Kori i Fëmijëve i Radios Komb;tare Bullgare (BNR) është ndër finalistët e konkursit prestigjioz ndërkombëtar për koret joprofesionale “Le të këndojnë popujt”, i cili mbahet nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian për Radio dhe Televizion (EBU). Në fazën e fundit të konkursit koral, do të marrin pjesë tetë ansamble, nga katër në dy kategoritë e konkursit - "Fëmijë dhe të rinj" dhe "Të rritur". Kori bullgar do të konkurrojë në kategorinë për fëmijë dhe të rinj. Konkurrues të tij do të jenë tri ansamble nga Danimarka, Finlanda dhe Zvicra.
Finalja e Konkursit "Le të këndojnë popujt" do të jetë më 6 tetor 2024 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në radiostacionet e Bashkimit Evropian për Radio dhe Televizion nga ora 20:00 me orën bullgare. Interesante është edhe mënyra se si organizohet prezantimi i pretenduesve për çmimin e madh "Trëndafili i Argjendtë" këtë vit - secili prej finalistëve do të këndojë në skenën e vendit të tij, ndërsa transmetimi i drejtpërdrejtë radiofonik i shfaqjeve korale do të koordinohet nga BBC Londra.
"Ky është një konkurs shumë i vjetër, që daton nga viti 1961, kur u organizua nga BBC, dhe më pas u zgjerua si një konkurs ndërkombëtar dhe kaloi nën egjidën e Bashkimit Evropian për Radio dhe Televizion (EBU). Ai mbahet çdo 2 vjet - shpjegon Maja Pellovska nga Departamenti Ndërkombëtar i BNR-së, i cili koordinon pjesëmarrjen bullgare në konkurs. - Është një sfidë e madhe për ne, pasi BBC do të organizojë të gjithë shfaqjes, të cilën programi i kulturës i BNR-së - "Hristo Botev" do ta transmetojë drejtpërdrejt. Do të ketë një prezantues i cili gradualisht do të përfshijë të gjitha koret në rendin e pjesëmarrjes në shfaqje, dhe në kategorinë e fëmijëve jemi të parë - në orën 20.15. Kështu që secili mund të ndjekë prezantimin e fëmijëve të dirigjentes Venecia Karamanova. Pasi juria do të shpallë fituesin në këtë kategori, do t'ia kalojë stafetën kategorisë së të rriturve. Më në fund, kur fituesit në të dyja kategoritë të bëhen të qarta, juria do të mblidhet edhe një herë për të shpallur fituesin e madh – mbajtës të çmimit "Trëndafili i Argjendtë".
Në historinë e konkursit, dy kore bullgare, të nominuara nga BNR, kishin nderin të fitojnë çmimin më të lartë - Kori "Rodna Pesen" me dirigjent Mihaill Millkov në vitin 1968 dhe Kori i Dhomës së Sofjes pranë Shtëpisë së Kulturës të Sindikatave “Gara Iskër” në vitin 1973. Sot ky kor mban emrin e dirigjentit të tij “Vasill Arnaudov” - shpjegon Sllava Georgieva nga Departamenti Ndërkombëtar i BNR-së dhe shton:
“Në konkursin “Le të këndojnë popujt” ka shumë çmime të para të fituara nga kore bullgare në kategoritë individuale. Në finalet e këtij viti marrin pjesë kore me arrije të shumta dhe konkurrenca do të jetë vërtet serioze.”
Shpresojmë në një prezantim shumë të denjë të Korit të Fëmijëve të Radios Kombëtare Bullgare - tha dirigjentja e tij Venecia Karamanova. Fëmijët e talentuar bullgarë po përgatisin një program special.
"Zgjodha të prezantohemi me 3 vepra të zhanreve dhe epokave të ndryshme. Njëra është e shekullit të XVI-të, tjetra është një pjesë moderne e një kompozitori norvegjez. Natyrisht, duhet të jetë e pranishme edhe muzika bullgare dhe për këtë rikrijuam veprën e kompozitorit Dimitër Hristov “Këngë pa fjalë”. Kjo këngë është me bazë folklorike, me shumë ritme të zjarrta dhe në të zërat e fëmijëve trajtohen si instrumente. Kështu që shpresoj se juria të vlerësojë mundësitë e ansamblit tonë të fëmijëve” - tha dirigjentja Karamanova.
Intervistë: Irena Gëdeleva
Tekst: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Facebook /detskiradiohor, ebu.ch, BGNES
Big Bendi i Radios Kombëtare Bullgare (BNR) me dirigjent Antoni Donçev hap sezonin e ri krijues me një koncert më 24 tetor në Studion e Parë të Radios. Programi përfshin muzikë origjinale nga Dimitër Bodurov - pianist, kompozitor dhe producent..
Gjithmonë origjinale, Preja tërheq vëmendjen e adhuruesve të saj me këngën e re "Çdo ditë". Në të këngëtarja drejton një mesazh të veçantë bazuar në një histori shumë personale. Si autore e tekstit, Preja mori frymëzim nga partneri i saj prej shumë..
Pas suksesit të këngës "Dashuria si një qiell" , e cila ishte kënga bullgare më e luajtur për 12 javë, Miro na sjell një këngë të re. "I butë" është rezultat i një bashkëpunimi befasues - këtu këngëtari punon me Kristian Kostov , i cili e..
Një grup yjor dhe një këngëtar yjor u bashkuan për të ringjallur një këngë të shkruar gati një çerek shekulli më parë. D2 dhe Grafa incizuan këngën e..