Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tradita e vallëzimit mbi prush

Foto: BGNES
Siç praktika të tjera rituale pagane, vallëzimi mbi prush është lidhur me një festë të madhe të krishtere. Më 21 maj kisha ortodokse nderon veprimtarinë shpirtërore të shenjtorëve Konstantin dhe Elena. Në po këtë ditë në disa fshatra të Bullgarisë Juglindore kryejnë një valle të lashtë rituale mbi prush. Gjatë vitit 2009 Komiteti ndërqeveritar i UNESCO-s për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit shpalli përfshirjen e këtij riti bullgar në listën përfaqësuese të organizatës. I ruajtur dhe i transmetuar brez pas brezi, ky rit mijëvjeçar akoma kryhet në tokat tona.

© Foto: arkiv


Perandori Konstantini i Madh hyri në histori me njohjen zyrtare të krishterimit si një religjion të barabartë me religjionet e tjera në Perandorinë Romake. Pavarësisht nga fakti se populli i lidh vallet mbi prush me ditën e shenjtorëve Konstantin dhe Elena, kisha ortodokse kurrë nuk e pranoi këtë. Njerëzit që e kryejnë ritin ishin ndjekur deri në fillim të shekullit XX. Kjo e kufizoi praktikimin e traditës. Ajo mbeti e gjallë në fshatrat Kosti dhe Brodilovo që ndodhen në malin e Stranxhës. Sipas banorëve vendës nga këta fshatra riti u përhap dhe në rajone të tjera të Stranxhës. Kulti ndaj zjarrit dhe vallëzimi mbi prush ekzistonin ndër shumë popuj të lashtë – elinët, romakët, persët, kinezët e shumë të tjerë. Ndezja e zjarrit ruan nga forcat e këqija të njerëzve dhe të natyrës. Zjarri zmadhon forcën hyjnore të diellit. Njerëzit që vallëzojnë të zbathur mbi prush në Bullgari quhen nestinarë. Ata duhet të jenë të pastër – në një kuptim fizik dhe shpirtëror. Sfida me zjarrin hap derën për botën tjetër, kurse nestinarët kanë forcën të parathonë të ardhmen. Vallëzimi mbi prush shoqërohet gjithmonë me gajde dhe daulle. Tingulli i këtyre veglave muzikore konsiderohet një pjesë e magjisë së ritit. Daullja ruhet në tempullin e fshatit dhe nxirret posaçërisht për vallen.

Sipas disa shkencëtarëve prejardhja e fjalës “nestinar” vjen nga “ishtinar” ose “neshtinar”, domethënë një njeri dijës. Nocioni lidhet dhe me fjalët greke për kreshmë “nestea” dhe për zjarr “estia”. Siç është karakteristike për praktikat folklorike, aftësia e vallëzimit mbi prush transmetohet brez pas brezi. Në hierarki nestinari kryesor është ai që zgjedh trashëgimtarin e vet. Kur ndien se rruga e tij jetësore përfundon ose për ndonjë shkak nuk mund të vallëzojë më, ai mbledh të gjithë nestinarët në fshat. Në praninë e tyre ai cakton se kush do ta zëvendësojë. Zakonisht ky është biri i tij. Po të mos ketë një bir, ai ia transmeton kryesinë bijës. Konsiderohet se vetëm në këtë mënyrë do të ruhet aftësia për të parathënë të ardhmen.

© Foto: BGNES


Herët në mëngjes më 21 maj shkohet në burimin e kishës, manastirit ose të një vendi tjetër të shenjtë. Ikonat e shenjtorëve Konstantin dhe Elena zakonisht janë bërë me doreza të posaçme. Një nga momentet kryesore në fillim të ritit është vizita e vendeve të shenjta të fshatit dhe e shtëpive të banorëve, ku kryhet rite për pastrim dhe bekim. Në fshat bëhet kurban. Nestinarët fillojnë vallen e tyre, kurse në mbrëmje të gjithë shkojnë në sheshin e fshatit. Atje gjatë tërë ditës ka djegur zjarri, i cili tashmë është bërë prush. Ai bëhet në formë rrethi. Njerëzit që vallëzojnë bëjnë tri ose nëntë rrethe. Siç në tërë kulturën tonë folklorike, edhe këtu rrethi simbolizon diellin. Zjarri gjithashtu është simbol i diellit, populli ynë e quan “zjarr qiellor”. Vjen koha për vallen rituale mbi prush. Nën tingujt magjepsës të gajdes dhe daulles nestinarët bien në ekstazë. Sipas terminologjisë popullore, ata bëhen “të marrë”. Nestinarët hyjnë në zjarr me ikonën dhe vallëzojnë. Nestinari kryesor bën parathënie për bashkësinë dhe për njerëz të veçantë. Kur vallja përfundon, ikonat dhe daullja kthehen në kishë, kurse njerëz të caktuar e shoqërojnë nestinarin kryesor deri në shtëpinë e tij. Sa e çuditshme të jetë, në këmbët e valltarëve nuk ka gjurmë djegieje. Kurse dëshmitë për këtë se parathëniet realizohen janë të shumta. A është ashtu vallë – secili mund të verifikojë. Mjafton të gjejë fshatrat e vogla në këndin juglindor të Bullgarisë. Dhe t’i vizitojë pikërisht në ditën e shenjtorëve Konstantin dhe Elena.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Albena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit, ansamblet folklorike janë si një Bullgari e vogël vendase

Me erën e bukës, të ëmbëlsuar me mjaltë, u pritën mysafirët e Takimit të Dytë krijues - seminari i drejtuesve të ansambleve folklorike bullgare jashtë vendit, i cili u mbajt më 11 dhe 12 nëntor në Sofje. Krahas shkëmbimit të dobishëm të përvojës, takimi u..

botuar më 23-11-19 12.00.MD

Muzeu i parë i rakisë në Sofje hapi dyert

Rakia është pija-mbretëresha e Ballkanit. “Mund të themi se e ka origjinën nga bota arabe, nga Araku i tyre. Dhe megjithëse një sërë vendesh ballkanike e konsiderojnë atë si pijen e tyre kombëtare, rakia bullgare është bullgare” – është kategorik..

botuar më 23-10-21 7.20.PD
Foto: BGNES

Festivali i bozës në Radomir e rikthen qytetin drejt zanatit të vjetër

Boza e mirë duhet të jetë shumë e trashë dhe shija e grurit të ndihet qartë, thonë mjeshtrit. Si bëhet boza sipas një recete tradicionale të Radomirit – ja çfarë do të shohin mysafirët e qytetit të Radomirit në festën shumëngjyrëshe kushtuar pijes së..

botuar më 23-10-14 10.10.PD