Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kroacia paralajmëroi qytetarët e saj të shmangin udhëtimet në Serbi



Ministria e Jashtme e Kroacisë rekomandoi që kroatët të shtyjnë të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme në Serbi, njoftoi televizioni kombëtar HRT. “Duke marrë parasysh se shpesh ka bllokime spontane të rrugëve për shkak të protestave qytetare, është e pamundur të vlerësohet paraprakisht gjendja në rrugë dhe rrethanat e mundshme rënduese, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në rrjedhën e trafikut në të gjithë vendin. Veçanërisht këshillojmë qytetarët kroatë të shmangin vendet ku mblidhen një numër i madh njerëzish”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Pas Vidovdenit – 28 qershor, në Beograd dhe në qytetet e mëdha nuk ndalen protestat, bllokimet dhe aktet e mosbindjes, me kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Gjatë përleshjeve të policisë me të pakënaqurit nga qeverisja e presidentit Aleksandër Vuçiç, ka shumë të arrestuar.

Për shkak të deficitit të lartë buxhetor, rritet me dy përqind TVSH-ja në Rumani

Ilie Bolojan

Kryeministri rumun Ilie Bolojan njoftoi se nga 1 gushti TVSH-ja në vend do të rritet nga 19 në 21%, ndërsa për ushqimet dhe barnat nga 9 në 11%. Ai kujtoi se vitin e kaluar Rumania ka pasur deficitin më të madh buxhetor në BE – 9,3% të PBB-së. Kryeministri deklaroi se do të rritet edhe akciza mbi alkoolin, karburantet dhe duhanin me 10%. Po ashtu, hiqen shumë shpërblime pune. Pensionet dhe pagat në sektorin shtetëror do të ngrijnë për vitin 2026. Rriten edhe taksa të tjera nga viti i ardhshëm. Nga 1 korriku është liberalizuar çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe rritja për gjysmën e tyre është 100%, llogariti televizioni Digi24.

Buxheti i Rumanisë për vitin 2025 është bazuar mbi një parashikim për rritje ekonomike prej 2,5%. Parashikimi i Bankës Kombëtare të Rumanisë për inflacionin vjetor është 3,8%.

Arrestime dhe dhunë në Turqi për shkak të një karikature të supozuar të profetit Muhamed



Prokuroria e Përgjithshme në Stamboll urdhëroi arrestimin e tre redaktorëve në një prej revistave kryesore satirike në vend LeMan, njoftoi BTA. Autoritetet janë të pakënaqura që më 26 qershor revista ka botuar një karikaturë me fytyrën e profetit Muhamed. 



Një kopje e ilustrimit bardh e zi në rrjetet sociale, tregon burra në qiej, të ngjashëm me profetët Muhamed dhe Moisiu, të cilët shtrëngojnë duart mbi një qytet të goditur nga raketa dhe bomba. Pas përhapjes së lajmit, protestues sulmuan një bar në qendër të Stambollit, të frekuentuar nga punonjës të revistës, dhe erdhi deri te përleshjet me policinë.

Ministri i Punëve të Brendshme Ali Erliçaja njoftoi se karikaturisti Dogan Pehlivan është arrestuar. Revista kërkoi nga autoritetet mbrojtje dhe pretendon se i vizatuari nuk është profeti Muhamed.

Pothuaj gjysma e të rinjve maqedonas nuk besojnë se vendi i tyre do të hyjë në BE



Qëndrim pozitiv ose shumë pozitiv ndaj BE-së kanë 41% e të rinjve në Maqedoninë e Veriut. 24% kanë qëndrim negativ, ndërsa pothuaj 35% nuk kanë mendim. Sipas hulumtimit të Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike në Shkup dhe Qendrës Evropiane për Arritje të Larta në Bruksel, 46,5% e të rinjve maqedonas nuk besojnë se vendi do të bëhet anëtar i BE-së. 35,8% mendojnë se integrimi evropian do të jetë në një të ardhme më të largët. Vetëm 6,7% besojnë se kjo do të ndodhë brenda 5 vitesh. Si pengesë më të madhe për integrimin evropian, 84,6% e të rinjve tregojnë korrupsionin. 60% kanë besim të ulët në institucionet. Interesimi më i madh tek të rinjtë shkaktohet nga mundësitë për punë dhe jetë në BE – 76,2%. Më shumë se gjysma e të anketuarve presin që brenda 5 vitesh Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, njofton BGNES.

Në rrugën drejt BE-së, Mali i Zi do të hapë arkivat e shërbimeve sekrete jugosllave

Andrija Mandiç

Kryetari i parlamentit malazez Andrija Mandiç deklaroi se “pajtimi i vërtetë kombëtar kërkon përballje me të kaluarën totalitare të vendit dhe zbulimin e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave.”

Ai konfirmoi vendosmërinë e Malit të Zi për t’u bërë anëtar i BE-së, duke theksuar mbështetjen e fortë shoqërore dhe përparimin në procesin e negociatave, ndërkohë që nënvizoi nevojën për luftë efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas raportuesit të Parlamentit Evropian për vendin Marjan Sharec, përparimi varet nga reformat kyçe në sistemin gjyqësor, liria e mediave dhe legjislacioni zgjedhor. Sharec bëri thirrje që Mali i Zi të shmangë polarizimin politik dhe të mbetet i përqendruar në synimet e tij evropiane, njofton RTCG.


Përpiloi: Ivo Ivanov

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: vijesti.hrt.hr, ahaber.com.tr, aa.com.tr, EPA-EFE , vijesti.meq

Më shumë nga rubrika

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në vizitë zyrtare në Sofje: integrimi europian dhe siguria rajonale në qendër të bisedimeve

Në datat 9-10 korrik 2025, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Sofje, me ftesë të Kryetares së Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, znj. Natalija Kisellova. Gjatë qëndrimit të saj, znj. Spiropali u takua..

botuar më 25-07-12 11.00.PD

Doc. Buruxhieva: Vota e mosbesimit te ne po shndërrohet në diçka ndryshe nga thelbi i saj

Në fund të javës së kaluar u bëmë dëshmitarë të votës së tretë radhazi të pasuksesshme të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Rosen Zheljazkov. Këtë herë ajo u iniciua nga forca e tretë më e madhe politike në parlament – "Vëzrazhdane", dhe tema..

botuar më 25-07-07 4.20.MD

Ministria e Jashtme prezantoi para diplomatëve në Sofje të përndjekurin Ljupço Georgievski nga Manastiri

Ministri i jashtëm Georg Georgiev u takua me ambasadorë dhe diplomatë të vendeve anëtare të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës të akredituar në Bullgari. Diplomatët u informuan në mënyrë të detajuar për prirjet në rritje të..

botuar më 25-07-04 1.29.MD