Nuk ka asnjë rregull të saktë se kur të fillojmë të dekorojmë Pemën e Krishtlindjeve. Dhe, sigurisht, nuk ka asgjë më të mirë se dekorimi i pemës me lodra të punuar me dorë. Në të njëjtën kohë të punuara nga... balta.
Vendi ku mund të njiheni me mënyrën e krijimit të tyre dhe të zbuloni vetë sekretet e argjilës nën drejtimin e ekspertes Marija Vasilevska është punëtoria e qeramikës në kompleksin “Starinno Karllovo” (Karllovo e Vjetër). Kompleksi, i vendosur në Bullgarinë Qendrore, bashkon pesë shtëpi emblematike nga epoka e Rilindjes Kombëtare Bullgare që janë monumente të kulturës. Njëra prej tyre – Hani Buhallov u shndërrua në një “Qendër për zeje dhe tradita kulturore”.
“Në punëtoritë tona secili mund të bëjë diçka me duart e veta, dhe për Krishtlindje ofrojmë kallëpe të veçanta të cilët shfrytëzohen për të prerë nga balta forma të ndryshme të dëshiruara - shpjegon Marija Vasilevska. – Kjo është një nga metodat më të thjeshta, më të zakonshme dhe të arritshme të punës. Përdoren lloje të ndryshme balte dhe pjekja bëhet në furra zjarrduruese. Vizitorëve nuk u kërkohet të kenë aftësi të veçanta, vetëm dëshirë dhe më shumë përpjekje.”
Sidoqoftë, mjeshtëria e vërtetë është e dukshme në detaje. Figurinat e ndryshme të mjeshtres Marija - engjëjt, kambana të vogla, burrat e dëborës, drerët, flokët e borës, yjet - janë bërë jashtëzakonisht saktë, dhe vizatimi mbi baltën e butë sigurisht që kërkon një dorë të fortë, aftësi serioze dhe ndjenjën e një krijuesi. Sepse secila prej lodrave është formuar dhe lyer individualisht për të marrë një pamje të përfunduar.
“Zejtari e vendos një pjesë të madhe të vetes në prodhimet e punuara me dorë - thotë Marija Vasilevska. - Për sa i përket argjilës, është një material shumë i dobishëm, i lakueshëm, ekonomik, shumë i këndshëm për t’u punuar. Balta e papërpunuar fillimisht kërkon më shumë përpjekje dhe duar të forta për t’u brumosur mirë, pastaj mbështillet në një trashësi të caktuar dhe me butësi dhe kujdes formohen figurat e prera.”