Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Enjte 25 Dhjetor 2025 06:00
Enjte, 25 Dhjetor 2025, 06:00
Kompozitori Georgi Genkov
FOTO: Unioni i Kompozitorëve Bullgarë
Madhësia e shkronjave
"Muzika e mikut tim... Vazhdoj të pyes veten se si ta quaj, dhe midis mbiemrave "e çuditshme, e butë, delikate" që më vijnë ndërmend – papritur shfaqet përkufizimi "i zgjuar"..." – këto janë fjalët e poetit madhështor bullgar Valeri Petrov për veprën e Georgi Genkov (1929 - 2010). Specialistët e njohur pohojnë se Genkov është "përkthyesi" më i talentuar i poezive të Valeri Petrov në gjuhën muzikore dhe skenike. Dëshmi për këtë janë katër muzikalet e tij dhe një operë, të krijuara në bazë të përrallave të preferuara të poetit: "Një buton për gjumë", "Për ta thënë me butësi", "Deti blu", "Në dhomën e hënës" dhe "Përralla e bardhë", të njohura prej kohësh si shembuj klasikë të teatrit muzikor bullgar. Kompozitori ndërroi jetë pikërisht në Krishtlindje - 25 dhjetor 2010. Disa ditë më vonë, në faqet e gazetës "Kulturë", in memoriam, ai u quajt "një personalitet i ndritshëm dhe një njeri modest".
Georgi Genkov
FOTO: BNR (arkiv)
Një krijues me estetikë të dallueshme, veçanërisht të hollë dhe të rafinuar, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX Genkov krijoi shembuj përfaqësues në muzikën teatrale dhe filmike vendase. Stili i tij autorial karakteristik – i gjallë, asociativ, lakonik, me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme për dramaturgjinë – lë një gjurmë specifike, të cilësuar si ‘stili i Wilde’, mbi më shumë se 100 shfaqje teatrale, mbi 200 filma (mes të cilëve hite si ‘Mbretëresha e Tërnovos’, ‘Zonjat ftojnë’, ‘Magjia e bardhë’, ‘Sharmi i rrezikshëm’, ‘Unë, Kontesha’, ‘Koha e ndarjes’), disa suite simfonike, dhjetëra këngë për fëmijë dhe këngë popullore.
Në fillim të librit "Përpjekje për një portret", botuar tre vjet pas vdekjes së tij, bashkëshortja e kompozitorit - regjisorja e shquar Prof. Bistra Atanasova pyet veten: "Si mund ta përshkruajë këtë personalitet të gjerë dhe të pazakontë? Në të gjithë jetën time nuk kisha hasur kurrë një fenomen të tillë. I talentuar në mënyrë të pazakontë, i bashkuar me muzikën që e donte dhe e kompozonte. Fliste me entuziazëm para se gjithash për të tjerët - qofshin gjeni në fushën e artit apo kolegë, miq, por jo për veten e tij... Ai ishte një muzikant jashtëzakonisht erudit... diçka si një enciklopedi muzikore - siç tha vetë në një intervistë: "Për mua, muzika është si tabela periodike е elementeve - nëse dëgjoj diçka që nuk e di, menjëherë gjej vendin e saj në të."
Rumjana Karakostova
FOTO: artstudies.bg
Një bisedë me muzikologjen Rumjana Karakostova, botuar në vitin 2004, Georgi Genkov përfundon me fjalët: "Unë vazhdoj të mendoj se muzika është një botë, diku më lart se ne...". Gjatë jetës së tij, ai jo vetëm që kërkonte botë të tjera - më lart se e jona, ai ishte fjalë për fjalë atje. Një nga provat më të habitshme është një miniaturë vokale perfekte, e dëgjuar për herë të parë në filmin "Adios, Muchachos". Kjo dramë prekëse nga regjisori Janko Jankov, bazuar në një skenar nga Valeri Petrov dhe Vasill Conev, u shfaq në ekranet e kinemave në vitin 1978 dhe sot askush nuk e kujton. Por pikërisht nga soundtrack-u i saj është një pjesë e pakrahasueshme në aspektin e tekstit dhe muzikës e "Këngës për Njerëzit Fluturues". Për ata që nuk vijnë nga Hapësira, për ata që lindin midis nesh, por ndonjëherë fluturojnë - mbi baltën dhe hirin, mbi problemet e përditshme dhe fitimet materiale, mbi gëzimet dhe shqetësimet e parëndësishme të jetës. Ata - "fluturuesit", në pamjen e të cilëve ne, pjesa tjetër prej nesh, psherëtijmë fshehurazi dhe ndiejmë një dhimbje të çuditshme nga kujtesa e paqartë se ndoshta edhe ne ishim "të llojit të tyre".
Georgi Genkov ndërroi jetë pikërisht në Krishtlindje – 25 dhjetor. Thonë se në festat e mëdha fetare largohen shpirtrat më të ndritshëm dhe më të drejtë, ata që fluturojnë që në gjallje. Si autorët e këngës së mrekullueshme – Valeri Petrov, Georgi Genkov dhe interpretuesi i saj – aktori i paharrueshëm Asen Kisimov.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva