Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Me makete letre, Aleksandër Predov tregon historinë e blloqeve të paneleve në vendin tonë

¼ e bullgarëve jetojnë në shtëpi panelesh

7
Foto: Aleksandër Predov

Fondet në kuadër të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, të destinuara për rinovimin e ndërtesave të banimit, janë në përmasë 1.4 miliardë leva. Kjo shumë mund të mjaftojë për rinovimin e rreth 1000 ndërtesave të mëdha në Bullgari. Sipas programit kombëtar të rehabilitimit dhe me fondet evropiane, në 6 vitet e fundit u rinovuan rreth 3000 ndërtesa, që është më pak se 1 për qind e stokut të ndërtesave në vendin tonë. Mesatarisht në vit rreth 200 objekte rehabilitohen pa pagesë për qytetarët. Në të njëjtën kohë, 66 000 ndërtesa banimi kanë nevojë për rinovim sipas të dhënave të Strategjisë Kombëtare për Fondin e Ndërtimit. Një numër i madh i tyre janë të ashtuquajturat blloqe panelesh, ndërtimi i të cilave filloi që në vitet 50-të të shekullit të kaluar.

Nëse mendoni se ndërtesa të tilla mund të gjeni vetëm në vendet e ish-kampit socialist, ndoshta do të habiteni kur të mësoni se shembujt e parë të tyre u ndërtuan në SHBA, dhe në Evropë. Të tilla ka edhe në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani.

Aleksandër Predov

“Blloku i parë i ngjashëm i banimit në Bullgari u ndërtua në vitin 1958 në lagjen “Zapaden Park” të kryeqytetit dhe ekziston ende - thotë Aleksandër Predov, hobi i të cilit është krijimi i modeleve prej letre të blloqeve të paneleve. Ishte me këtë mostër të parë që ai e vuri fillimin e koleksionit të tij. – Vendosa që seria ime e parë e modeleve do të ishte e disa ndërtesave ikonike që kanë historinë dhe rëndësinë e tyre kulturore. Nga jashtë blloku nuk duket të jetë me panele, sepse ka një çati dyshe me qeramidhe.”

Aleksandri nuk i mbështet rezervat për forcën dhe qëndrueshmërinë e blloqeve të paneleve, të cilat shpesh përcaktohen si jo të besueshme dhe të pasigurta për të jetuar 50 vjet pas ndërtimit të tyre.

“Ka rreziqe, por më së shumti fshihen në mirëmbajtjen e dobët të objekteve. Problemi kryesor, nga i cili mund të pasojë diçka më serioze, janë nyjat mes paneleve, ku vendosen lidhjet mes tyre. Pas një kohe të caktuar, ato i nënshtrohen inspektimit dhe trajtimit të veçantë për t’i mbajtur të sigurt.”

Aleksandri nuk ka asnjë shqetësim për të rekomanduar një të huaj ose një bullgar që vjen nga një qytet tjetër për të blerë ose marrë me qira një shtëpi panelesh, por zgjedhja është, natyrisht, personale:

“Pse të mos i propozoj atij? ¼ e bullgarëve jetojnë në shtëpi panelesh, nuk ka asgjë të keqe apo të tmerrshme në këtë. Gjithçka është çështje e dëshirës personale dhe e përpjekjeve për ta ruajtur apo rinovuar atë, të cilat duhet të bëhen në mënyrë të pashmangshme.”

Një kujtim nga fëmijëria i dha shtysë përgjegjësit të rekuizitës në prodhimet filmike dhe reklamat, Aleksandër Predov, për të marrë përsipër krijimin e maketeve të ndërtesave të banimit të tipit panel. Në vitin 2017, Aleksandri zbuloi se libra të ngjashëm model po shiteshin ende, dhe bleu një model të një shtëpie nga koha e Rilindjes për djalin e tij. Mirëpo, montimi i saj doli të ishte një detyrë e vështirë dhe pas një muaji përpjekjesh ata hoqën dorë. Të nesërmen, vëmendja e tij u tërhoq nga një bllok paneli aty pranë, të cilin ai e fotografoi dhe, duke përdorur një program kompjuterik, bëri një vizatim dhe më pas një model të tij.

Pra, kërkimi i ndërtimit të paneleve dhe rikrijimi i modeleve të tij prej kartoni u bë një pasion.

Një nga modelet e letrës ka një histori emocionuese që përfshin dy blloqe panelesh, një skulptor italian dhe njohje ndërkombëtare:

“Unë kam një model të një ndërtese imagjinare. Ideja për të më lindi në ditët e para të pandemisë në vitin 2020. Një nga fotot e fundit që ngarkova në një platformë me përmbajtje fotografike përpara se të na vendoseshin kufizimet kundër epidemisë ishte e blloqeve 67 dhe 68 në kompleksin e banimit “Druzhba 1”. Disa ditë më pas, më kontaktoi një skulptor italian, i cili më kërkoi t’i dërgoja origjinalin. Ai tha se kishte kohë që priste të shihte një ndërtesë si kjo, pasi projekti i tij “Njeriu i Qëndrueshëm”, i cili është një figurë njerëzore e gjunjëzuar me krahët e shtrirë, i ngjan pamjes së blloqeve. I kërkoi fotot, një javë më vonë bëri një kolazh dhe në bazë të tij munda të bëja një model letre. Me këtë kolazh dhe modelin tim, krijuesi italian realizoi disa ekspozita në vendin e tij gjatë pandemisë. Ne vazhdojmë të mbajmë kontakte edhe sot e kësaj dite, dhe ai aktualisht është duke rregulluar pjesëmarrjen tonë në një ekspozitë të re.”

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: Aleksandër Predov




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Shkolla bullgare

Radio Bullgaria prezanton imazhin e Vasill Levskit përmes syve të bullgarëve në mbarë botën

Biri më i dashur i Bullgarisë, Apostulli i Lirisë Vasill Levski, është një frymëzim për brezat e bullgarëve. Këtë vit Radio Bullgaria ftoi fëmijë nga shkollat bullgare jashtë vendit, mbrojtës i të cilëve është Vasill Levski, të regjistrojnë ose xhirojnë..

botuar më 23-12-13 1.15.MD
Izabella Marketa

Një muze në qytetin italian Kampobaso ruan gjetje unike historike që lidhen me Bullgarinë

“Bullgarët kanë një dëshirë të fortë për vetëvendosje kombëtare dhe një dëshirë të fortë për t'u kthyer në kohë për të mësuar për origjinën e tyre dhe për të rindërtuar identitetin e tyre, i cili me sa duket u ishte marrë me forcë gjatë viteve të..

botuar më 23-12-11 7.30.PD

Katedralja e Patrikanës “Shën Aleksandër Nevski" shënon festën e saj

Me solemnitet të veçantë kleri i lartë i Kishës Ortodokse Bullgare kremtoi festën e Katedrales Patriarkale “Shën Aleksandër Nevski”, njoftoi Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare. Liturgjia e Shenjtë u kryesua nga Hirësia e Tij Mitropoliti i..

botuar më 23-11-23 5.16.MD