Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Simbolet mbretërore nga Mbretëria e Dytë Bullgare zbukurojnë qeramikën sgrafito të mjeshtërve të rinj

Foto: Gergana Mançeva

Një punëtori e veçantë artizanale për enë qeramike me stil mbretëror, të përdorura nga familjet e pasanikëve gjatë periudhës së Perandorisë së Dytë Bullgare (shek. XII – XIV), ndodhet në qytetin tonë historik Veliko Tërnovo. Atelieja është afër hyrjes së famshme të tregut Samovodska Çarshia. Ky mund të jetë i vetmi vend në vendin tonë ku mund të ndiqet procesi i punimit të enëve qeramike me teknikën sgrafito (pra, një teknikë dekorative ku vizatimet gdhenden mbi shtresa të ndryshme deltine të ngjyrosura).

Në Bullgari, qeramika sgrafito njihet edhe si qeramika e Tërnovos, sepse mbetje të tilla enësh u gjet;n kryesisht gjatë gërmimeve në kodrën Carevec, në vendin ku dikur ngrihej pallati mbretëror gjatë periudhës së Mbretërisë së Dytë Bullgare (1185–1396). Këto enë ishin privilegj vetëm për pallatin dhe bujarët. Për këtë arsye, qeramika e Tërnovos mbeti e përhapur pak mes njerëzve të zakonshëm, ndërsa zanati u zhduk plotësisht pas pushtimit osman të Bullgarisë në fund të shekullit të XIV.

Enët bëhen nga deltina e kuqe, dhe pasi formohen, lihen të thahen derisa deltina të ngurtësohet. Pas pak kohe, ato zhytën në argjilë të bardhë të holluar. Enët e zhytura nxirren pothuajse menjëherë dhe lihen sërish të ngurtësohen. Këtu qëndron mjeshtëria në punimin e qeramikës sgrafito – të përcaktohet saktë koha që një enë duhet të qëndrojë në tretësirën me deltinën e bardhë. Gjatë këtij intervali prej rreth 15 minutash, mjeshtri duhet të gdhendë enën. Kjo bëhet me një mjet të veçantë, me të cilin ai heq argjilën e tepërt për të krijuar vizatimin e dëshiruar.

Pas disa ditësh, kur ena është tharë plotësisht, ajo piqet në furrë me temperaturë të lartë. Pas pjekjes së parë vjen momenti i ngjyrosjes. Qeramika sgrafito e Tërnovos ka dy ngjyra – të gjelbër dhe të verdhë, të cilat marrin ngjyrë përkatësisht nga oksidi i bakrit (për të gjelbër) dhe gur komanski (për të verdhë).

E veçanta është se gjatë aplikimit ato janë pa ngjyrë. Më pas, enët zhytën në një lustër transparente. Sërish vihen në furrë, e cila ngrohet mbi 1010° C, dhe atëherë oksidet marrin ngjyrat e verdhë dhe të gjelbër. Kështu, procesi i krijimit të një objekti – nga topthi i deltinës deri te ena e gdhendur bukur – zgjat të paktën një muaj.

Nina Nesheva

Çdo hap kërkon durim dhe kujdes, dhe asgjë nuk mund të anashkalohet apo shmanget në këtë punë që duket kaq tërheqëse. Ndoshta për këtë arsye mjeshtrit që punojnë me qeramikën e Tërnovos mund të numërohen me gishtat e një dore. Për këtë na siguron Dimitër Neshevi, i cili punon në një nga atelietë më të vjetra të tregut Samovodska Çarshia. Këtu mësojmë se teknika e zanatit u rivendos falë mostrave të enëve të bujarëve të gjetura para disa vitesh në gërmime arkeologjike. “Në qytet nuk ka ndonjë atelie tjetër për qeramikën sgrafito, mbeti vetëm i yni” – thotë mjeshtri i ri dhe vazhdon:

“Teknologjia është shumë e rëndësishme të respektohet, përndryshe do të ketë enë të hedhura. Materialet i furnizojmë nga qyteti i Trojanit, ku ka shumë burime të deltinës së kuqe. Argjila e bardhë dhe glazura gjithashtu na vijnë nga Trojani. Gjithçka është me bazë minerale, pa plumb apo përbërës të rrezikshëm, prandaj këto enë mund të përdoren për ushqim.”

Simbolet dhe figurat e qeramikës së Tërnovos janë objekt i shumë studimeve shkencore, por, në përgjithësi, kjo lloj qeramike nuk është shumë e njohur dhe e përhapur në vend. Për shembull, jo në atë masë siç është qeramika e Trojanit. Qeramika e Tërnovos dallohet nga shkollat e tjera sgrafito në Evropë për ornamentet e saj më të pasura gjeometrike, motivet florale dhe figurat e kafshëve – më shpesh shqiponja, luanë dhe peshq – si dhe për dantellat e imta, aplikacionet me figura shtazore dhe gamën karakteristike ngjyrash në të verdhë dhe të gjelbër. Shpesh, figurat e qeramikës sgrafito të Tërnovos mbartin edhe një përmbajtje mitologjike. Jo rrallëherë mund të shihen kombinime si luan me krahë shpendi, pëllumb me shqiponjë, fytyrë njerëzore e ndërthurur me motive bimore dhe figura të tjera komplekse. Në enët nga shekujt XII–XIV janë paraqitur kryesisht zogj, dhe në veçanti shqiponja, e cila gjatë periudhës së Mbretërisë së Dytë Bullgare konsiderohej si simbol mbretëror. Edhe sot, familja Neshevi e ruan me përkushtim këtë traditë në atelienë e tyre artizanale në Tërnovo. “Për këtë arsye, qeramika jonë plotëson edhe disa ekspozita muzeore që synojnë të paraqesin jetën dhe kulturën e Mbretërisë së Dytë Bullgare” – thotë Dimitër Neshev.

Edhe veglat për punishten e qeramikës, familja Neshevi i kanë punuar vetë. Atelieja e vogël ngjan me një sallë të thjeshtë ekspozite, ku mund të shihen rrota e punuesit të qeramikës dhe deltina e përgatitur për punë. Ata janë gjithmonë të gatshëm të ndajnë sekrete nga zanati i tyre dhe thonë se interesin më të madh e tregojnë turistët bullgarë, të cilët e vlerësojnë qeramikën sgrafito si një kujtim nga vitet e lavdishme të shtetit bullgar.

“Askush më nuk punon me teknikën sgrafito, sepse është një proces shumë i gjatë dhe i lodhshëm. Furrat punojnë me energji elektrike, çka e rrit koston e punës, dhe kur shtojmë edhe materialet, çmimi i prodhimit tonë rritet edhe më shumë. Ka dallim mes një qeramike dhe një tjetër, por njeriu duhet ta njohë teknologjinë. Do të doja që, kur të vijnë tek ne, të paktën për pak çaste të rinjtë të shohin çfarë do të thotë zanat – si kanë jetuar të parët tanë dhe si e kanë shndërruar jetën në art. Dua që qeramika jonë të ruhet dhe të ketë kush ta vazhdojë këtë zanat, sepse kjo bukuri nuk mund të zëvendësohet me asgjë nga teknologjitë moderne.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Gergana Mançeva, Zdravka Masljankova




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Valle tek burimi" në Vëlingrad – kur tradita buron nga zemra e Rodopëve

Vëlingradi fton përsëri këtë vit të gjithë adhuruesit e folklorit bullgar të vallzojnë në valle pranë burimeve të famshme minerale të qytetit. Më 12 dhe 13 korrik, sheshi qendror i Vëlingradit do të mbushet me tingujt e daulles dhe gajdes gjatë ngjarjes..

botuar më 25-07-12 9.05.PD

Ansambli “Orfeu” nga Kërxhali përfaqëson Bullgarinë në një festival folklorik në Kosovë

Ansambli përfaqësues i vallëzimit “Orfeu”, pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin bullgar Kërxhali, do të përfaqësojë qytetin e Rodopeve dhe Bullgarinë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit “I Porsalindur” që zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës,..

botuar më 25-07-03 3.15.MD
Foto: Muzeu

Kostumet tradicionale bullgare nga fshati rumun Băleni-Sârbi hynë në një katalog etnografik

Një album që përmbledh kostume tradicionale nga shtatë rajone të Vllahisë në Rumani u prezantua në ambientet e Muzeut të Qarkut Giurgiu.Në katalogun, të quajtur "Koleksioni Etnografik i Muzeut "Teohari Antonescu" në Giurgiu - Kostume Popullore dhe..

botuar më 25-06-29 6.00.PD