KULTURË

Artikull

Kur shkenca ëndërron: arti i Georgi Pçellarov

Me ekspozitën “Kunstkamera” ilustratori shkencor shënon 70-vjetorin e tij

Enjte, 11 Dhjetor 2025, 07:00

Georgi Pçellarov

Georgi Pçellarov

FOTO: Diana Cankova

Madhësia e shkronjave

Pasioni i tij i fëmijërisë për mbledhjen e koleksioneve të insekteve, Georgi Pçellarov e shndërron në art, i mbështetur mbi njohuritë shkencore dhe fantazinë e një artisti. Dhe megjithëse tradita urdhëron që në përvjetorë të rrumbullakët krijuesit të paraqesin një retrospektivë të arritjeve, ai përgatit 41 vepra të reja me rastin e ditëlindjes së tij të 70-të.

Ekspozita “Kunstakamera” në Galerinë-librari “Sofia Pres” na fut në një dhomë të arteve, në të cilën krijimet e natyrës marrin jetë në një botë të gjallë dhe plot ngjyra. Që me hyrjen në pragun e saj, ilustrimet e kafshëve dhe bimëve hyjnë në shpirtin e njeriut, duke e pastruar atë nga fatkeqësitë dhe kontaktet me realitetin.

“Vendosa të jem jo tradicional, kështu që ky është fryti i punës sime njëvjeçare – thotë ilustratori shkencor. – Vizatimet janë bërë për arsye të ndryshme – disa janë ilustrime për libra, e të tjerat janë vepra të pavarura. Interesante është se në ekspozitë janë paraqitur edhe bimë, megjithëse para disa vitesh vizatoja kryesisht kafshë. Kjo krijon një larmi të këndshme. Janë përdorur teknika të ndryshme – disa janë vizatuar me laps, por shumica janë me akuarel.”

FOTO: Diana Cankova

Në fëmijërinë e tij, Georgi Pçellarov kënaqej me lojërat, por me interes studionte edhe banorët e natyrës.

“Apartamenti ynë në Razgrad ishte pranë një parku të madh – kujton ai. – Përveç se luaja atje, që në moshë shumë të hershme mblidhja koleksione nga flutura, brumbuj, çdo lloj çudirash dhe përpiqesha t’i vizatoja. Kështu që që atëherë filloi interesi im dhe deri sot vazhdoj të mbledh koleksione. Jo rastësisht e quajta ekspozitën ‘Kunstkamera’ – vetë kabineti im, atelieja dhe biblioteka janë një kunstkamera mjaft interesante, sepse në të ka të gjitha llojet e rrallësive, kafka kafshësh, pendë zogjsh.”

FOTO: Diana Cankova

Kuratorja e ekspozitës, Hristina Grozdanova, e pasuron rrëfimin për ilustratorin shkencor të lindur në vitin 1955 në Ruse:

“Interesante është se ai mbaron biologjinë. Që në shek. XIX dhe XX në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën Perëndimore shumë autorë zhvillohen në fushën e ilustrimit shkencor dhe, në radhë të parë, ata janë studiues dhe, nga nevoja, artistë. Edhe te ne kemi disa krijues, më me përvojë prej të cilëve është Georgi Pçellarov.

Hristina Grozdanova

FOTO: Diana Cankova

Pas mbarimit të Universitetit të Sofjes ai fillon të merret me ilustrim shkencor dhe që në vitin 1987 merr angazhimin e tij të parë serioz – ilustrime për monografinë “Fauna e Bullgarisë”, vëllimi “Shpezë”.

Që nga atëherë ai mbetet në këtë fushë, duke u marrë gjatë gjithë jetës me ilustrimin e botimeve shkencore. Një vepër shumë e njohur e tij është përcaktuesi i botuar në vitin 1991 “Shpendët e Gadishullit Ballkanik” me rreth 2 mijë ilustrime me ngjyra dhe i ribotuar në vitin 2012 me botim të zgjeruar, i cili mbetet libri më aktual i këtij lloji. Që nga viti 2016 ai është kryetar i Shoqatës së animalistëve, floristëve dhe ilustratorëve shkencorë – DAFNI, dhe këtë vit merr pjesë në ekspozitën prestigjioze ndërkombëtare të ilustratorëve botanikë, të organizuar nga shoqata më e madhe amerikane e këtyre artistëve.”

FOTO: Diana Cankova

Si një shkencëtar i vërtetë, Georgi Pçellarov arrin të nënshtrojë lirinë artistike ndaj disiplinës shkencore dhe vërtetësisë në ilustrimet e tij.

FOTO: Diana Cankova

“Këtu harrohet pak për lirinë në art, sepse ilustrimi shkencor kërkon saktësi – deklaron ai. – Ka mjaft njerëz që menjëherë do të gjejnë probleme nëse nuk ia del me objektin. Kështu që pikësaktësia, respektimi i rregullave gjatë paraqitjes së llojit të caktuar, është i detyrueshëm dhe liria kalon në plan të dytë. Nga ana tjetër, ilustrimi shkencor është art – ka formë interpretimi dhe artisti vë në të shikimin dhe shenjën e tij.”

Georgi Pçellarov kthehet në vitin e largët 1983, kur, duke u ndjerë në një udhëkryq, vendos t’i përkushtohet paraqitjes së natyrës së gjallë. “Atëherë pothuajse nuk kishte njerëz që të merreshin vetëm me këtë. Ky udhëtim vazhdon tashmë 42 vjet – ishte e vështirë, por vendim i drejtë”, thotë ai. Edhe sot e kësaj dite ai ndan kohën mes natyrës dhe ateliesë, ku, i zhytur në artefakte dhe libra, vizaton. Georgi Pçellarov cilësohet si një nga ilustratorët më të njohur të kafshëve.

FOTO: Diana Cankova

“E shpjegoj me faktin se kam mjaft përvojë të gjatë dhe njohuri të forta, të mbledhura ndër vite – thotë Georgi Pçellarov. – Për kolegët e rinj, sidomos nëse nuk janë biologë dhe zoologë, është mjaft e vështirë të përmbushin detyrën për të paraqitur një lloj të caktuar, sepse duhet të kërkojnë informacion. Ndërsa për mua mjafton të dëgjoj emrin e llojit dhe menjëherë mund ta skicoj atë. Sigurisht, pastaj e saktësoj vizatimin.”

FOTO: Diana Cankova

Të pashkelshme janë rrugët që na çojnë në vendin e duhur – e pse të mos jetë ky një mbiemër?

Mbiemri Pçellarov është relativisht i ri, ai është ‘izolim’ i babait tim, sepse babai dhe gjyshi i tij kanë qenë bletarë. Por mund të bëhet një lidhje, pasi bletët, në përgjithësi insektet me krahë të hollë, janë jashtëzakonisht interesante për mua”, buzëqesh ilustratori shkencor.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski

Foto: Diana Cankova