Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dr. Katerina Takova është duke zhvilluar një produkt për diagnostikimin e koronavirusit

Shkencëtarja mori një nga tre çmimet vjetore të grave në shkencë

Foto: Ani Petrova

Gratë në shkencë kanë nevojë për inkurajim dhe mbështetje të veçantë, veçanërisht kur duhet të ndërthurin rolet e shkencëtares së përkushtuar, nënës së kujdesshme dhe bashkëshortes së mirë në hapësirën e ngushtë të një dite të vetme. Një nxitje e ngjashme për to janë edhe çmimet "Për gratë në shkencë", të cilat një kompani globale kozmetike së bashku me UNESCO-n ua dorëzojnë prej 12 vitesh shkencëtarëve të rinj të shquar bullgarë. Para pak kohe çmimin e mori edhe biologia Katerina Takova-Sakalijska nga Universiteti i Plovdivit “Paisij Hilendarski”.

Dr. Katerina Takova synon të krijojë një produkt komercial për diagnostikimin e Covid-19. Ajo është studente postdoktorale në departamentin “Fiziologjia e bimëve dhe biologjia molekulare” të universitetit.

"Unë jam pjesë e një ekipi që merret me prodhimin e proteinave të rëndësishme virale në bimë të tëra të duhanit," thotë ajo. – Dhe projekti me të cilin fitova çmimin lidhet me prodhimin e proteinave nga SARS-CoV-2 për diagnostikimin e antitrupave specifikë kundër koronavirusit. Është ende në fillimet e tij, por ne kemi rezultate fillestare inkurajuese dhe ndoshta do t'i shpallim vitin e ardhshëm në këtë kohë."

Shkencëtarja shpreson se ndërsa kërkimi përparon, disa kompani biofarmaceutike do të jenë të interesuara për produktin e zhvilluar në laboratorin e Plovdivit. Ndërkohë, ajo shpreson se shkenca dhe biznesi në vendin tonë do të bashkojnë duart në mënyrë që risitë të kenë një fokus praktik. "Edhe shkencëtarët po e kërkojnë gjithnjë e më shumë biznesin, edhe biznesi po i kërkon gjithnjë e më shumë shkencëtarët," shton ajo.

Katerina zbuloi aktivitetet në laborator si një rrugë të mundshme në vitin 2015: “Jam mirënjohëse që pata shansin të takojë një grua të jashtëzakonshme që më udhëhoqi në shkencë, ajo është edhe mbikëqyrësja ime shkencore Dr. Gergana Zahmanova. Ajo ishte me mua që në tezën time të bachelorit”. Në vitet në vijim Katerina arriti të përfundojë programin e masterit "Biologji molekulare dhe bioteknologji", të specializojë në Universitetin e qytetit portugez të Algarve, të marrë ftesë për punë me liderët në këtë degë në qendrën kërkimore "John Innes” në Norwich, të mbrojë një disertacion doktorature mbi fiziologjinë e bimëve, të bëhet bashkëautore e shtatë botimeve shkencore. Ajo thotë se baza e suksesit të saj është "durimi i pakushtëzuar" - një cilësi thjesht femërore, e nevojshme në shkencë, ku rezultatet nuk vijnë shpejt.

Dhe meqë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve grave të nderuara dëgjoheshin shpesh fjalët “Bota ka nevojë për shkencën”, kush sipas Katerina Takovës është më i fortë sa i përket ndryshimit – shkencëtarët apo politikanet?

“Besoj se partneriteti mes shkencëtarëve dhe politikanëve është strategjia më e mirë, sepse ne nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin – përgjigjet ajo. – Ne kemi ekspertizë të ndryshme dhe secili mund të kontribuojë me diçka. Në përgjithësi, partneriteti është gjëja më e rëndësishme në një zhvillim të qëndrueshëm. Ajo që na duhet më së shumti tani është të vlerësojmë prioritetet tona si shoqëri. Nëse vendosim objektiva dhe i vlerësojmë prioritetet tona, do të jetë shumë më e lehtë të kemi një drejtim në të cilin të shkojmë.”

A është shkolla një partner i shkencëtarëve, që ka sukses të frymëzojë të diplomuarit e saj për shkencë?

“Një fakt interesant është se kam qenë mësuese për gati 4 vjet – thotë shkencëtarja. - Ajo që pashë më nxit të mendoj se gjithnjë e më shumë po i kushtohet vëmendje shkencës në shkollë. Ministria e Arsimit ka një strategji për të ndërtuar qendra STEM për të ndihmuar në futjen e shkrim-leximit shkencor në moshë të re dhe besoj se partneriteti do të thellohet. Arsimi i mesëm do të kërkojë gjithnjë e më shumë arsimin e lartë, i cili, nga ana tjetër, ka se çfarë të marrë nga arsimi i mesëm.”

Edhe pse Katerina ka pasur shumë mundësi për një karrierë shkencore jashtë vendit, ajo ka zgjedhur të mbetet në shtëpi. "Kur hipni në aeroplan dhe dëgjoni fjalimin bullgar - kjo është arsyeja pse unë dua të zhvillohem në Bullgari," tha ajo për Radio Bullgarinë. Në vendin tonë ajo disponon gjërat themelore që i nevojiten për të zhvilluar potencialin e saj. Sigurisht, ka ende shumë për të ndërtuar, por gjëja më e rëndësishme është të shihet qëndrimi i shoqërisë ndaj shkencës dhe njerëzit të vlerësojnë punën e shkencëtarëve. “Kemi një bazë të mirë – kemi shkencëtarë, kemi infrastrukturë, kemi partneritete dhe në asnjë mënyrë nuk po e nisim nga e para”, është e bindur doktoresha Katerina Takova.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BNR




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Nënkryetari i një bashkie shqiptare kërkon një jetë më të mirë për bullgarët në Shqipëri

Agron Nuredinaj prej disa muajsh është pjesë e administratës së re bashkiake të qytetit të Kukësit në veri të Shqipërisë. Qendra bashkiake është përgjegjëse edhe për fshatrat në rajonin e Gorës, ku një popullsi me origjinë bullgare dhe me vetëdije..

botuar më 24-02-03 7.30.PD
Çavdar Arnaudov

Çavdar Arnaudov: Në Radio Bullgaria, pata fatin të punoja me përkthyesit më të mirë nga dhe në frëngjisht

Radio Bullgaria në formën e saj origjinale u shfaq një vit e një muaj pas krijimit të Radios Bullgare, në atë kohë Radio Sofja. Radio Bullgaria që në fillimet e saj paraqet një imazh të ndryshëm dhe autentik të vendit tonë dhe në këtë rol të rëndësishëm..

botuar më 24-01-25 7.30.PD

Ellzhana Popova: "Në kinemanë italiane ekziston ende një imazh klishe i grave të Evropës Lindore"

Ajo është një nga aktoret bullgare më të fotografuara në vitet 80 të shekullit të 20-të. Ajo ishte gjithashtu pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar në Sofje me një prani të dukshme skenike. Ellzhana Popova është një legjendë për një brez të tërë bullgarësh...

botuar më 24-01-22 7.25.PD