Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shpallja e pavarësisë bullgare dhe pasojat e saj

Manifesti i shpalljes së pavarësisë bullgare
Manifesti i shpalljes së pavarësisë bullgareFoto: Arkivi Qendror Shtetëror
Më 22 shtator të vitit 1908, 30 vjet pas rimëkëmbjes së shtetit bullgar, ai u shpall zyrtarisht i pavarur. Kjo ngjarje kishte një rëndësi kolosale, jo vetëm për vendin, por dhe pasoja serioze për tërë rajonin e Ballkanit.
Traktati i Berlinit, jo vetëm se i copëtoi në disa pjesë trojet bullgare, por e bëri principatën e re vasale të Perandorisë osmane. Duhet të nënvizojmë, se kjo varësi ishte e pjesshme dhe kishte të bënte vetëm me disa kufizime protokollare në politikën e jashtme. Falë varësisë formale Bullgaria arriti jo vetëm të zhvillojë një jetë normale dhe të plotvlefshme në plan të brendshëm politik, por dhe të jetë plotësisht e pavarur në veprimet e saj. Kjo u bë sidomos e qartë në kohën e Bashkimit të vendit në vitin 1885, me mbrojtjen dhe njohjen e tij zyrtare, kur Bullgaria mori territore dhe të drejta pikërisht nga Perandoria osmane, së cilës, sipas klauzolave të Traktatit të Berlinit i ishte vasale.

Në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20 shteti bullgar zhvillohej shumë pozitivisht. Pas Bashkimit ai u bë shteti më i madh në Ballkan edhe për nga territori, edhe për nga popullsia, doemos me përjashtim të Turqisë. Ushtria e saj ishte më e madhe se ushtritë e Serbisë dhe Greqisë dhe e armatosur më moderne. Principata shënoi një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik, i cili i bënte vëzhguesit dhe gazetarët e huaj të flasin për “mrekullinë bullgare”. Princi Ferdinandi I, që u ngjit në fronin në vitin 1887, me origjinë aristokratike nga familja e njohur Koburg dhe nip i mbretit të fundit francez Lui Filip, nisi të ëndërronte edhe për përfshirjen e Maqedonisë së populluar para se gjithash me bullgarë në kufijtë e shtetit. Në fakt kjo ide ishte pushtuar tërë shoqërinë bullgare – politikanë, industrialistë, tregtarë dhe inteligjentë. Të gjitha e kishin të qartë, se realizimi i këtij qëllimi të madh e të drejt kombëtar kalon përmes luftës me Perandorinë osmane, kurse Bullgaria ishte hem i varur prej saj, hem më e dobët në pikëpamje ekonomike dhe ushtarake. Këto ishin dy pengesa, që duhej të përballoheshin me të gjitha mjetet e mundshme politike dhe diplomatike. Ndërsa në praktikë kjo do të thoshte se Principata bullgare të bëhet e pavarur dhe të gjejë aleatët e duhur.
Në vitin 1908 në rendin e ditës ishte zgjidhja e detyrës së parë. Përvoja nga reagimet pas Bashkimit të vendit në vitin 1886 tregonte, se Perandoria osmane do të rezistojë seriozisht të gjitha përpjekjet për prekjen e të drejtave të saj. Fuqitë e Mëdha silleshin me mosmiratim ndaj çdo shkeljeje të Traktatit të Berlinit, ndërsa shtetet ballkanike prisnin me xhelozi sukseset e fqinjëve. Shpallja e pavarësisë nuk e privoi Turqinë nga të mira reale, as nuk i dha Bullgarisë ndonjë dobi konkrete, përveç rritjes së prestigjit të saj, por me gjithë këtë ishte krejt e qartë, se duhet të sigurohet një përkrahje serioze politike. Kësaj here aleatja ishte e dukshme – një Fuqi e Madhe, e cila gjithashtu donte të prishte Traktatin e Berlinit. Kjo ishte Austro-Hungaria, së cilës në bazën e këtij vendimi ndërkombëtar i jepej e drejta të posedojë Bosnjë-Hercegovinë për afat 30 vjeçar. Në Vjenë ishin marrë vendim pas skadimit të këtij afati të aneksojnë këtë territor pa cilat do qoftë kushte. Edhe të dy shtetet ishin të inkurajuar suplementarisht nga fakti, se në atë kohë Perandoria osmane ishte tronditur nga Revolucioni i xhonturqve dhe kishte mjaft probleme të tjera të brendshme.
Gjatë verës së vitit 1908 princi Ferdinand I vizitoi Vjenë dhe arriti marrëveshje për veprime të përbashkëta në realizimin e objektivave të shtruara para dy vendeve. Këtu nuk bëhej fjalë për asgjë konkrete, vetëm për një mirësjellje nga ana e rretheve politike dhe diplomatike të Austro-Hungarisë. Monarku u kthye në Bullgari i vendosur për të vepruar.

Më 22 shtator të vitit 1908 ndër rrënojat e Kështjellës “Carevec” në kryeqytetin e lashtë bullgar Tërnovo, në praninë e princit, kryetarit të Parlamentit, kryeministrit, ministrave dhe ushtarakëve të lartë u lexua Manifesti i shpalljes së pavarësisë bullgare. Ditën tjetër Austro-Hungaria aneksoi Bosnjë-Hercegovinën.
Në fillim Fuqitë e tjera të Mëdha refuzuan të pranojnë shkeljen e radhës të Traktatit të Berlinit, por shumë shpejtë ranë dakord por me kusht, se Bullgaria do të arrijë ta bindë qeverinë e sulltanit të pranojë ndryshimin. Në Evropë e kuptonin shumë qartë, se dëshira e tyre për qetësi në Ballkan kalon përmes njohjes së pavarësisë bullgare. Edhe shtetet e tjera të rajonit e pranuan ndryshimin pa reagime të veçanta, sepse në këtë rast nuk pushtoheshin territore dhe nuk fitohej ndonjë gjendje e privilegjuar.

Në Stamboll kishin mjaft probleme serioze të brendshme dhe me sa dukej ishin gati të heqin dorë nga të drejtat fiktive mbi principatën bullgare. Por ndodhi një komplikim, i cili e ashpërsoi situatën dhe në disa momente shkaktoi dhe dislokim të trupave ushtarake nga të dyja anët e kufirit. Përmes Bullgarisë kalonte (dhe kalon edhe sot e kësaj dite) një aks prej linjës hekurudhore midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, të ashtuquajturat “Hekurudhat lindore”. Sofja prej kohe kishte dëshirë të fitojë të drejtat mbi to në territorin e saj, por juridikisht ato ishin pronë e Perandorisë osmane. Tre ditë përpara shpalljes së Pavarësisë, personeli i Hekurudhave lindore shpalli grevë dhe Kompania e hekurudhave i luti kolegët e tyre bullgarë të merren me shërbimin dhe kështu autoritetet në Sofje morën në duart e tyre kontrollin faktik mbi hekurudhat. Në Stamboll e kishin të qartë, se po të pajtohen me pavarësinë do të humbasin dhe të drejtat mbi hekurudhat. U mor vendim kjo të bëhet me një çmim maksimalisht të lartë. Në fillim pala turke kërkoi 650 miliona franga të arta, por kjo ishte e papranueshme për palën bullgare dhe filluan negociata të gjata e të vështira. Disa muajsh marrëdhëniet midis dy vendeve lëviznin midis tryezës së bisedimeve dhe konfrontimit ushtarak. Në fund të fundit u arrit në rrugë pa dalje – Perandoria osmane nuk dëshironte të zbresë çmimin nën 125 miliona, ndërsa Bullgaria nuk ishte në gjendje të ofrojë më shumë se 82 miliona.

Por në kryeqytetet evropiane kuptonin, se një konflikt eventual në Ballkan mund të zgjerohet dhe të përfshijë mbarë Evropën. Rusia e ndjente veten e papërgatitur, sidomos pas rezultatit katastrofal të luftës me Japoninë në vitin 1905 dhe nisi të kërkojë mënyrat e dobishme për zgjidhjen paqësore. Në Peterburg u angazhuan të paguajnë ata diferencën prej 43 miliona frangash duke e zbresin atë shumë nga borxhi ushtarak turk ndaj Rusisë dhe pastaj ajo të formohet si një hua e Bullgarisë. Kështu qeveria e sulltanit dhe pas saj edhe Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike e njohën pavarësinë e Bullgarisë.

Akti i 22 shtatorit të vitit 1908 ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë kombëtare të Bullgarisë dhe pati pasoja shumë serioze në plan regjional. E rëndësishmja këtu ishte jo se vendi tashmë nuk ishte principatë por mbretëri, dhe jo se sunduesi tashmë zyrtarisht titullohej mbret. Duke realizuar pavarësinë si një vazhdim i kauzës së Bashkimit, Bullgaria, nga pikëpamje juridike ndërkombëtare tashmë e kishte të drejtën të luftojë kundër Perandorisë osmane. Në fakt ky akt e hapi rrugën drejt krijimit, bashkë me Serbinë, Greqinë dhe Malin e Zi, të Bashkimit ballkanik, dhe drejt luftës për çlirimin e Maqedonisë dhe Trakisë, që shpërtheu në vitin 1912.

Autor: Dr. Bobi Bobev
Përgatiti në shqip: Gjullka Ilieva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Mbushen 80 vjet nga bombardimi i fundit i Sofjes

Më 17 prill, 80 vjet më parë, ndodhi bombardimi i fundit dhe më brutal i Sofjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944, më 17 prill në mesditë, 350 bombardues amerikanë, të shoqëruar nga gjuajtësit “Thunderbolt” dhe “Mustang”, hodhën 2500 bomba..

botuar më 24-04-17 1.48.MD

Festojmë Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit dhe Astronautikës

Më 12 prill, festojmë Ditën Ndërkombëtare të 55-të të Aviacionit dhe Astronautikës. Në këtë datë të vitit 1961, në orën 6 e 7 minuta Greenwich (9 orë e 7 minuta me orën e Moskës), me anijen "Vostok 1" Juri Gagarin filloi turneun e tij të paharrueshëm..

botuar më 24-04-12 6.50.PD

Myslimanët e mirëpresin Ramazan Bajramin

Gati 11 për qind e popullsisë në Bullgari, ose rreth 639 000 njerëz, e identifikojnë veten si myslimanë sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021. Vetëm popullsia turke numëron 508 378 veta. Pjesa më e madhe e popullsisë myslimane jeton në..

botuar më 24-04-10 7.40.PD