Radioja Kombëtare Bullgare © 2021 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Covid-19 në Bullgari: Dita e 322

Foto: BNT

Fillon sprovimi i vaksinës bullgare kundër koronavirusit

Krijimi i vaksinës bullgare kundër Covid-19 është në një fazë shumë të avancuar dhe testimi i saj mbi kafshë do të fillojë deri në një javë, tha doc. Andrej Çorbanov nga Instituti i Mikrobiologjisë i Akademisë Bullgare të Shkencave për Radio Varna. Gjithësesi, ai theksoi se autoritetet bullgare nuk shfaqin interes dhe është e mundur që Franca ose Kina të sigurojnë mjete për prodhimin e saj. Imunizimi në vendin tonë është ngadalësuar - vendi ynë është në vendin e fundit për sa i përket numrit të vaksinuarve në Bashkimin Evropian”, komentoi Doc. Andrej Çorbanov

Ai shpjegoi se çdo vend i BE përfundon kontrata individuale me prodhuesit e vaksinave dhe, nëse ofron një çmim të mirë, do të marrë më shumë doza. Sipas imunologut, të mbijetuarit e koronavirusit kanë krijuar imunitet më të mirë sesa sigurojnë vaksinat, prandaj ia vlen të merret parasysh nëse duan të imunizohen.


Të infektuarit rishtas me Covid-19 mbeten 6 për qind

566 raste të reja të koronavirusit u zbuluan në 24 orët e fundit nga 9786 teste të kryera, sipas të dhënave të Portalit të Unifikuar të Informacionit. Gati 6 për qind e mostrave ishin pozitive. Numri më i lartë i të sapo infektuarve është në Sofje - 119, në Plovdiv - 47 dhe në Pazardzhik - 40.

1248 njerëz u shëruan, 58 njerëz vdiqën dhe 2844 pacientë u shtruan në spital - 284 prej tyre në njësitë e kujdesit intensiv.

19 mjekë u infektuan me Covid-19 dhe me ta numri i përgjithshëm u bë 9384. Ditën e fundit u vaksinuan 850 persona, nga të cilët 67 me preparatin e "Moderna". Numri i përgjithshëm i të imunizuarve është 26 101.


Pacientët me sëmundje onkologjike duhet të vaksinohen

Pacientët me kancer duhet të imunizohen gjithashtu kundër koronavirusit, tha për bTV Dr. Zheljazko Arabaxhiev, shef i departamentit të onkologjisë mjekësore në Axhëbadem City Klinikë të Spitalit Tokuda. Sipas tij, është e vështirë të thuhet se cila vaksinë rekomandohet, por tani për tani ekziston një preferencë ndaj dy vaksinave në dispozicion në vendin tonë. “Pacientët me kancer, veçanërisht ata që i nënshtrohen terapisë antikancerit, janë me imunitetin e dobësuar, kështu që vaksinat e ARN janë më të përshtatshme për ta, pasi ato nuk përmbajnë pjesë të gjalla të virusit”, shpjegoi ai.

Për njerëzit me sëmundje autoimune, imunizimi rekomandohet kur pacientët marrin imunoterapi, sepse nuk pritet ndonjë efikasitet më i ulët.


Mendohet  lehtësimi gradual i masave antiepidemike

“Ne propozojmë një lehtësim gradual të masave sipas sektorëve - tani ne do të lehtësojmë ato në “Kulturë” dhe në “Sporte” dhe pastaj do të vëzhgojmë se cila do të jetë tendenca”, tha në qytetin Varna Ministri i Shëndetësisë Prof. Kostadin Angellov. Ai shtoi se situata do të monitorohet për 14 ditët e ardhshme para se të ndërmerret hapi tjetër.

Të paktën 30 për qind e mësuesve dhe stafit jo pedagogjik, si dhe banorë të shtëpive të të moshuarve, janë gati të vaksinohen kundër Covdi-19, tha ministri. Sipas tij, faza e parë e imunizimit në rajonin verilindor do të përfundojë deri në fund të muajit dhe faza e dytë do të fillojë në fillim të shkurtit. Vaksinat e nevojshme janë në dispozicion në frigoriferë, siguroi ai. Ministri gjithashtu tha se edhe nëse sasitë e dozave që mbërrijnë në vendin tonë zvogëlohen, ne do të marrim vaksinat e domosdoshme për gati 2 milion njerëz, sasi kjo e cila është e mjaftueshme për vendin tonë.

Prof. Kostadin Angelov konfirmoi tetë rastet e provuara të llojit anglez të koronavirusit në vendin tonë.


Sallat për aktivitete jashtëshkollore do të hapen në shkurt

Nga 4 shkurt, kur fillon kthimi gradual i nxënësve më të moshuar në klasë, sallat për aktivitete jashtëshkollore do të hapin dyert e tyre, njoftoi Kryeministri Bojko Borisov. “Nëse ka një gjë që mund të vihet në peshore me shëndetin, është arsimi, kultura, trajnimi”, tha ai.

Kryeministri gjithashtu tha se ekuilibri me aplikimin e masave antiepidemike është shumë i hollë, prandaj duhet të veprohet me kujdes në lehtësimin e tyre. “Njerëzit nuk mund të fillojnë të vdesin ose të infektuarit të bëhen nga 5-6 mijë në ditë dhe spitalet prapë të mbingarkohen. Atëherë të njëjtët njerëz do të thonë “pse i lehtësuan”, komentoi ai.


Kërkuam ndihmën e 120 shteteve për të organizuar votën parlamentare

Ministria e Punëve të Jashtme vendosi kontakte me më shumë se 120 vende në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 4 prill dhe me mundësinë që bullgarët jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. “Ne do të përballemi me shumë sfida dhe të papritura - çdo ditë diçka është ndryshe, sepse vendet e veçanta vazhdimisht po ndryshojnë masat antiepidemike”, tha Zëvendës Ministri i Jashtëm Georg Georgiev për Nova TV.

Ai shtoi se në disa vende evropiane do të hapen më shumë vendvotime. Për shembull, në Gjermani do të ketë edhe 39 vendvotime shtesë jashtë përfaqësive diplomatike.


Me ndihmën e vaksinave brenda 1 viti mund të kthehemi te jeta normale, mendon Dr. Petër Markov

Imuniteti kundër Covid-19, i formuar përmes vaksinave, pritet të zgjasë deri në dy vjet, tha para bTV Dr. Petër Markov, pedagog në Shkollën e Mjekësisë Tropikale në Londër. Sipas tij, virusi do të jetë i vështirë për tu eliminuar, por ai mund të vihet nën kontroll përmes preparateve.

Epidemiologu parashikon që brenda një viti të kthehemi në një mënyrë jetese normale. Sa për vaksinat e kompanive të ndryshme, ai theksoi se imunizimi i hershëm është më i rëndësishëm sesa “përzgjedhja e imët”. “Dallimet midis tre vaksinave të disponueshme janë mbivlerësuar”, shtoi Dr. Petër Markov.

Specialisti gjithashtu tha që nëse të gjithë njerëzit mbajnë maska, mbajnë distancën e domosdoshme, punojnë nga shtëpia kur është e mundur dhe nuk vizitojnë restorante, nuk do të ketë nevojë për të vendosur një bllokim.


Mutacionet e reja të Covid-19 gjithashtu sulmojnë të mbijetuarit

Njerëzit që mbijetuan koronavirusin nuk janë të mbrojtur nga infeksioni me variantet e tij të reja, tha për Nova TV Doc. Kirill Karamfillov, shef i repartit të kardiologjisë invazive në Spitalin Aleksandrovska. “Ka disa mutacione të koronavirusit që janë shumë më ngjitës dhe vdekshmëria prej tyre është identike me atë të variantit klasik”, shtoi ai. Këto janë llojet nga Britania e Madhe, Afrika e Jugut dhe Brazili dhe ato shfaqen në vende pa masa të rrepta – “ku koronavirusi ka kohë që është lënë të përhapet pa kufizime”.

Kardiologu rekomandoi që masat që kemi për momentin të vazhdojnë.



Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.

Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.



Më shumë nga rubrika

Romët insistojnë në një politikë efektive ndaj grupit etnik

Konferenca e Përhershme e Romëve po përgatit një manifest parazgjedhor, i cili do t’u bëjë thirrje kandidatëve të angazhohen me masa dhe politika efektive për romët, tha për BNR avokatja Miglena Mihajllova nga organizata. “Komuniteti rom ka një..

botuar më 21-03-09 12.19.MD

Përfaqësuesit e lokaleve kundërshtojnë idenë e kufizimeve të reja

Shoqata e Lokaleve në Bullgari dhe Asociacioni Bullgar i Lokaleve caktuan si “absolutisht i papranueshëm” çdo shtrëngim të masave në lidhje me biznesin e tyre. Ministri i Shëndetësisë Kostadin Angellov njoftoi se masa të ndryshme po mendohen për..

botuar më 21-03-09 11.34.PD

Epidemisë do t’i jepet fund këtë vit, nëse ndjekim planin e vaksinimit

Nëse ruhet shkalla aktuale e vaksinimit, fundi i epidemisë Covid-19 do të ndodhë në mes të vitit të ardhshëm, kur 70 për qind e bullgarëve do të kalonin sëmundjen. Këtë e parashikoi para BNR Prof. Ognjan Kunçev nga Instituti i Matematikës dhe..

botuar më 21-03-09 9.57.PD