Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

A është i mundur konsensus parlamentar për formimin e qeverisë së re?

Foto: BGNES

Legjislatura e 45 e Kuvendit Popullor filloi punë zyrtarisht. Në Parlamentin e ri ka dy parti krejtësisht të reja dhe 117 persona të rinj nga gjithsej 240 deputetë. Megjithatë, një nga votimet e para mblodhi një shumicë të konsiderueshme. Me 136 vota “pro” u zgjodhën anëtarët e këshillit presidencial dhe kryetaren e tij Iva Miteva nga partia “Ka një popull të tillë”. Me një shumicë të tillë, sipas fjalëve të profesorit të antropologjisë kulturore Ivajllo Diçev, mund të zgjidhet një qeveri e tërë. Kjo tingëllon inkurajuese, por a është i mundur një zhvillim i tillë paszgjedhor?

Sipas pozitave të deklaruara deri tani të partive të paraqitura në Parlament ka të ngjarë që koalicioni me më shumë mandate GERB-SDS të mos e marrë përkrahjen e domosdoshme për kabinetin e propozuar nga ai. Prandaj vëmendja e politikanëve dhe politologëve i është drejtuar partisë së dytë për nga numri në Parlament – “Ka një popull të tillë”. Mirëpo, tani për tani atje po vazhdojnë të heshtin.

Gjatë orëve të kaluara një numër analistësh deklaruan se nuk ka parakushte për një qeveri me mandat të plotë. Hipoteza më e mundshme është se ajo do të jetë afatshkurtër, por me një horizont të qartë dhe qëllime specifike. Sipas ish-eurodeputetit dhe parlamentarit Svetosllav Malinov, një qeveri e tillë ka këto detyra:

Svetosllav Malinov

“Të veprojë për kalimin sa më shpejtë dhe të lehtë të Bullgarisë përmes krizës, ta përshpejtojë ritmin e vaksinimit dhe të marrë vendime të veçanta në lidhje me pasojat ekonomike, të paraqesë aplikimet e Bullgarisë për fondet evropiane sipas Planit të Rimëkëmbjes. Kjo mund të bëhet para se të shkohet në zgjedhje të reja - tha Svetosllav Malinov në një intervistë për BNR-Bllagoevgrad. - Legjislacioni zgjedhor duhet të jetë gjithashtu një prioritet i natyrshëm i qeverisë.

Sipas variantit tjetër, pas 5-6 javësh ne do të përballemi me një kabinet teknik dhe zgjedhje të reja në verë. Jam thellësisht i bindur se shumica e qytetarëve bullgarë nuk e duan këtë".

Megjithëse e padëshirueshme nga shumica e shoqërisë, hipoteza e një kabineti teknik është gjithashtu e mundur, sepse përbërja e Kuvendit të tanishëm Popullor nuk supozon stabilitet:

Në një farë mase, ky Parlament rikrijoi përfaqësimin e lëvizjes së protestës që nga vera e vitit 2020. Të gjithë përbërësit e tij kanë gjetur një vend në të, por ata janë shumë të ndryshëm dhe do të ishte e vështirë të krijohej një përzierje homogjene, e cila të mund të funksionojë ", tha kulturologu Prof. Ivajllo Znepolski duke e sqaruar shkakun:

Prof. Ivajllo Znepolski

“Protestat anti-GERB ishin formuar nga tri segmente. Njëri ishte kundër sistemit. Ai pasqyronte pakënaqësinë e shoqërisë për funksionimin e demokracisë së deritanishme, gjë që nuk është fenomen vetëm në Bullgari. Segmenti i dytë përfshinte ata, të cilët janë më afër sistemit dhe shprehin pakënaqësinë e vet ndaj modelit të qeverisjes, duke ngulur këmbë për remont institucional të shtetit. Kemi dhe një segment tjetër, që përbëhet prej politikanësh të nevrikosur, të cilët kanë mbetur shumë kohë larg pushtetit dhe duan përsëri ta zënë vendin e vet. Ndër ta po shoh disa aventurierë politikë, nga të cilët mund të priten pozita më të ndryshme.”

Si një motor kryesor për aktivitetin zgjedhor te ne dhe jashtë ishte shënuar shpresa e bashkatdhetarëve tanë për ndryshim. Tani para nesh shtrohet çështja nëse ky ndryshim mund të arrihet në një Parlament kaq të fragmentuar. Përgjigja e profesorit “ftoh pasionet”, duke na bërë për ta parë konceptin e "ndryshimit" nga një kënd tjetër:

"Populli është strukturuar në shtresa të ndryshme shoqërore. Secila prej këtyre shtresave ka idenë e vet se çfarë dëshiron të ndodhë. Pra, fjala “ndryshim” është më tepër një abstraksion pas së cilës fshihet mungesa e vizionit konkret politik. "

Ish-deputeti Petër Sllavov nuk është gjithashtu optimist për sa kohë do të punojë ky Parlament. Por ai shpreson që kërkesat për një remont urgjent të Kodit Zgjedhor të shpallura nga grupe të ndryshme parlamentare do të kontribuojnë për arritjen e një konsensusi për të paktën këtë çështje.

Petar Sllavov

"Këto ndryshime të shpejta do të jenë në gjendje t'i japin përfaqësim dhe drejtësi më të lartë votës. Sa për ndryshime më serioze legjislative në fusha të tilla si gjyqësori, e ardhmja do të tregojë nëse deklaratat për mbështetje të njërës apo tjetrës parti politike për opozitën e deritanishme jashtë-parlamentare do të kthehen në veprime konkrete. "

Përpiloi: Joan Kolev

/intervistat janë të Snezhana Ivanovës dhe Ljudmilla Zhelezovës nga BNR – “Horiozont”, Zhivko Ivanovit nga BNR – Stara Zagora dhe Rajna Vançeva nga BNR – Bllagoevgrad/

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

A do të gjendet një formulë për qeverisjen në Bullgari?

Bullgaria është në prag të rotacionit të parë në historinë e saj demokratike, të rënë dakord 9 muaj më parë nga dy forcat e para parlamentare GERB-SDS dhe PP-DB, si kusht për formimin e qeverisë dhe një rrugëdalje nga kriza politike.  Megjithatë, a do..

botuar më 24-03-14 7.05.PD
Margaritis Shinas

Pas zgjedhjeve evropiane, pritet qartësi për anëtarësimin në Shengen еdhe nga toka

Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian , pres një vendim që Bullgaria dhe Rumania të mund t'i bashkohen Shengenit dhe në rrugë tokësore, tha nënkryetari i Komisionit Evropian, Margaritis Shinas . Progresi duhet të pritet në fund të këtij viti..

botuar më 24-03-13 9.57.PD

Qeveria raportoi aktivitetet e saj për 9 muajt e fundit të qeverisjes

Programi i menaxhimit vazhdon edhe për nëntë muajt e ardhshëm, me mbi gjysmën (56%) prej masave të zbatuara. Duke marrë parasysh punën e nëntë muajve të qeverisë, kryeministri i dorëhequr Nikollaj Denkov deklaroi se me zëvendëskryeministren dhe..

rinovuar më 24-03-08 6.37.MD