Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Covid-19 në Bullgari: Dita 89

Foto: BTA

Nuk do të ketë brifingje për koronavirusin. Shtabi Operativ Kombëtar e vazhdon punën e vet deri në fund të vitit

Ditën e 100 të punës së vet Shtabi Operativ Kombëtar ndërpreu konferencat e përditshme për shtyp me vendim të Kryeministrit Bojko Borisov. Këtej e tutje informacioni për të infektuarit me koronavirus do të publikohet online.

Të dhënat e përgjithësuara:

193 732 teste për Covid-19 u realizuan që nga fillimi i epidemisë në vend, 85 435 prej të cilave PCR. Këtë e tha kryetari i Shtabit Operativ Kombëtar gjeneral Vencisllav Mutafçijski duke përgjithësuar të dhënat për epideminë e koronavirusit në Bullgari ditën e 100-të të punës së shtabit. Të sëmurët me koronavirus u mjekuan në 77 spitale në vend. Nga të gjitha 2585 rastet e konfirmuara të koronavirusit në spital u mjekuan 1317 veta, 156 prej të cilëve në repartet intensive. Nga të infektuarit gratë janë 1325, burrat – 1260, ndërsa fëmijët 145. Në sistemin shëndetësor të infektuarit janë 281 prej të cilëve 270 punonjës mjekësorë, të tjerët shoferë dhe personel administrativ. Sipas sistemit kombëtar informativ të vdekurit janë 149, ndërsa sipas të dhënave të shtabit – 147. Mospërputhja e të dhënave do të saktësohet. U shëruan 1322 veta. Sëmundjet më të shpeshta shoqëruese për shkak të të cilave virusi ishte fatal janë: diabet, sëmundje kronike të zemrës dhe të mushkërive.

Kryeministri i falënderoi të gjithë bullgarët për përpjekjet dhe disiplinën e tyre

Ditën e 100-të të krijimit të Shtabit Operativ Kombëtar për luftimin e koronavirusit kryeministri Bojko Borisov i falënderoi të gjithë bullgarët për përpjekjet dhe disiplinën gjatë kësaj periudhe. “Bëmë më të mirën në kohën e një pandemie shumë të rëndë” përgjithësoi ai. Sipas tij masat më të buta, më me kohë dhe me më pak kufizime për një periudhë më të shkurtër me rezultate të mira ishin ato në Bullgari. Ai tha se heqja e masave pas 15 qershorit është vendim i tij personal politik.

Më se gjysma e njerëzve të diagnostikuar me Covid-19 në Bullgari u shëruan

Rastet e reja të Covid-19 të regjistruara në Bullgari brenda 24 orëve të fundi janë 25 nga 1174 testet PCR që u realizuan. Rritja është me 1 për qind. 8 prej të sëmurëve janë në Sofje, në Pazarxhik – 7, në Jamboll – 3, në Sliven – 2, në Razgrad – 2, në Vidin, Pllovdiv, Ruse nga 1. Këtë e njoftoi Shtabi Operativ Kombëtar në brifingun mëngjesor më 4 qershor. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit është 2585. Rastet aktive janë 1116. Në spital janë 141 veta nga të cilët 8 janë në repartet intensive. 270 janë të infektuarit nga personeli mjekësor. Gjatë 24 orëve të fundit vdiq një njeri diagnostikuar me koronavirus dhe kështu numri i përgjithshëm i të vdekurve është 147. Të shëruarit brenda 24 orëve të fundit janë 116 dhe me ta numri i përgjithshëm i të shëruarve arriti 1322 veta ose 51 për qind.

“Bulgaria Air” rimëkëmb fluturimet

“Bulgaria Air” rimëkëmb plotësisht fluturimet e veta të brendshme deri në Varna. Që nga 29 qershori përsëri do të ketë fluturim ditor deri në Burgas. Gjatë kohës së izolimit dhe distancimit social kishte vetëm nga 1 fluturim deri në Varna, ndërsa nga 11 qershori ato bëhen 3. Aviokompania do të ketë përsëri fluturime deri në Romë dhe Milano. Nga 9 qershori rimëkëmben fluturimet deri në Qipro. “Bulgaria Air” është në pritje të vendimit se kur do të rimëkëmben fluturimet deri në Rusi dhe Izrael, tha drejtori Hristo Todorov.Gjatë pandemisë aviokompania ishte e detyruar për ta kufizuar veprimtarinë e vet. Ajo e përballonte krizën me rezerva të veta dhe pa ndihmë shtetërore, nënvizoi Todorov.

Ulet rreziku nga tensioni social në Bullgari

Bullgaria është në vend të 46 në klasifikimin ndërkombëtar për shkallën e rrezikut nga tensioni social në 102 shtete nga mbarë bota. Allianz Social Risk Index llogaritet nga Euler Hermеs sipas 12 parametrave. Megjithëse Bullgaria është në gjysmën e lartë të klasifikimit dhe rritet me tri vende në krahasim me edicionin e mëparshëm nga viti 2015 ajo është prapa vendeve nga Evropa Qendrore. Vendet fqinje Greqia dhe Serbia janë përkatësisht në vend të 36 dhe 42. Në zonën e riskut të konsiderueshëm janë Rumania dhe Turqia, përkatësisht në vend të 55 dhe 87. Klasifikimi është bërë, që të konstatojë riskun nga protestat dhe tensioni kundër qeverive në kontekstin e pandemisë së Covid-19, e cila çoi në recesionin më të madh pas vitit 1945.

Spitalet në bregdetin bullgar kanë gatishmëri të kujdesen për të sëmurët nga Covid-19

Qendrat shëndetësore në bregdet janë gati të pranojnë pacientë me Covid-19. Hotelet janë të detyruara t’u sigurojnë informacion turistëve për qendrat më të afërta shëndetësore dhe për shërbimet e ofruara prej tyre. Turistët nga BE-ja me Kartelë Shëndetësore Evropiane do të kenë më pak peripeci. Të huajit me qëndrim të shkurtër ose afatgjatë në Bullgari, ose ata që kalojnë transit, duhet të kenë sigurim i cili të mbulojë shpenzimet për mjekim dhe qëndrim në spital për kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në vend. Për ta janë në fuqi çmimet e caktuara në qendrat përkatëse shëndetësore.

Turizmi shëndetësor mund të zgjatë sezonin veror në Bullgari

Pas epidemisë më e prekur është dega turistike. Për të përballuar problemet financiare disa nga hotelet SPA dhe uelnes në Nesebër dhe Sllënçev Brjag po përgatiten të pranojnë turistë edhe pas përfundimit të stinës verore. Në Sllënçev Brjag planifikojnë edhe zhvillimin e turizmit sportiv.

Chatbot platforma "COME TO BULGARIA" do të ndihmojë turistët të gjejnë informacion

Chatbot platforma e re "COME TO BULGARIA" do të informojë turistët për mundësitë për pushime të sigurta në Bullgari në kushtet e Covid-19, do të sigurojë informacion për qytetet, fenomenet kulturore dhe historike. Krahas komunikimit me shkrim intelekti artificial do të pranojë edhe pyetje me zë në bullgarisht dhe anglisht. Kompania do t’u sigurojë këtë shërbim falas turistëve, firmave, institucioneve.

Të gjithë që mbërrijnë nga Maqedonia e Veriut duhet të vendosen në karantinë 14 ditore

Ministri i Shëndetësisë dha urdhër, me të cilin vendos karantinë 14 ditore për personat që mbërrijnë në Bullgari nga Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, ky urdhër anulon karantinën 14 ditore për shtetasit që mbërrijnë nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Mali i Zi. Dy ndryshimet janë propozuar nga kryeinspektori shtetëror i shëndetësisë pas vlerësimit të situatës epidemiologjike dhe rrezikut nga përhapja e Covid-19.


Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.

Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.


Përpiloi: Diana Cankova dhe ekipi “Lajme”




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Presidenti nisi takimet me kryeministrat e mundshëm në detyrë

Presidenti Rumen Radev nisi konsultimet me kandidatët për ushtrues detyre të kryeministrit. Sipas ndryshimeve kushtetuese nga fundi i vitit 2023, kreu i shtetit mund të zgjedhë kryeministrin në detyrë nga një listë e kufizuar prej 10 kandidatësh. Bëhet..

botuar më 24-03-28 3.58.MD

ITN ktheu mandatin e tretë të paplotësuar për të formuar një qeveri menjëherë pas dorëzimit të tij

“Ka një popull të tillë” (ITN) falënderoi Presidentin Rumen Radev për besimin dhe ia ktheu mandatin e tretë për të formuar qeverinë. Dosja është kthyer bosh nga nënkryetari i grupit parlamentar të ITN-së Ivajllo Vëllçev me fjalët “Na vjen mirë që kësaj..

botuar më 24-03-28 12.10.MD

Mbledhja e veçantë e mbeturinave në Bullgari ende nuk është në nivelin e kërkuar

Në lidhje me miratimin e ardhshëm të Rregullores për paketimin dhe mbetjet e ambalazhimit, Shoqata Profesionale “Polimerë” organizon një diskutim për rolin e riciklimit. Sipas Cvetanka Todorova, kryetare e Shoqatës bullgare "Polimerë", grumbullimi..

botuar më 24-03-28 10.36.PD