76 vjet pas vdekjes së tij, mbreti i parë bullgar i Mbretërisë së Tretë Bullgare, Ferdinandi i Parë, u kthye në shtëpi, në Pallatin "Vrana", gjë me të cilën u përmbush vullneti i tij i fundit. Në testamentin e tij ai shkruante se dëshironte të varrosej në vendin ku ishte sundimtar për 31 vjet. Këtë vullnet Mbreti Ferdinand e shprehu në fund të jetës së tij, duke iu drejtuar adjutantit Petër Gançev me pyetjen: "Gançev, kur do të nisemi për në Bullgari?"
“Kjo nuk është përpjekja e parë dhe për fat të mirë, shpresoj se ishte e fundit dhe ishte e suksesshme – kujtoi historiani Petër Stojanoviç gjatë një konference speciale për shtyp në një nga sallat e Pallatit “Vrana”. - Me sa di unë, i pari ishte në vitin 2010. Vetë fakti që njerëz me orientime të ndryshme politike, me një histori të ndryshme familjare dhe një prani të ndryshme në jetën publike bullgare ndër vite, përpiqnin të japin drejtësi historike, tregon se tema e respektit për krerët e shtetit, për bullgarët apo figurat e shquara në Bullgari, shumë më tepër shkon përtej pasioneve të sotme, sesa do të dëshironte dikush në Bullgari.”
Arsyet për të mos ndërmarrë hapin për kthimin e eshtrave të tij mortore deri më tani janë politike dhe të lidhura me opinionin publik:
“Mendova ditët e fundit, që me sa duket edhe opinioni publik bullgar kishte nevojë të largohej nga tranzicioni i tij drejt demokracisë, nga fotografia bardh e zi me të cilën fotografojmë zakonisht historinë tonë. Ne, të cilët ishim të autorizuar nga familja mbretërore menduam, se vet ideja, vet procesi për kthimin e ardhshëm të mbetjeve mortore mbretërore, ka nevojë për maturim në shoqërinë bullgare. Mendoj se ky është një fakt, që vërtetohet si nga qëndrimi i autoriteteve bullgare, ashtu edhe nga mënyra se si sot shoqëria bullgare përcjell Mbretin Ferdinandin, i cili sundoi Bullgarinë për 31 vjet. Secili ishte këtu me vullnetin e tij të lirë, nga nevoja për t'u ndjerë qytetar, për t'u ndjerë pjesë e historisë bullgare, madje për t’u ndjerë pjesë e perceptimit të përgjithshëm të shoqërisë bullgare për historinë e saj.”
Pavarësisht unitetit të demonstruar nga njerëzit që erdhën për t'u përkulur para Ferdinandit, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë priret ta gjykojë mbretërimin e tij bazuar në vetëm 6 nga 31 vitet e tij në fron. Periudha më e madhe e mbretërimit të tij ishte paqësore dhe konstruktive, kujton historiani Petër Stojanoviç, dhe e konsideron thellësisht të gabuar të jepen vlerësime për kontributin e tij në zhvillimin e Bullgarisë vetëm në bazë të viteve të fundit në krye të shtetit:
“Nuk është e mundur për 6 vite ushtarake të fshihet ajo që u bë për evropeizmin dhe modernizimin e Bullgarisë në 25 të mbetura. Imagjinoni, këto janë 25 vjet, një periudhë shumë më e shkurtër se tranzicioni bullgar drejt demokracisë, i cili ende nuk e di nëse ka përfunduar apo jo. Por për 25 vjet, Bullgaria në fillim të shekullit të XX-të, nga një vend pa infrastrukturë, pa ushtri, pa institucione kulturore dhe pa sistem arsimor në nivel shtetëror, u bë një vend i kulturuar i pranuar në familjen evropiane. Natyrisht, nuk është merita vetëm e mbretit Ferdinand që Bullgaria të bëhet një vend evropian. Por ai ishte në krye të kësaj lëvizjeje, së bashku me elitën politike, partiake, oficere të Bullgarisë, me inteligjencën artistike dhe inxhinierie. Në të njëjtën mënyrë, humbja e 3 luftërave – Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike, dhe Luftës së Parë Botërore), nuk ka sesi të jetë faji i vetëm një personi. Është një faj i përbashkët në të cilin ai qëndron, natyrisht në radhë të parë, pasi qëndron në krye të krijimit. Pra, kur shikojmë historinë tonë, është gjithmonë mirë t'u shpëtojmë stereotipave dhe ta lëmë atë përfundimisht të shqyrtohet dhe të vlerësohet nga historianët. Ata punojnë me fakte, me dokumente dhe bëjnë një korrelacion mes tyre. Nga atje, ata ia lënë njerëzve të vendosin vetë.”
Për atë që duhet të dinë gjeneratat në vendin tonë për mbretin Ferdinand dhe rolin e tij në historinë bullgare, Prof. Stojanoviç është i bindur për një gjë:
“Çdo fëmijë i vogël bullgar, për mendimin tim, duhet të jetë në gjendje të shpjegojë me pak fjalë pse është e rëndësishme të jesh evropian. Në këtë mënyrë, kur ata mund të shpjegojnë pse Bullgaria u bë përsëri një vend evropian, ata do të mund të kuptojnë mjaftueshëm për njerëzit që e bënë Bullgarinë një vend evropian pas Çlirimit në vitin 1878. Kështu, mbreti Ferdinand, fare natyrshëm, do të bjerë mes tyre. Por të studiohet kjo në një farë mënyre veçmas është, për mendimin tim, një përpjekje e paimagjinueshme, një naivitet që nuk duhet t'ia lejojmë vetes. Ai duhet parë në kontekstin e kohës së tij, në kontekstin e karakterit të tij dhe duhet gjykuar objektivisht, me qetësi dhe drejtësi, pa një grimcë fshehjeje të së vërtetës dhe pa një grimcë boje që nuk mund të dokumentohet.”
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Fotot: Fondi Mbreti Boris i Tretë dhe Mbretëresha Joanna, BTA, BGNES
Më 6 dhjetor Kisha jonë Ortodokse nderon kujtimin e Shën Nikollaj Mrekullibërësit. E quajnë atë shenjtorin e mëshirës, sepse e gjithë jeta e tij iu kushtua mbështetjes së të varfërve, të vuajturve, të pafajshmëve dhe të padrejtëve. Fjalët e tij..
Gjetjet nga gërmimet arkeologjike të tumës Kozareva u bënë një sensacion i vërtetë në vitin 2014, kur u prezantuan për herë të parë para publikut të gjerë. Ndër eksponatet e shkëlqyera dallohen amuletat e bëra nga kafka njerëzore, enë balte dhe vegla..
Koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe u zbulua në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, njoftoi kreu i gërmimeve Ljubomir Merxhanov. Sipas tij, ky është një gjetje jashtëzakonisht e rrallë. Koka ndodhej pranë foltores së tempullit dhe..