Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

6 Shtatori - Dita e bashkimit të Bullgarisë Veriore dhe Jugore

"Bullgaria e bashkuar" - litografi e Nikollaj Pavlloviçit
Më 6 shtator të vitit 1885 populli bullgar kreu një nga veprat më të shënuara në historinë e tij të re – bashkimin e dy pjesëve të Bullgarisë – pjesën veriore me atë jugore. Ajo ditë u bë simbol i unitetit të kombit dhe sot është një festë zyrtare në kalendarin bullgar.
Parahistoria e kësaj ngjarjeje të shënuar nisi në verën e vitit 1878 kur në Kongresin e Berlinit Fuqitë e mëdha evropiane i rishikuan rezultatet e Luftës midis Rusisë e Turqisë të viteve 1877-78, luftë kjo që përfundoi me fitoren e Rusisë dhe që çoi gjithashtu në çlirimin e Bullgarisë nga sundimi pesëshekullor osman. Traktati i Shën Stefanit që u nënshkrua më 3 mars 1878 rivendosi shtetin bullgar në kufijtë e tij të hershëm etnikë. Por pa kaluar shumë kohë u mbajt Kongresi i Berlinit ku siç e thamë iu bë një revizionim Traktatit të Shën Stefanit në mënyrë që të pengohej krijimi i një Bullgarie të madhe në një vend me pozicion kyç të Gadishullit të Ballkanit. Për pasojë territori i Bullgarisë u copëtua dhe kjo solli ngjarje tepër dramatike në historinë kombëtare të saj. Në territorin midis malit Ballkan dhe lumit të Danubit, bashkë me qarkun e Sofjes u formua Principata bullgare; Bullgaria e Jugut me emërtimin Rumelia Lindore, ndonëse e kishte autonominë e plotë, mbeti nën administrimin politik e ushtarak të sulltanit; ndërsa Maqedonia, Trakia e Egeut dhe zona e Edrenesë u rifutën në kufijtë e Perandorisë Osmane. Vendimet e Kongresit të Berlinit shkaktuan protesta të mëdha në gjithë vendin. Në vjeshtën e vitit 1878 në Bullgarinë Jugperëndimore shpërtheu një kryengritje e fuqishme që u shtyp nga qeveria turke. Bullgarët që luftonin për bashkimin e kombit arritën në konkluzionin se përpjekjet fillimisht duheshin drejtuar te Bullgaria e Jugut dhe vetëm si hap i dytë duhej të bëhej ribashkimi.

Ishte viti 1884 kur në Bullgarinë e Jugut po organizoheshin zgjedhjet dhe çështja e ribashkimit me Principatën bullgare ishte në qendër të garës elektorale midis dy partive kryesore të Bullgarisë së Jugut – Partisë Popullore dhe Partisë Liberale. Por me të fituar zgjedhjet, Partia Popullore mori pushtetin dhe hoqi dorë nga kauza e ribashkimit duke u justifikuar me gjendjen jo të favorshme ndërkombëtare. Me këtë çështje pastaj u morën personalitete më radikale. Veterani i luftrave çlirimtare të bullgarëve Zahari Stojanov dha idenë e ngritjes së Komitetit të fshehtë qendror revolucionar që u bë në qytetin e Plovdivit në shkurt të vitit 1885. Disa muaj më pas, më 25 korrik Komiteti i fshehtë u mblodh për të vendosur për organizimin e luftës për “ribashkimin e Bullgarisë së Jugut me Bullgarinë e Veriut nën skeptrin e princit Aleksandër Batenberg”, princit të parë bullgar të pasçlirimit. Për këtë qëllim Komiteti u vu në kontakt me partinë Liberale të Rumelisë dhe me dy komandantët e njësiteve të armatosura të Rumelisë Lindore, majorin Rajço Nikolov dhe majorin Danail Nikolaev. U vendos që aksioni të niste nga mesi i shtatorit. Ndërkaq në gjysmën e dytë të gushtit shpërthyen revolta e demonstrata në disa qendra të banuara ku më e madhe ishte demonstrata e banorëve të fshatit Goliamo Konare, /sot qyteti Saedinenie, afër Plovdivit/. Më 2 shtator në qytetin e Panagjurishtes u zhvillua një tjetër demonstratë ku u dha sinjali i revoltave masive dhe u ngritën në protesta edhe qytete e fshatra të Krahinës ku Komiteti i Fshehtë nuk kishte celutet e veta.

Mëngjesin e 6 shtatorit vullnetarët e armatosur të njesiteve nën komandën e majorit Nikolaev dhe çeta e Prodan Tishkov që kishin zënë pozicione në rrethinat e qytetit të Plovdivit hynë në qytet, rrethuan konakun dhe arrestuan kryeadministratorin e Rumelisë Lindore, Gavril Kresteviç. U përmbys qeveria e Rumelisë Lindore, u shpall Bashkimi i Bullgarisë së Jugut me Bullgarinë e Veriut dhe në qytetin e Plovdivit u formua qeveria provizore në krye me Georgi Stranski e cila mori administrimin në pritje të ardhjes së Princit Aleksander Batenberg.

Pas aktit të Bashkimit që u krye më 6 shtator, Bullgaria u ndodh në një pozicion tepër të vështirë. Perandoria Osmane dërgoi trupa të shumta në kufirin bullgar. Krali i Serbisë Milan, nën pretekstin se ishtë prishur ekuilibri i Ballkanit dhe i mbështetur nga Austro-Hungaria, më 2 nëntor 1885 i dha urdhër ushtrisë të sulmojë Bullgarinë. Ndërkaq në mbështetje të Aktit të Bashkimit filloi një lëvizje masive patriotike e popullit. Ndonëse e sulmuar befasisht Bullgaria arriti fitore në këtë luftë dhe pikërisht kjo fitore e bëri të pamundur rivendosjen e statuskuosë. Pas manovrash të gjata e të komplikuara diplomatike Akti i Bashkimit u njoh zyrtasisht me nënshkrimin e Marrëveshjes bullgaro-turke të vitit 1886.

Ribashkimi i Bullgarisë së Jugut me Bullgarinë e Veriut pati rëndësi vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Bullgaria u bë një faktor me peshë në Ballkan, ndërsa lufta e vetmohuar e heroike e popullit bullgar eliminoi një nga padrejtësitë më të rënda të Kongresit të Berlinit dhe hapi rrugën e zhvillimit të pavarur shtetëror të vendit.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

“Çeta Fluturuese e Benkovskit”, artisti Petër Morozov

Të huajt në “Çetën Fluturuese” të Georgi Benkovskit

Krijuesi i organizatës së brendshme për Çlirimin e Bullgarisë, Vasill Levski , duke formuar komitetet revolucionare në trojet bullgare, ishte i pari që përfshiu të huajt që punonin në "Hekurudhën Lindore" të baron Moritz Hirsch. Në rrjetin e tij..

botuar më 24-04-22 5.22.MD

Para 80 vjetësh u zbulua tuma e Kazanllëkut

"Njeriu nuk e njeh rrugën drejt qiellit, por kali e di", thotë një fjalë e urtë trake. Prandaj, mbretërit trakë dërgoheshin me patjetër në botën e përtejme së bashku me kuajt e tyre. Për shkak të varreve të shumta të sundimtarëve nga epoka helenistike,..

botuar më 24-04-19 7.30.PD

Mbushen 80 vjet nga bombardimi i fundit i Sofjes

Më 17 prill, 80 vjet më parë, ndodhi bombardimi i fundit dhe më brutal i Sofjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944, më 17 prill në mesditë, 350 bombardues amerikanë, të shoqëruar nga gjuajtësit “Thunderbolt” dhe “Mustang”, hodhën 2500 bomba..

botuar më 24-04-17 1.48.MD