian, më shumë para për refugjatët dhe shfrytëzim të përbashkët të Detit Egje me Greqinë.


Pas marrëveshjes me Kosovën, Serbia pret investime amerikane

Rrethi i ardhshëm i bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës më 28 shtator në Bruksel është nën pyetje për shkak të obstruksioneve të Prishtinës, pohon Agjencia Таnjug. Nën pikëpyetje është dhe takimi i nivelit të lartë midis presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit kosovar Avdullah Hoti të caktuar për të njëjtën datë. Përpara agjencisë REUTERS Vuçiç e cilësoi marrëveshjen midis serbëve dhe kosovarëve në Uashington si një hap të madh në drejtimin e drejt, por larg nga normalizimi politik. Në një takim në Beograd me investitorë nga Shtetet e Bashkuara të kryesuar nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë Riçard Grenel, Vuçiç tha se në sajë të investimeve Serbia do të ketë ritmin më të lartë të rritjes në Evropë. Vetëm për projekte të infrastrukturës investimet e pritura amerikane janë 3,7 miliardë dollarë, saktësoi ministrja e ndërtimit dhe e transportit Zorana Mihajlloviç.


President dhe Kryeministër luten për autoqefalin e Kryepeshkopatës së Ohrit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dërgoi letër drejtuar Patrikut Ekumenik Bartolomeu. Në mesazh Zaev edhe njëherë e lut Patrikun e Kostandinopojës zyrtarisht të avokojë për njohjen e statusit autoqefal të Kishës Ortodokse Maqedonase-Kryepeshkopata e Ohrit, transmetoi Agjencia Informative Shtetërore e Maqedonisë së Veriut MIA. Presidenti Stevo Pendarovski po kështu dërgoi një letër të veçantë deri tek Patriku Ekumenik me kërkesë që Kryepeshkopata e Ohrit të pranohet si e barabartë në familjen e kishave të tjera ortodokse. Autoqefali i kishës maqedonase i shpallur gjatë vitit 1967 është bekuar nga presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë Josip Tito, por dhe sot debatohet në Patrikanën Serbe.


Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut debatojnë për vojvodën Goce Dellçev

Në interesin tonë është që të kemi një mik të mirë e të shtrenjtë në fytyrën e Sofjes. Ne kemi interes prej marrëdhënieve të afërta, interes të depërtojmë në përmasat më të thella të Marrëveshjes sonë të fqinjësisë, që lidhet me thellimin e ekonomisë, tregtisë, turizmit, kulturës, mjedisit, çështjeve të sigurisë, tha zëvendëskryeministri mbi çështjet evropiane të Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov  në konferencën online për procesin e aderimit ndaj Bashkimit Evropian, organizuar nga Instituti për Demokracinë „Societas Civilis“,transmetoi BGNES. Kryeministri Zoran Zaev shpalli se, përpara 10 nëntorit do të vizitojë Sofjen, që të bisedojë me homologun e tij Bojko Borisov mbi mosmarrëveshjen për Goce Dellçevin, të cilin komisioni i përzier për çështjet historike  nuk mundi ta zgjidhë, transmetoi Radioja Kombëtare Bullgare, duke iu referuar Agjencisë Shtetërore Maqedonase MIA.


Mosmarrëveshje parazgjedhore për pensionet në Rumani

Qeveria rumune do të sulmojë në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në buxhetin e shtetit, pasi opozita  arriti të mbrojë në parlament një rritje të pensioneve me 40%. Qeveria propozoi që shtimi të jetë me 14%. Këshilli i investuesve të huaj në vend dhe “Koalicioni për Zhvillimin e Rumanisë”, që bashkon punëdhënësit më të mëdhenj rumunë po kështu kritikuan rritjen prej 40% si jo realiste. Banka Kombëtare e Rumanisë shpalli se ngritja e pensioneve dhe e disa rrogave shtetërore do të çojë deri në deficitin më të madh gjatë viteve të fundit prej 11% nga Produkti i Brendshëm Bruto. Vëzhguesit e lidhin lëvizjen populliste të deputetëve me zgjedhjet lokale të shpallura për më 27 shtator në Rumani, transmeton sajti i lajmeve ziare.com.


Bashkimi Evropian bashkë me Greqinë do të drejtojë një kamp pranimi për refugjatë në ishullin Lesbos

Pas zjarrit i cili shkatërroi kampin e refugjatëve Moria, Komisioni Evropian shpalli se, do që të krijojë një qendër të re pranimi për imigrantë në ishullin Lesbos, të cilin të mund ta drejtojë bashkërisht me Greqinë, transmetoi Agjencia Bullgare e Lajmeve. Ne do të marrim pjesë në një projekt të përbashkët pilot me autoritetet greke për drejtimin e një qendre të pranimit, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Do të krijohet një ekip i ri me detyra të veçanta, i cili me përkrahjen e agjencive të tjera të Bashkimit Evropian, do të ndihmojë për përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve për njerëzit në ishull, tha von der Leyen. Kampi Moria në ishullin grek Lesbos, në të cilin në kushte të mjerueshme jetonin mbi 12 000 imigrantë, u dogj përpara 2 javëve. Rreth 10 000 veta janë transferuar në një kamp të përkohshëm me çadra.

Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva

Foto: EPA/BGNES, romania-insider.com dhe arkiv