Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Viti 1989 – Ndryshimi

БНР Новини
Petër Mlladenovi njofton dorëheqjen e Todor Zhivkovit
Foto: arkiv

10 nëntori i vitit 1989 ishte një datë nga kalendari, e cila për bullgarët e zakonshëm filloi si të gjitha ditët e mëparshme. Në orën 18 fiks, kur nëpërmjet Radios Kombëtare Bullgare iu shprehën falënderime zotit Todor Zhivkov dhe u njoftua, se Petër Mlladenovi do të zërë postin e sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare, data 10 nëntori fitoi një rëndësi krejt të ndryshme.

“Shokë dhe shoqe, ju falënderoj sinqerisht për besimin e jashtëzakonshëm duke më zgjedhur sekretar të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë. E kam të qartë sa të mëdha janë detyrimet dhe përgjegjësitë, të cilat më caktoni dhe dëshiroj t’ju siguroj, se nuk do të kursej forcë që të justifikoj këtë besim. Më lejoni që në emër të Komitetit Qendror të Byrosë Politike dhe personalisht në emrin tim t’i shpreh falënderimet shokut Todor Zhivkov për punën e tij shumëvjeçare dhe besnike në emër të partisë dhe të revolucionit. Dihen sa të mëdha janë meritat e tij gjatë viteve të rezistencës dhe të luftës antifashiste. Pas fitores, më se tri dekada me radhë si udhëheqësi i parë i partisë, ai zhvilloi një veprimtari të gjerë për nga përmasat për realizimin e ndryshimeve socialiste në vend. Për të gjitha këto, duke përcjellë shokun Zhivkov në një pushim të merituar, ne i falënderojmë nga gjithë zemra dhe i urojmë shëndet të plotë dhe aktivitet krijues.”

Nga plenumi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare u bë e qartë, se në Bullgari fillonte një epokë krejt e ndryshme. Megjithë perden e informacionit, që ekzistonte, shumica prej bullgarëve kishin mësuar, se ditën e mëparshme më 9 nëntor sekretari i informacionit të Partisë Unike Socialiste Gjermane Gjunter Shabovski shpalli padashje ndryshimet, që lehtësoheshin gjermano-lindorët të marrin pasaporta dhe të udhëtojnë lirisht jashtë Republikës Demokratike të Gjermanisë. Kështu pa dashje Shabovski hapi kufijtë e Gjermanisë. Si rezultat mijëra njerëz bënë hapa të dalin nga vendi. Mirëpo, organet kufitare nuk ishin gati për një zhvillim aq të shpejtë të ngjarjeve. Po atë ditë pas shpalljes së këtij vendimi të Partisë shumë banorë të Berlinit Lindor vendosën të kalojnë në Berlinin Perëndimor duke kapërcyer Murin e Berlinit. Me këtë kalim filloi rrëzimi i këtij muri simbol i Luftës së Ftohtë.

Pas fillimit të ndryshimeve demokratike dhe refuzimi i Mihaill Gorbaçovit të përkrahë ekonomitë e shteteve të Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke, vet Todor Zhivkovi jo një herë deklaronte, se sistemi i deritanishëm socialist nuk arrin t’u përgjigj nevojave të shoqërisë së ndryshuar: “Ne kemi punë me një shoqëri të pazhvilluar”. “Socializmi është një fëmijë e pazhvilluar.” Kështu ai bëri një anonsë për një fillim të ri demokratik në drejtimin e shtetit dhe për vendosjen e rregullave të reja ekonomike.

Shpërbërja e sistemit socialist tashmë ishte fakt dhe zhvillohej me ritme të paparashikuara. Që në tetor gjermano-lindorët pushtuan ambasadat e Republikës Federative të Gjermanisë në Hungari, Çekosllovaki dhe Poloni me kërkesë të pranohen në Gjermaninë Perëndimore. Pikërisht atëherë Austria hapi kufirin e saj. Më 18 tetor të vitit 1989 në Berlin, në një plenum të Partisë Unike Socialiste Gjermane sekretari i përgjithshëm Erih Honeker dha dorëheqje.

Qëndrimi i Gorbaçovit ishte, se kjo duhej të ndodhte shumë më përpara. Me porosi të Gorbaçovit ambasadori i atëhershëm sovjetik në Bullgari Viktor Sharapov kërkoi takim me Todor Zhivkovin. Kjo e shqetësoi Zhivkovin. Para përfaqësuesit sovjetik ai rrëfeu, se prej kohe mendon për dorëheqjen. Dhjetë ditë më vonë Sharapovi prapë kërkoi takim me të. Në të ai i tha Zhivkovit, po citojmë: “Udhëheqja sovjetike më kuptim sillet ndaj vendimit tuaj të jepni dorëheqje. Ajo më porositi t’ju them se vendimi juaj është tepër i urtë.” Kështu që vendimi nuk ishte i Zhivkovit, por i Kremlinit.

Duke mësuar për dorëheqjen e pranuar të Todor Zhivkovit, lëvizjet jo formale, që ekzistonin atëherë në Bullgari, organizuan mitingun e parë më 18 nëntor të vitit 1989. Në të morën pjesë persona të njohura, të cilët më vonë ishin ndër themeluesit e Bashkimit të Forcave Demokratike. Ndër ta ishin njerëz si Zhelju Zhelev, Petër Beron, Bllaga Dimitrova e shumë, shumë të tjerë. Në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare ruhet një incizim nga ky miting. Ju ofrojmë diskutimin e poeteshës Bllaga Dimitrova para të pranishmëve:

“Motra dhe vëllezër, gëzuar Pashkët e Reja Bullgare! Urime! Tri dekada nga jeta e atdheut kaluan në një jetë robërie. Dikur Bullgaria njihej në botë me emrin Vendi i Trëndafilave. Monopoli i autokracisë e shndërroi në një vend të sklerozës. Në çfarë e shndërruan jetën tonë vasalët e privilegjuar? Në një mërzi gri, në një punë të pakënaqshme, në një heshtje, në një frikë, në një apati. Punëtori i keq zinte vendin e punëtorit të aftë; servili e persekutonte të ndershmin që ta përlyente; injoranti organizonte injorantët, që ta shuanin zërin e arsyes dhe talentit. Asnjeri nuk është në vendin e duhur, me përjashtime të vogla.”

Shkrimtari satirik Radoi Ralin gjithashtu ishte ndër pjesëmarrësit e mitingut. Para të pranishmëve ai tha:

“Bashkatdhetarë të shumëvuajtur, tre breza të parealizuara, të gjithë ne jetuam nën trysninë e plutokracisë. Shikoj një parullë “Vdekja e borgjezisë së kuqe”. Kjo nuk ishte një borgjezi e kuqe, sepse borgjezia u bë një klasë me punë dhe me prodhim; sepse borgjezia nuk fitonte nga pushteti; por pushteti i deritanishëm fitonte nga tatimet, që merrte nga ne. Plutokracia e kuqe ishte pushteti i të pasuruarve nga pushteti. Kjo pakicë prej parazitësh, e cila nuk e respektonte njeriun, deshi të mbetet në pushtet deri në fund të jetës. Të gjithë ju e keni të qartë këtë. Le të shpresojmë, se 10 nëntori do të jetë Çlirimi i Dytë i Bullgarisë. Le të shpresojmë, se kjo ditë nuk do të mbetet vetëm një datë, në të cilën kemi shprehur vetëm dëshirat tona romantike.”

Në mitingun e 18 nëntorit morën pjesë më se 150 mijë veta, të cilët insistuan për ndryshime ligjore dhe për heqjen e nenit të parë të Kushtetutës, i cili caktonte pushtetin absolut të Partisë Komuniste Bullgare. Kishte mundësi, që kjo të ndodhte më 14 dhjetor të vitit 1989, por Partia Komuniste Bullgare nuk e bëri, duke arsyetuar këtë me mungesën e kohës së mjaftueshme dhe të përgatitjes së mirë. Më 15 janar të vitit 1990 neni i parë u hoq dhe u ndërmorën reformat e para ekonomike. Megjithëkëtë pranohet se data 10 nëntori i vitit 1989 është fillimi i tranzicionit të vendit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

1987: Fillojnë protestat shoqërore kundër helmimit me gaz të qytetit Ruse

Më 23 shtator të vitit 1987 para Monumentit të Lirisë në Ruse zhvillohet ceremonia e lidhjes së shamive të kuqe pionierëve. Në të njëjtën kohë nga qyteti rumun Gjurgevo në drejtim të qytetit Ruse për herë të radhës lëvizej një re me erën mbytëse të..

botuar më 15-06-06 3.10.MD

Viti 1986 – Si kalon koha e hareshme e fëmijërisë

Viti ishte 1986. Pas një periudhe trevjeçare të xhirimit dhe pas shumë peripecive Televizioni Kombëtar Bullgar filloi të shfaqë filmin me seri “Vasko da Gama nga fshati Rupça. Regjisori Dimitrë Petrov lavdërohej si një mjeshtër i madh në punën me..

botuar më 15-05-30 12.15.MD

Viti 1985 – U inaugurua monumenti i Bashkimit në qytetin Pllovdiv

Viti 1885 u kurorëzua me një nga ngjarjet më të shënuara në historinë bullgare – Bashkimin e Bullgarisë Veriore me të Jugore. Ky akt u bë i mundshëm 7 vjet pas Çlirimit të vendit nga zgjedha turke. Më 3 mars të vitit 1878 me nënshkrimin e Traktatit..

botuar më 15-05-23 1.15.MD