Nuk ka shtet në botë, me disa përjashtime, i cili të mos ketë borxh publik. Borxhet më të mëdha në botë i kanë shtetet më të fuqishme në drejtim ekonomik – SHBA për shembull. Mirëpo, kjo nuk i shqetëson as autoritetet në Uashington, as bankat, as kompanitë financiare dhe investuese, të cilat konkurrojnë të blejnë letra shtetërore amerikane me vlerë. Të gjithë investojnë në ekonominë amerikane për shkakun e thjeshtë se e dinë shumë mirë se sa e fuqishme është ajo dhe nuk mund të përfytyrojnë se një ditë Shtetet e Bashkuara do të deklarojnë se nuk mund t’i paguajnë borxhet e tyre dhe do të falimentojnë. Në të njëjtën kohë situata në Greqi është krejt e ndryshme. Borxhi i vendit fqinj është 160 për qind e PBB-së dhe pothuaj nuk ka shanse të paguhet në të ardhmen e afërt.
Borxhi publik shtetëror është një nocion ekonomik, të cilin shumë njerëz nuk e kuptojnë. Mirëpo, specialistët janë në dijeni të kuptimit të tij.
Sa janë borxhet e Bullgarisë dhe çfarë do të thotë e gjithë kjo? Aktualisht ato kapin shumën prej 13.7 mlrd eurosh dhe vitin e kaluar janë rritur shumë, me mbi 2 mlrd euro. Më shumë mjete, pothuaj tërë sasia e borxhit të ri, janë harxhuar për dëmshpërblimin e depozituesve në bankën e katërt për nga madhësia në vend – Bankën Korporative Tregtare, e cila falimentoi për shkaqe politike dhe ekonomike. Mjaftë para u investuan në ndërtimin e disa segmenteve të veçanta të magjistraleve të papërfunduara. Sektori social, megjithë pagat e ulëta dhe pensionet poshtëruese, nuk mund të shijojë tortën financiare dhe në fund të fundit del se Bullgaria në vend që të ketë deficit në buxhet, ka tepricë. Nuk është e rastit se një prej firmave më të autoritetshme konsultuese në botë COFACE rriti vlerësimin e saj për Bullgarinë, duke u thënë shprehimisht atyre, që dëshirojnë të blejnë letra me vlerë të vendit, se risku është i pranueshëm. Kjo edhe një herë e ripohon faktin se ndër vendet evropiane Bullgaria radhitet për nga borxhet ndaj PBB-së në vend të tretë pas Estonisë, e cila nuk është ndër vendet më të pasura, dhe pas Luksemburgut, i cili është ndër vendet më të pasura. Raporti borxh/PBB në Bullgari është 28.7 për qind. Kjo është një arritje shumë e mirë dhe një prej stimujve para kandidatëve eventualë për blerjen e letrave shtetërore me vlerë. Mirëpo, këtu duhet shënuar se sivjet ligji ndalon marrjen e huave të reja nga jashtë. Nevojat janë kaq të vogla, se në rast domosdoshmërie, obligacionet e shtetit do t’u shiten vetëm investitorëve vendas. Është e dukshme lidhja me rezervën e grumbulluar fiskale prej 6.5 mlrd eurosh dhe me tepricën buxhetore për vitin 2016 prej 750 mln eurosh.
Mirëpo, ka diçka, që duhet shënuar sa i përket buxhetit dhe borxheve të shtetit. Priten zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare gjatë pranverës. Studimet sociologjike paraprake tregojnë barazi të përafërt në parapëlqimet ndaj forcave kryesore politike – Partisë së majtë Socialiste Bullgare dhe partisë së qendrës së djathtë GERB. Në qoftë se socialistët e marrin pushtetin, duke e zëvendësuar GERB-in, nuk do të befasohemi, po të shpallen më shumë masa sociale dhe më pak kufizime në harxhimin e parave shtetërore. Sigurisht që kjo do të ndikojë edhe mbi borxhet tona të brendshme dhe të jashtme, edhe mbi rezervën fiskale, edhe mbi tepricën buxhetore. Sidoqoftë, të gjithë ekspertët dhe vëzhguesit parashikojnë ngadalësim të rritjes së PBB-së këtë vit. Çfarë do të ndodhë praktikisht, ende nuk dihet, por gjithmonë ka nevojë për maturi dhe kujdes, sidomos në situatën e tanishme.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari “ngriu” në nivelet e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cituara nga BTA, përjashtim bëjnë qytetet e mëdha, ku ka një rritje të numrit të transaksioneve...
1454 leva (738 euro) në muaj i nevojiten një personi që punon për të mbajtur veten dhe për të jetuar sipas standardeve bullgare. Për një familje prej tre anëtarësh me dy të rritur dhe një fëmijë, shuma është 2616 leva (1329 euro), sipas Institutit për..
Pas zgjedhjeve të 27 tetorit, deri në fund të muajit, qeveria e përkohshme duhet të paraqesë në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2025. Sipas disa analistëve ekonomikë në vendin tonë, gjendja e planit buxhetor të shtetit për vitin 2024 ka qenë më e keqja..