Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dialogu midis Sofjes dhe Kievit vazhdon në rrethana të reja

БНР Новини
Foto: EPA/BGNES

Në forumin e nivelit të lartë në Varshavë, kushtuar përvjetorit të 25-të të ndryshimeve demokratike në Evropën Qendrore dhe Lindore, presidenti bullgar Rosen Plevneliev u mor vesh me homologun e tij të porsazgjedhur ukrainas Petro Poroshenko për ta vizituar Ukrainën në të ardhmen e afërt. Vizita është pjesë e një dialogu dypalësh politik, i cili nuk ndalon, megjithë krizën dramatike ukrainase.

Gjatë muajit mars për një vizitë në Kiev ishte ministri bullgar i punëve të jashtme Kristian Vigenin. Atëherë, në takimin me të ngarkuarin me detyrën e presidentit – Aleksandër Turçinov, ministri shprehu kënaqësi për refuzimin e tij për ta nënshkruar vendimin e Radës Supreme të Ukrainës për anulimin e ligjit të politikës gjuhësore shtetërore në vend. Një muaj më herët qeveria bullgare kishte shprehur pakënaqësi për vendimin e pushtetarëve të porsazgjedhur në Ukrainë për ta ndryshuar ligjin e miratuar nga Viktor Janukoviç për themelet e politikës gjuhësore shtetërore. Ai ia jep statusin e gjuhës regjionale jo vetëm rusishtes, por edhe bullgarishtes në rajonet me pakicë prej mbi 10 për qind. Sipas këtij ligji në disa rajone të Besarabisë, ku banojnë grupe kompakte prej bashkësish bullgare – Arciz, Izmail, Bolgrad, gjuha bullgare është miratuar si gjuhë regjionale. Radikalët në Ukrainë madje ngulën këmbë për inkriminimin e përdorimit të gjuhës ruse në vendet publike. Sipas juristëve dhe diplomatëve kjo do të prekë edhe gjuhët e tjera, që janë të ndryshme nga ajo ukrainase.

Tema do të jetë objekt bisedimesh edhe gjatë vizitës së pritur të presidentit bullgar Rosen Plevneliev. Akoma në Varshavë Petro Poroshenko mori angazhimin që pasi hyn në detyrën e presidentit të Ukrainës të merret shumë seriozisht me të drejtat e bullgarëve atje dhe të kërkojë vendime, të bazuara te vlerat dhe standardet evropiane. Shanset për një zhvillim të favorshëm të ngjarjeve janë të mëdha. Poroshenko është lidhur ngushtë me bashkësinë bullgare në Ukrainë, ai e mbaroi fushatën e tij paraelektorale në Bolgrad dhe ka ndjenja të mira ndaj bullgarëve.

Gjatë marsit ministri Kristian Vigenin bisedoi në Kiev me të ngarkuarin me detyrën e presidentit, kurse tani bashkëfolësi i presidentit Rosen Plevneliev do të jetë një president në veprim, ndaj të cilit ai ka një respekt të madh dhe tek i cili mbarë bota shpreson që ta normalizojë situatën në vend.

Vizita e presidentit Rosen Plevneliev në Ukrainë do të jetë në një moment, kur këmbimi tregtar i Bullgarisë me këtë vend është kufizuar me 50-70 për qind për shkak të krizës dhe kjo ka kufizuar në mënyrë të konsiderueshme edhe eksportin e përbashkët.

Ukraina është një prej partnerëve kryesorë tregtarë të Bullgarisë dhe ky është një problem i madh, i cili pa dyshim do të përfshihet në programin e vizitës së presidentit. Atje do të jetë e pranishme edhe çështja delikate për furnizimin e gazit rus për Bullgarinë përmes territorit ukrainas. Rendi i ditës i vizitës do të saktësohet së shpejti, por që tani ka pritje shumë të mëdha.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Калин Джорджеску

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kalin Xhorxhesku mbetet favoriti për vendin e presidentit në Rumani Kalin Xhorxhesku, i cili fitoi raundin e parë të anuluar të zgjedhjeve presidenciale në nëntor 2024 si një kandidat i pavarur, mbetet favorit për postin me 45% mbështetje..

botuar më 25-02-22 9.30.PD
Rumen Radev

Agjencia “Mjara”: Besimin më të madh tek votuesit e ka presidenti Rumen Radev

Në mesin e personaliteteve nga spektri politik në vendin tonë, besimin më të madh nga votuesit e gëzon presidenti Rumen Radev - 46,7%, i ndjekur nga kryeministri Rosen Zheljazkov (18,9%), lideri i partisë më të përfaqësuar në parlament, GERB,..

botuar më 25-02-21 5.34.MD

GERB: Politika e SHBA përbën një rrezik për ekonominë bullgare

Udhëheqësi i GERB-it, Bojko Borisov, u tha gazetarëve se ai mbështet qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Ukrainë, por këmbëngul që Bullgaria të mbetet besnike ndaj partnerëve të saj evropianë. Sipas tij, politika e..

botuar më 25-02-21 3.56.MD