Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Manastiri Kremikovski “Shën Gjergji Fitimprurësi”

Kisha e re “Qefini i Shën Hyjlindëses” dhe dhe Manastiri i vjetër “Shën Gjergji Fitimprurësi”
Foto: Valentina Sharlanova

Manastiri “Shën Gjergji Fitimprurësi” ndodhet nja 24 kilometra në verilindje të Sofjes. Ai shtrihet në gjinjtë jugore të malit Stara Pllanina në mesë të natyrës së bukur. Godinat e tij të bardha ngrihen lartë në bjeshkët mbi lagjen Kremikovci. Gjatë Mesjetës manastiri ishte një nga 14 shenjtëroret, që formuan kompleksin e “Malit të Shenjtë të Sofjes”.

Një legjendë tregon, se manastiri u ndërtua nga njeri nga mbretërit e fundit bullgar – Ivan Aleksandër, gjatë shekullit XIV, në kohën e Mbretërisë së Dytë Bullgare. Ai u shkatërrua nga agresorët turq, ndoshta pasi ata pushtuan kështjellën e afërt. Manastiri u rindërtua pas nja 100 vitesh, gjatë vitit 1497 nga pasaniku Radivoj nga Sofja. Ky ishte manastiri i dytë i rimëkëmbur nga “Mali i Shenjtë i Sofjes”, pas atij në lagjen Dragalevci. Nismën e përkrahu edhe mitropoliti i Sofjes Joan Kalеvit, i cili në vitin 1493 bekoi kishën e manastirit “Shën Gjergji Fitimprurësi”, që u rindërtua në vendin e shenjtërores së vjetër të shkatërruar. Që atëherë e deri më sot në këtë vend të shenjtë jeta shpirtërore nuk pushon.

Godina më e vjetër e kompleksit të manastirit është kisha “Shën Gjergji”, ndërtuar me gurë dhe tulla. Drita depërton në të përmes tri dritareve të ngushta. Padyshim ndër të gjitha afresket e mureve një vlerë më të madhe artistike ka portreti i dhuruesve. Mbishkrimi mbi të njofton, se gjatë vitit 1493 pasaniku vendor Radivoj rindërtoi dhe pikturoi me mjete të veta kishën e vjetër kushtuar Shën Gjergji Fitimprurësit. Këtë ai e bëri në kujtim të fëmijëve të ndjerë Todor dhe Dragana. Supozohet, se fëmijët vdiqën si rezultat i epidemisë së murtajës në rajonin e qytetit Sofje. Prandaj në portretin e dhuruesve fëmijët janë të rikrijuar me krahë të kryqëzuar. Sipas legjendave të tjera fëmijët iu ngjitën një sëmundje të rëndë duke u kthyer nga Varri i Zotit, ku familja ishte për Pelegrinazh. Gjatë restaurimit të kishës në vitin 1987 në hyrjen e saj u zbuluan 4 varre fëmijësh në moshë nga 3 deri në 9 vjet. Ndoshta dy prej këtyre varreve janë të fëmijëve të pasanikut Radivoj. Në portretin e dhuruesve shihen edhe gruaja e pasanikut – Teodora dhe mitropoliti i Sofjes Kalevit.

© Foto: wikipedia.org

Afro katër dekada me radhë në manastirin Kremikovski ruheshin lipsanet e mbrojtësit të fesë së Krishtere Gjergji Novi Sofijski, i cili vdiq në emër të Krishtit më 10 shkurt të vitit 1515. Më vonë ky martir bullgar u kanonizua shenjtor. Sipas një legjende të vjetër, lipsanet u zbuluan nga një bariu në prushin e zjarrit, në të cilin Gjergji u ndez. Mbi këtë grumbull prushi ndriçonte një yll. Bariu e mori lipsanet me vete dhe i ruajti pothuajse 30 vjet. Një natë ai ëndërroi Shën Gjergjin, i cili kërkoi prej tij të sjell lipsanet në Manastirin Kremikovski. Që në shekullin XVIII eshtrat e shenjta u zbukuruan me flori dhe argjend dhe u vunë në një kuti. Më vonë lipsanet e shenjta u vunë në një peshtaf special prej argjendi. Kapaku i sipërm ishte i tejdukshëm, që të shihen. Pikërisht ato lipsane të shenjta ishin shkaku, për të cilin të gjithë e konsideruan këtë manastir, se është një vend i shenjtë. Këtu për shërim dhe për pelegrinazh vinin besimtarë nga të gjitha këndet e vendit. Në vitin 1952, gjatë viteve të para të pushtetit komunist, murgeshat e dëbuara nga Manastiri Kremikovski morën me vete lipsanet dhe e çuan në Manastirin Dragalevski, ku ruhen edhe më sot.

Manastiri Kremikovski luante rol të rëndësishëm edhe në jetën letrare dhe arsimore të këtyre viseve edhe gjatë Kohës së Rilindjes Bullgare. Në të përgatiteshin letrarë dhe iluministë, bëheshin kopje të librave të shenjta. Me një vlerë më të madhe është Ungjilli i Katër Apostujve, me emrin Ungjilli Kremikovski. Ky është një dorëshkrim i çmueshëm nga viti 1497, i cili vazhdon traditën letrare të patrikut Evtimij Tërnovski. Sot ky Ungjill ruhet në Muzeun Kishtar Historik Arkeologjik në Sofje. Ai përmban 307 faqe të shkruara me germa të mëdha dhe të bukura, me zbukurime të shumta. Vite të tëra me radhë ky libër i shenjtë ishte ungjilli, i cili shfrytëzohej gjatë liturgjive të ndryshme fetare. Gjatë shekullit XVI librin e mbuluan me një kopertinë të argjend, zbukuruar me flori. Në bibliotekën e shenjtërores ruhej edhe Ungjilli i të Atit Joan Kratovski nga viti 1579. Ky libër është punuar me ornamente dhe ojna të pasura të ngjyrosura me flori. Një send unik kishtar në manastir ishte shandani guror nga shekulli XV në formën e kolonës. Ai ishte vepër e mjeshtrit Vuço, për të cilin supozohet se kishte lidhje farefisnore me pasanikun – dhurues të manastirit. Në mesë të shandanit kishte një mbishkrim me datën e punimit dhe me emrin e porositësit.

Manastiri Kremikovski, si edhe vatrat e tjera të shenjta në Bullgari, luante rol të rëndësishëm në luftërat nacional-çlirimtare të popullit bullgar. Një pllakë përkujtimore pranë portës së hyrjes kujton, se gjatë muajit qershor të vitit 1876, pas shpartallimit të çetës së Hristo Botevit, në një nga qelitë gjeti strehim flamurtari i dytë i çetës – Dimitër Stefanov – Kazaka. Turqit zbuluan, se në manastir fshihet një kaçak dhe kërkuan, që ai të dorëzohet. Mirëpo, igumeni i atëhershëm i manastirit – haxhi Avksentij, fshehu kaçakun në zgavrën e një peme të madhe në pyll. Pas disa ditësh turqit e zbuluan dhe e vranë. Në vendin e vdekjes në vitin 1912 u ndërtua një lapidare, e cila më vonë u shpall monument i kulturës.

Pas Çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha turke në vitin 1878, Manastiri Kremikovski gjithnjë mirëmbahej nga murgjit, që jetuan në të. Në të kaluarën manastiri ishte i burrave. Mirëpo, në vitin 1879 në këtë shenjtërore erdhën murgeshat refugjate nga rajonet Mallashevo të Maqedonisë, të cilat kontribuuan për gjallërimin dhe popullarizimin e këtij manastiri. Gjatë vitit 1901 në oborrin e manastirit filloi ndërtimi i një kishe të madhe të re “Qefini i Shën Hyjlindëses”. Ajo u bekua në vitin 1907. Kisha përbën një godinë madhështore me gdhendje të bukura mbi dru dhe me ikona dhe afreske të përsosura.
Deri në vitin 1947 në manastir kishte 32 murgesha, që merreshin me bujqësi dhe blegtori. Në vitet 1952-1953, një regjiment i gardës u vendos në këtë shenjtërore për banim dhe në rajon ushtarët ndërtuan një bunker. Në atë periudhë një pjesë prej ndërtesave u dogjën, kubeja e kishës së re u shkatërrua nga plumba, ndërsa xhamet u thyen. Shumë nga afresket e kishës së vjetër u lyen me gëlqere. Murgeshat u dëbuan dhe disa prej tyre gjetën strehë në Manastirin Dragalevski. Ushtarët mbetën në Manastirin Kremikovski 18 vjet. Më vonë në të u vendosën punëtorë – ndërtues dhe nxënës nga shkollat e zanateve të ndryshme.

Përafërsisht rreth vitit 1970 disa prej murgeshave u kthyen në Manastirin Kremikovski dhe e rivendosën. Shumë dhurues atdhedashës – njerëz të zakonshëm dhe firma, e mirëmbajnë manastirin edhe më sot. Restaurimi i afreskeve mbi mur të kishës së vjetër filloi gjatë vitit 1980 dhe me ndërprerje të vogla vazhdoi deri në vitin 2003. Më 18 janar të vitit 2010 ditën e Shën Antonij të Madhi në Manastirin Kremikovski u bekua një kishë e re e vogël, kushtuar këtij shenjtori.

Sot në kishën e vogël të manastirit “Shën Gjergji Fitimprurësi” shërbime nuk kryhen. Kjo kishë e vjetër e manastirit u shpall monument i kulturës në vitin 1969.
Dita e festës së manastirit bie Ditën e Shën Gjergjit Fitimprurësit më 6 maji. Ditën e Fjetjes së Shën Mërisë – 15 gusht, gjithashtu kremtohet, sepse kisha e madhe e shenjtërores i është kushtuar Nënës së Zotit. Mirëpo këtu vijnë shumë njerëz të zakonshëm dhe besimtar, jo vetëm ditët e festave. Manastiri frekuentohet çdo ditë. Natyra përreth është jashtëzakonisht e bukur dhe prandaj ai është një vend i preferuar për shëtitje në të hapur. Nga oborri i manastirit hapet një pamje tërheqëse drejt Fushës së Sofjes dhe rajoni përreth.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Fotografi: Valentina Sharlanova

По публикацията работи: Valentina Sharlanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Shikoni këto pamje të jashtëzakonshme të kalasë mesjetare të Asara në Rodopet Lindore

Bashkia e Momçillgradit publikoi pamje unike që shkaktuan interes të madh në rrjetet sociale. Videoja e xhiruar nga një dron paraqet një pamje nga lart e kështjellës misterioze mesjetare të Asara, që ndodhet në zonën e fshatit Ralica në malin е Rodopeve...

botuar më 24-01-27 11.50.PD

Manastiri i mbijetuar i shekullit të 17-të "Shën Athanasi i Madh" mbrojti kishën dhe popullin tonë

Një bekim dhe gëzim i madh për të gjithë bullgarët ortodoksë është manastiri “Shën Athanasi” pranë qytetit të Çirpanit. Ai u themelua nga vetë shenjtori në shekullin e IV (v. 344), pranë një kështjelle të vjetër romake, pranë qytetit të atëhershëm të..

botuar më 24-01-18 7.30.PD

Të krishterët ortodoksë në Bullgari festojnë Ditën e Shën Andonit

Sot Kisha Ortodokse Bullgare nderon Osh. Andonin e Madh. Festa njihet si Dita e Andonit. Andoni konsiderohet themeluesi i murgërisë së krishterë. Sipas besimeve popullore, në Ditën e Andonit respektohen një sërë ndalimesh për t'u mbrojtur nga..

botuar më 24-01-17 6.05.PD