Deri më 4 tetor Muzeu Arkeologjik Kombëtar në Sofje është mikpritës i ekspozitës “Evropa në imazhe”. Ajo u përgatit nga shtëpia botuese italiane me arkiv fotografik “Fratelli Alinari”. Për më shumë se 150 vjet në arkiv janë mbledhur mbi 6 milionë fotografi. Ekspozita është bërë me ndihmën e shkencëtarëve dhe përbëhet nga dy pjesë. E para është një rrëfim vizual për ngjarje, fakte dhe personalitete nga historia shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore e Kontinentit të Vjetër. Pjesa e dytë prezanton 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Secili prej vendeve merr pjesë me katër fotografi, të cilat u zgjodhën nga ambasada e tij në Romë. Bullgaria prezantohet me 4 kuadro të fotografit Aleksandër Mihajlov. Në njërin prej tyre shohim restaurim të një dorëshkrimi nga Mesjeta e vonshme në Kishën e Bojanës, afër Sofjes. Kisha është ndër monumentet e UNESCO-s. Një kuadër tjetër tregon Krishtlindjen e fundit të bllokut të katërt të centralit atomik “Kozloduj”, i cili u mbyll në fillim të vitit 2007. Fotografia e tretë na çon në sinagogën e Sofjes, në atë të katërt shihet një fëmijë nga një jetimore.
Ekspozita u tregua për herë të parë gjatë vitit 2008 në Romë, pastaj në Berlin, Lubjanë, Paris, Bratislavë, Madrid dhe Budapest. Pas Sofjes, itinerari i saj nëpër kryeqytetet e vendeve të BE-së vazhdon. Ja se çfarë tregoi ambasadori i Italisë tek ne, Stefano Benazzo:
© Foto: Veneta Pavlova
“Ekspozita u planifikua gjatë vitit 2007, me rast të përvjetorit të 50 të nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës – me to u krijua Bashkësia Ekonomike Evropiane dhe Bashkësia Evropiane e Energjisë Atomike. Ekspozita tashmë vizitoi tetë kryeqytete evropiane. Unë krenohem shumë se Sofja nuk është kryeqyteti i 27-të i radhës, siç është radha e anëtarësimit të vendeve në BE, por është ndër pikëndalimet e para në turneun e ekspozitës. Kjo nuk është e rastit, e bëmë si një shenjë respekti ndaj Bullgarisë. Kjo është një mbështetje suplementare dhe një inkurajim për këtë që bën Bullgaria në Evropë, që të zini vendin tuaj të denjë në Evropë.”
Ekspozita në Sofje zhvillohet nën patronazhin e kryetares së bashkisë Jordanka Fandëkova dhe ambasadorit Stefano Benazzo. Siç theksoi ai, bashkëpunimi me bashkinë e Sofjes do të vazhdojë edhe në punën e përbashkët në lidhje me kandidaturën e Sofjes për kryeqytet evropian të kulturës gjatë vitit 2019. Ja se çfarë tha për ekspozitën Svetlana Lomeva, drejtore ekzekutive e Asociacionit për Zhvillim të Sofjes:
“Në procesin e punës kuptuam se ekspozita vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Sofjen, kur ajo përgatitet për kandidaturën për kryeqytet evropian të kulturës. Dy janë drejtimet tematike, me të cilat qyteti mund të prezantojë kandidaturë për kryeqytet të kulturës. Drejtimi i parë është “Qyteti i qytetarëve”, kurse ai i dytë – “Përmasat evropiane”. Për sa i përket temës së parë, bashkia e Sofjes kishte shumë nisma gjatë vitit të fundit, me të cilat të tërheqë kryeqytetasit në përgatitjen e projekteve për kandidaturën dhe në zbatimin e disa veprimtarive.”
© Foto: Veneta Pavlova
Sipas zonjës Lomeva kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për temën e dytë – përmasat evropiane të projekteve, me të cilat Sofja do të shtrojë kandidaturën e saj në fund të vitit tjetër. Duke treguar historinë e kontinentit në fotografi, ekspozita zbulon shumëllojshmërinë e qyteteve evropiane dhe kontributin e Sofjes për këtë shumëllojshmëri.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..
Në sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në Sofje, fillon edicioni i 38-të i “Kinomania”. Festivali i filmit hapet më 13 nëntor me premierën e filmit “Tufa”. Pas sukseseve të tij në mbarë botën dhe datave të premierës plotësisht të shitura në..
Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” do të mbahet në Sofje nga data 8 deri më 15 nëntor. Forumi realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Filmit, Bashkisë së Kryeqytetit, Ambasadës së Ukrainës dhe Derzhkino të Ukrainës. Këtë vit,..