Gati 20 vjet më parë, kur mediat elektronike sapo kishin filluar të hynin në hapësirën e internetit, një ekip të rinjsh dhe entuziastësh krijuan një nga faqet më të lexuara të internetit - atë të Radio Bullgarisë. Kryeredaktori ishte gazetari Ljubomir Llazarov.
Në vitin 2001 ai pranoi sfidën për të drejtuar Redaksinë e Internetit të programit në gjuhë të huaja të Radios Kombëtare Bullgare (BNR). Në fillim redaksia e sapokrijuar nuk kishte as një bazë ku të qëndronte dhe të fillonte të ndërtonte themelet e hapësirës së internetit të BNR-së. Pas tre vitesh punë të palodhur, në maj 2004, faqja u përfundua, duke u bërë uebsajti i parë i BNR:
“Pavarësisht vështirësive që patëm uebfaqja e Radio Bullgarisë në 11 gjuhë (bullgarisht, rusisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, greqisht, shqip, serbisht, turqisht dhe arabisht) u bë fakt. Ajo ende nuk ka një analog në hapësirën bullgare të internetit, me të gjitha këto informacione "nga Bullgaria" dhe "për Bullgarinë" për tema të ndryshme, në të gjitha këto gjuhë”, tha Ljubomir Llazarov para gazetares Darina Grigorova.
Një muaj më vonë, në fillim të qershorit 2004, në Ueb Festivalin Ndërkombëtar në vendpushimin tonë detar Allbena, faqja e Radio Bullgarisë - bnr.bg. u nderua me çmimin prestigjioz "Ombrella e Artë" dhe u shpall Siti i Vitit. Kjo ishte një njohje e vërtetë e profesionalizmit të ekipit të internetit, i cili u vlerësua lart edhe nga Bashkimi Evropian i Radio-Televizioneve (EBU). Faqja e Radio Bullgarisë vazhdoi të zhvillohet dhe të ndjekë dinamikën e hapësirës së internetit me përmbajtje interaktive në një faqe të re të përmirësuar që mundësonte zgjedhjen e rubrikave dhe zhvendosjen e tyre.
Prezantimi i saj në Gjenevë në vitin 2010 shkaktoi një sensacion të vërtetë dhe nxiti interesimin e ekspertëve të EBU-së. Në vend të pesë minutave sipas rregullores, specialistët e medias nga BE-ja i kushtuan një orë të tërë kryeredaktorit të Redaksisë së Internetit. “E vërteta është se edhe sot e kësaj dite faqja e Radio Bullgarisë nuk ka një analog në hapësirën mediatike”, theksoi edhe një herë Ljubomir Llazarov dhe shtoi:
“Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, njëra nga gjuhët u hoq, për shkaqe që nuk vareshin nga ne. Kjo ishte gjuha arabe dhe faqja më e vizatuar në sajtin tonë. Kohët e fundit kuptova se numri i gjuhëve është rivendosur dhe ato janë përsëri 11, por me gjuhën rumune – një nga gjuhët e para në të cilën Radio Bullgaria ka transmetuar pas krijimit të saj. Kjo është mirë sepse tani ka informacion në të gjitha gjuhët ballkanike. Nuk do të teproj po të them se kishte një entuziazëm të madh mes të gjithëve. Këta njerëz vërtet besuan se ne do të bënim diçka shumë serioze dhe shumë të madhe, gjë që doli të ishte ky uebsajt. Në asnjë rast nuk duhet nënçmuar puna e tyre! Ekipi u mblodh shpejt dhe filluam punën. E gjithë kjo na kushtoi shumë përpjekje dhe shumë net pa gjumë. Çdo sipërmarrje e re që është e madhe, komplekse dhe e mirë ndërtohet fort dhe besoj se askush nuk pendohet për vitet kur filluam së bashku”.
Megjithatë, të gjithë e dimë se profesionalizmi ka një anë tjetër, që nuk është drejtuese, por e domosdoshme për mbijetesën e tij, dhe ajo është vlerësimi dinjitoz i punës. Fakti që të gjithë që punojnë në BNR vazhdojnë të kryejnë me zell dhe cilësi detyrat e tyre, në kufijtë e mbijetesës, është sepse e bëjnë këtë nga ndjenja e detyrës. "Meqenëse jemi në këtë profesion - ne kemi detyrë ndaj tij, ndaj shoqërisë, ndaj të gjithëve", theksoi Ljubomir Llazarov.
“Gazetarët e Radio Bullgarisë gjithmonë kanë qenë në krye të asaj që është aktuale, gjithmonë kanë dhënë informacione reale, pa asnjë vërejtje. Mund të them se për 20 vjet që kam kaluar këtu, në Radio Bullgarinë nuk ka pasur asnjëherë probleme për shkak të informacionit të rremë, ose të pasaktë. Këtë e di edhe nga kolegë të tjerë të programit që janë më të moshuar se unë. Kjo flet për një standard shumë të lartë dhe jam i lumtur që ai po vazhdon edhe tani. Jo shumë kohë më parë kishte një drejtor, emrin e të cilit nuk dua ta përmend, i cili donte ta mbyllte Radio Bullgarinë, si një media e panevojshme. Kjo çmenduri pothuajse kishte ndodhur, por ne e kundërshtuam, sepse Radio Bullgaria duhet të vazhdojë të propagandojë kulturën, etikën, historinë e vendit tonë. Prandaj u uroj kolegëve të mi atë që kanë treguar gjithmonë në kohë të vështira – stoicizmin, të mbijetojnë pavarësisht vështirësive dhe mbi të gjitha të jenë të shëndetshëm”.
Së fundmi, Ljubomir Llazarov arriti në еtapën e fundit të lojës televizive "Bëhu i pasur". Ai u largua nga loja me 50 000 leva (afro 25 000 euro), duke shpresuar të luajë përsëri dhe të fitojë shumën më të madhe për një qëllim bamirësie.
Përgatiti në shqip: Vesella MançevaFoto: Darina Grigorova, BNR
Në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e ditës. Në “Këngën e ditës” ju ofrojmë një vepër të kompozitorit bullgar të njohur botërisht Millço Leviev. Ju urojmë minuta të këndshme! 01.37 – Lajmet 11.29 – Kënga e..
Të nderuar miq, në fillim të programit tonë më 25 tetor 2024 do të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën tonë të përditshme “Kënga e Ditës” ju ofrojmë këngën "Qetë"në interpretim të Roberto Nikollovit, i njohur si Robi. 01.31 - Lajmet 15.33..
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Shoqëri do t’ju tregojmë për shoqatën e re bullgare të hapur në Shqipëri “Shoqata për identitet bullgar” me kryetar Besim Muça. Në rubrikën Kënga e ditës do të..
Të dashur miq, sot në programin tonë të ditës ju ofrojmë tema të zgjedhura nga koleksioni i Radio Bullgarisë në gjuhën shqipe. Si zakonisht programi ynë..