Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Dielë 14 Dhjetor 2025 10:30
Dielë, 14 Dhjetor 2025, 10:30
Jani Nikolla
FOTO: Arkiva personale
Madhësia e shkronjave
“Përshëndetje! Quhem Jani Nikolla. Kam lindur në Prespën e Vogël, Shqipëri, ku përfundova edhe arsimin tim fillor. Vij nga një familje me prejardhje bullgare, e cila brez pas brezi jeton në këtë trevë të bukur, por shumë të vogël të Shqipërisë – Prespën e Vogël.
Kështu po fillon historia jonë e sotme për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, si dhe për ne, njerëzit që i krijojmë këto lidhje. Radio Bullgaria ka rrëfyer jo vetëm një herë histori për bullgarët në Shqipëri, të cilët jetojnë në këto troje prej shekujsh. Historik për ta do të mbetet viti 2017, kur bashkatdhetarët tanë u njohën për herë të parë zyrtarisht si pakicë kombëtare nga autoritetet në Shqipëri. Në vitin 2023 u zhvillua edhe regjistrimi zyrtar i popullsisë, i 12-ti në shtetin ballkanik, i cili tregoi qartë ekzistencën e komunitetit tonë – 7057 persona u vetëdeklaruan si bullgarë. Ekipi ynë ka përjetuar personalisht mikpritjen dhe ngrohtësinë e këtyre njerëzve. Ka dëgjuar historitë e tyre, dhimbjen dhe shpresën e tyre. Dhe sot, kur dy shtetet ballkanike janë më afër se kurrë në rrugën e përbashkët evropiane, ju takojmë me një nga shtyllat e miqësisë bullgaro-shqiptare – z. Jani Nikolla. Prej gjashtë vitesh ai është nënkryetar i Bashkisë Pustec, në zonën më të banuar nga bullgarë në Prespën e Vogël, si dhe sekretar i përgjithshëm i “Shoqatës për Miqësi Bullgaro-Shqiptare” me qendër në qytetin e Korçës. Një njeri që e di më mirë se ne se çfarë do të thotë të ecësh përpara me kujtesë dhe dashuri për atdheun tënd, i cili ndodhet vetëm një hap larg teje.
Korça
FOTO: Arkiva
Nikolla është një nga ata 3691 burra dhe 3366 gra, të cilët e bënë zyrtarisht komunitetin bullgar pakicën e katërt për nga numri në vend, pas grekëve, romëve dhe egjiptianëve ballkanikë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Dy vite më vonë, autoritetet në Tiranë ende nuk i kanë shpallur të dhënat konkrete sipas vendbanimeve, gjë që është me rëndësi kyçe për bashkatdhetarët tanë atje.
Bullgarët në Shqipëri jetojnë kryesisht në zonat e Prespës së Vogël, Gollobordës dhe Gorës dhe, nëse regjistrimi në këto zona tregon praninë e të paktën 20% popullsie bullgare, ata do të mund t’u kërkojnë autoriteteve vendore që mësimi në shkollat e mesme të zhvillohet në gjuhën e tyre amtare. Kjo lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e kulturës, historisë, traditave dhe shpirtit bullgar në këto treva. “Rezultatet ende po vonohen për arsye politike”, na thotë Jani Nikolla. I lindur në vitin 1986, për të pyetja “Çfarë kombësie ke?” nuk ka ekzistuar kurrë:
FOTO: Shoqata për Miqësi Bullgaro-Shqiptare
“Që i vogël e kam ditur se kush jam dhe nuk kam turp nga kjo, ndryshe nga shumë njerëz, për shembull në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë turp të thonë se janë bullgarë. Unë jam krenar për atë që jam dhe nuk turpërohem ta deklaroj publikisht.”
Jani është nga ata fëmijë të Bullgarisë, të lindur larg, por që kanë përhtithur më të çmuarën – dashurinë për atdheun nga prindërit dhe arsimin në Bullgari. Ëndrra e tij e madhe ishte të studionte mjekësi në Pleven dhe të shëronte njerëz. Por fati kishte një plan tjetër dhe në vitin 2004 ai u pranua për të studiuar drejtësi në Universitetin e Ruses “Angell Kënçev”. Ai u diplomua dhe, pavarësisht dëshirës për të qëndruar të jetonte dhe të punonte në Bullgari, arsye familjare e kthyen sërish në Shqipëri. Që të shëronte identitetin bullgar në tokën e lindjes.
“Pas kthimit tim në Shqipëri punova për disa vite në organizata joqeveritare, ndërsa në vitin 2015, së bashku me miqtë e mi, të diplomuar gjithashtu në Bullgari, dhe me mikun tonë Dhimitër Pandovski, themeluam ‘Shoqatën për Miqësi Bullgaro-Shqiptare’ në qytetin e Korçës. Që në fillim e kuptuam sa e rëndësishme ishte të jemi të bashkuar. T’i japim zë komunitetit tonë dhe të punojmë në dobi të tij. Në fillim nisëm me organizimin e kurseve falas të gjuhës bullgare, iniciativa kulturore dhe arsimore, konkurse për fëmijë dhe të rinj. Me mbështetjen e fondacionit „Kujtesa Bullgare“ të dr. Milen Vrabevski kemi marrë pjesë gjithashtu në seminare të organizuara në Bullgari, ku kemi çuar shumë fëmijë nga trevat tona. Sot organizata jonë administron dy shkolla bullgare të së dielës në qytetin e Korçës dhe në qytetin e Pogradecit, ku mësojnë rreth 45 fëmijë. Qëllimi ynë kryesor janë të rinjtë, bullgarë. Ne jemi lidhja e gjallë mes Bullgarisë dhe Shqipërisë. Një urë miqësie, kulture dhe mirëkuptimi të ndërsjellë,” – thotë bashkatdhetari ynë.
FOTO: BTA
Dhe nëse i lejojmë vetes të përdorim fjalët e poetit dhe revolucionarit të madh Hristo Botev nga poezia e tij “Kaçakët”, do të themi: Kush nuk e njeh Jani Nikollën, kush nuk ka dëgjuar për të? E tillë është edhe e vërteta për zonën e Prespës së Vogël, për të cilën u bind personalisht edhe ekipi i Radio Bullgarisë vetëm një muaj më parë gjatë vizitës sonë atje. Dhe si një njeri që njihet gjerësisht dhe që e njeh në thellësi komunitetin bullgar, Nikolla nuk i fsheh as problemet me të cilat ai përballet sot.
FOTO: Vesella Krësteva
“Problemet janë të ndryshme. Bullgarët këtu jetojnë në zona shumë të varfra, të lëna pas dore, pa investime. Në radhë të parë mund të përmend shëndetësinë. Këtu nuk ka specialistë, ndërsa njerëzit janë shumë të varfër dhe nuk kanë mundësi të shkojnë për t’u trajtuar në klinika të specializuara në kryeqytet ose në qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Për këtë arsye, falë fondacionit Kujtesa Bullgare“ dhe dr. Milen Vrabevskit, ndërmorëm një iniciativë dhe në fund të muajit tetor të këtij viti, për të katërtën herë radhazi, organizuam kontrolle të përgjithshme mjekësore falas në zonën e Prespës. Gjatë dy viteve të fundit janë kontrolluar mbi 500 persona, ndërsa ata me sëmundje ose diagnoza më të rënda do të trajtohen plotësisht falas në Bullgari, falë dr. Vrabevskit. Ky është vërtet një lajm shumë i mirë për ne dhe një sukses i madh i iniciativës. Një problem tjetër është mungesa e vendeve të punës për të rinjtë. Njerëzit zgjedhin të emigrojnë ose jashtë vendit, ose në qytetet më të mëdha, gjë që për ne është një problem i madh, sepse fshatrat në këtë zonë po zhduken gradualisht nga harta demografike.”
“Zgjidhje ka,” na thotë Jani – duhen investime dhe perspektivë për popullsinë e re, jo vetëm për ata 5100 bullgarë të Prespës së Vogël. Nëse kjo do të ndodhë me pranimin e Shqipërisë si anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, një rrugë që shteti e ndërmori zyrtarisht në vitin 2024 dhe që ka mundësi të përfundojë rreth vitit 2030, mbetet për t’u parë. Vetë Jani Nikolla e mbrojti me sukses doktoraturën e tij në vitin 2017 me temën “Marrëdhëniet bullgaro-shqiptare në dritën e proceseve të integrimit të përgjithshëm evropian” në Universitetin Jugperëndimor “Neofit Rillski” në Bllagoevgrad.
FOTO: BTA
“Unë mendoj se ndryshimet nuk do të vijnë vetëm për shkak të anëtarësimit në BE. Por atëherë do të jemi më afër me Bullgarinë. Kufijtë do të bien dhe do të jemi një,” – thotë bashkatdhetari ynë. – “Qëllimi ynë tani është të ruajmë shpirtin bullgar këtu, në Shqipëri, të vazhdojmë të mbrojmë gjuhën dhe kulturën bullgare, ndërsa në të ardhme të kemi edhe përfaqësuesit tanë në parlamentin shqiptar, në mënyrë që zëri ynë të jetë më pranë atyre që qeverisin,” – thotë Nikolla dhe pranon se sot nuk kanë diçka që i lidh me ata që janë në pushtet në Shqipëri, por nuk kanë as probleme me ta. Sa i përket palës bullgare, Jani Nikolla është i mendimit se ata punojnë mirë dhe se komuniteti merr mbështetje, veçanërisht nga Ambasada Bullgare në Tiranë dhe ambasadori z. Ivajllo Kirov.
“Bullgaria aktualisht ndodhet në një krizë politike, por si shtet evropian duhet të ketë një strategji ndaj bullgarëve jashtë vendit. Dhe kjo strategji, pavarësisht ndryshimeve të qeverive, duhet të ekzistojë dhe të jetë më pranë nesh – bullgarëve në diasporë.”
Në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, Jani Nikolla u uron të gjithë bullgarëve:
“Të jenë shëndoshë e mirë! Bashkatdhetarëve tanë në Bullgari dua t’u kujtoj të mos harrojnë se ka edhe bullgarë që jetojnë jashtë kufijve, veçanërisht në Shqipëri, në zonat e Vërnikut, Prespës së Vogël, Korçës, Pogradecit, Gollobordës dhe Gorës. Të gjithë bullgarëve në mbarë botën dua t’u them se duhet të kontribuojnë për mirëqenien e atdheut, sepse nuk ka asgjë më të mirë se shteti yt, të punosh në shtetin tënd dhe të jetosh në të. Të kërkojnë mundësi për t’u kthyer, të punojnë në Bullgari, që ajo të bëhet gjithnjë e më e fortë.”
Ose thjesht të ndërtojnë shoqatat e tyre të vogla të miqësisë me Bullgarinë dhe me vendet që i kanë shndërruar në shtëpitë e tyre të reja. Sepse kufijtë po bien dhe një ditë vërtet do të jemi një, ashtu siç ëndërron edhe Jani Nikolla – bullgar, i lindur dhe i rritur në Shqipëri.
Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello