Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Covid-19 në Bullgari: Dita e 353

Foto: pixabay

Si mund të vaksinohemi në Bullgari?

Personat me sigurime të paguara shëndetësore në Bullgari mund të kontaktojnë mjekun e tyre personal, i cili është i detyruar t'u sigurojë një vaksinë dhe t'u japë atyre një ditë dhe kohë në të cilën të paraqiten. Personat e pasiguruar nuk mund të mbajnë një datë dhe orë përmes mjekut të tyre personal. Sidoqoftë, ata mund ta bëjnë këtë duke kontaktuar Inspektoratin Rajonal Shëndetësor përgjegjës për qytetin e tyre. Vaksina mund të merret edhe në pikat e hapura të vaksinimit, por në këtë moment atje ka grumbullim të madh njerëzish dhe radhë të gjata. Pritet që deri në fund të muajit të jetë gati një regjistër elektronik, ku secili mund të deklarojë dëshirën e vet për t’u imunizuar.


Radhë të gjata natën prej njerëzish që dëshirojnë të vaksinohen

Rreth 200 njerëz u vaksinuan kundër koronavirusit natën e kaluar në të vetmen pikë vaksinimi në vend që punon 24 orë - në spitalin e kryeqytetit “Shën. Ivan Rillski”, njoftoi BNT. Shumë njerëz preferojnë të vaksinohen natën sepse mendojnë se nuk do të ketë radhë, ose për të mos humbur ditën e tyre të punës, shpjeguan nga spitali, duke saktësuar se e gjithë procedura e vaksinimit zgjat rreth 5-10 minuta.


Qeveria kërkon furnizime të vaksinave kundër Covid-19 me avion

Qeveria është duke zhvilluar bisedime për furnizimin e vaksinave të destinuara për Bullgarinë me avion dhe shpenzimet të paguhen nga shteti. Këtë e bëri të ditur Kryeministri Bojko Borisov gjatë një inspektimi të tij në ndërmarrjen “Neohim” në qytetin Dimitrovgrad. Sipas fjalëve të tij furnizimet me aeroplan do të pakësojnë kohën e transportimit me të paktën 2 ditë. Kryeministri nënvizoi gjithashtu se shansi i vetëm për t’u ndaluar rritja e numrit të të infektuar janë vaksinat. Ministri i Shëndetësisë Kostadin Angellov shprehu kënaqësi për tempin e vaksinimit. Ai refuzoi pohimet se ka kaos në organizim. Për mendimin e tij në disa vende ka probleme logjistike, por ato zgjidhen shpejt.


Masat anti-epidemike kanë kontribuuar për daljen e ekonomisë së zezë nga hija

Ekspertët që merren me praktikat gri në sferën e punësimit janë të bindur se pandemia ka provuar domosdoshmërinë për deklarimin e punës dhe të të ardhurave të njerëzve. Ata që nuk i kanë deklaruar të ardhurat e veta nuk arritën të përfitojnë nga masat e ndërmarra nga shteti për të mbështetur biznesin dhe njerëzit. Këtë e bënë të ditur Zëvendësministrat e Punës dhe të Financave Llazar Llazarov dhe Marinella Petrova, të cilët morën pjesë në tryezën e rrumbullakët për të ashtuquajturën “Hartë Kombëtare e Punësimit të Padeklaruar”. Më shumë hollësi mund të lexoni KËTU.


14% janë rastet pozitive të Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit

1925 raste të reja të koronavirusit janë regjistruar në Bullgari për 24 orët e fundit, tregojnë të dhënat e Portalit të Unifikuar të Informacionit. Ky është numri më i madh i të infektuarve në vendin tonë që nga fillimi i vitit. 14% e 13 695 testeve të kryera janë pozitive. Ditët e fundit, përqindja e të sapo infektuarve ka mbetur rreth 10%. Shumica e rasteve të reja janë në Sofje – 478, pasuar nga Burgas - 182 dhe Plovdiv - 138. Në harkun e shënuar kohor kanë vdekur 79 veta me infeksionin e koronavirusit. Kështu Bullgaria është në prag të arritjes së 10 000 viktimave të pandemisë. 3933 pacientë me Covid-19 janë shtruar në spital, 334 prej tyre janë në njësitë e kujdesit intensiv. Më shumë se 130,000 njerëz morën vaksinën e tyre të parë, nga të cilat 11,709 u vaksinuan në 24 orët e fundit. Me dy vaksina janë pak më pak se 28 mijë njerëz.


Pandemia çoi në ulje të operacioneve të zemrës me 22%

Ulje e operacioneve në tri fusha kryesore të mjekësisë vëzhgohet në Bullgari gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë së Covid-19. Operacionet e zemrës janë ulur me 22% gjatë vitit të kaluar në krahasim me vitin e mëparshëm. Këtë e tregojnë të dhënat e Arkës Shëndetësore të analizuara në studimin “Indeksi i spitaleve”, njoftoi sajti clinica.bg. Nuk vëzhgohet ulje vetëm në kirurgjinë pediatrike të zemrës - veçanërisht tek të sapolindurit me keqformime. Operacionet ortopedike janë ulur me 21.5% në vitin 2020 krahasuar me 2019-ën. Pandemia e neurokirurgjisë, ku rënia ishte 8%, pati një ndikim më të vogël. Ndër arsyet e numrit të zvogëluar të ndërhyrjeve kirurgjike është ndalimi i operacioneve të planifikuara, i vendosur dy herë nga Ministri i Shëndetësisë për shkak të pandemisë.


Mitropoliti i Ruses bëri thirrje për përgjegjësi dhe vaksinim

Zoti ia ka dhënë të drejtën çdo një të krishteri ortodoks për të zgjedhur lirisht nëse të vaksinohet apo jo, por ai duhet të jetë i vetëdijshëm se është përgjegjës për shëndetin e tij dhe për shëndetin e të tjerëve. Këtë e shkroi në profilin e vet në Facebook Mitropoliti i Ruses Naum, njoftoi BNT. "Çdo sugjerim që zgjon frikë tek njerëzit dhe u imponon atyre një ndjenjë mëkatare në rast vaksinimi është plotësisht i paarsyeshëm dhe manipulues ", tha kleriku i lartë. Mitropoliti këshilloi të gjithë që duan të vaksinohen të konsultohen me mjekët e tyre familjarë dhe të mos u besojnë “burimeve të tjera anësore”.


Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.

Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.


Përpiloi: Vesella Krësteva dhe ekipi “Lajme” i Radio Bullgarisë

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria dënoi sulmin e 14 prillit ndaj Izraelit dhe bëri thirrje për përmbajtje

Ambasadori i Iranit në Bullgari, Alireza Irvash, u thirr në një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 16 prill 2024 për shkak të sulmit të Iranit ndaj Izraelit më 14 prill 2024. Gergana Karaxhova, Drejtore e Përgjithshme në “Çështjet Politike”..

botuar më 24-04-18 9.11.PD

Sot festojmë Ditën Botërore të Radio Amatorëve

Më 18 prill festojmë Ditën Botërore të Radio Amatorëve. Në këtë datë në vitin 1925, u themelua Organizata Ndërkombëtare e Radio Amatorëve IARU. Në Bullgari, nisja e lëvizjes së organizuar të radio amatorëve u hodh në vitin 1926, kur u mblodhën 38..

botuar më 24-04-18 8.25.PD

Plantacioni i parë i fëstëkut të Damaskut u shfaq në Bullgari

Për herë të parë në Bullgari afër Sandanskit (Bullgaria Jugperëndimore) mbollën një plantacion me 22 hektarë fëstëkë të Damaskut. Investimi i përket një biznesmeni nga Sofja, njoftoi BNT. Korrja e parë pritet në 2-3 vjet. Njerëzit në rajonin..

botuar më 24-04-18 6.20.PD