MUZIKË

Artikull

“Krishtlindja” e kompozitorit Dimitër Nenov

Vepra e parë e rëndësishme bullgare, kushtuar Lindjes së Krishtit

Premte, 26 Dhjetor 2025, 18:45

Dimitër Nenov (1901–1953)

Dimitër Nenov (1901–1953)

FOTO: sofiaartinstitute.com

Madhësia e shkronjave

“Unë jam pianist, kompozitor, dirigjent, kritik dhe arkitekt” – kështu vetë e përshkruan veten në një letër i madhi muzikant bullgar Dimitër Nenov (1901–1953). Në secilën nga këto fusha ai la gjurmë unike: bartës i modernitetit në muzikën bullgare, një nga themeluesit e Shoqatës së Kompozitorëve Bullgarë “Muzikë Bashkëkohore”, instrumentist i jashtëzakonshëm me një kontribut të madh për shkollën tonë të pianos, profesor në Akademinë Shtetërore të Muzikës, redaktor i parë muzikor në Radio Sofje dhe arkitekt, i cili projektoi ndërtesa në qytete të ndryshme të vendit.

Një nga figurat kryesore të elitës intelektuale bullgare në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, Dimitër Nenov ishte një figurë kyçe në të gjithë kulturën bullgare të asaj kohe. Pas studimeve të njëkohshme në arkitekturë në Shkollën e Lartë Teknike të Drezdenit dhe piano dhe kompozicion në Konservatorin e Drezdenit, në vitin 1927 ai u kthye në vendlindje dhe punoi disa vite si arkitekt në Ministrinë e Ndërtesave Publike, Rrugëve dhe Urbanizimit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave. Ai drejtoi punimet e rindërtimit në Borisovgrad (sot Përvomaj) pas tërmetit shkatërrues të Çirpanit në vitin 1928. Projektoi disa stacione hekurudhore (ai në Zverino konsiderohet një model i rafinuar i modernizmit arkitekturor bullgar). Ai hartoi një projekt të madh për një ndërtesë të re të Akademisë së Muzikës në Sofje, i cili nuk u realizua.

Stacioni hekurudhor në Zverino, i ndërtuar rreth vitit 1930 sipas një projekti nga Dimitër Nenov

FOTO: Facebook/bgmodernist

Si në arkitekturë, ashtu edhe në muzikë, Dimitër Nenov është një krijues jashtëzakonisht origjinal dhe modern. Stili i tij – i rafinuar, intelektual, i pasur me imazhe dhe ngjyra tingullore – mbart një gjurmë bashkëkohore, por edhe një shenjë të qartë kombëtare. Kompozitori preferon zhanret simfonike dhe të dhomës. Vepra e tij më e njohur solo, e cila zë një vend të rëndësishëm në repertorin e pianistëve bullgarë, është “Tokata”, më vonë orkestruar nga nxënësi i tij i famshëm, Llazar Nikollov. Koncerti i Nenovit për piano dhe orkestër është unik për formën dhe përmasat e pjesës për piano. Por një nga kontributet e tij më të rëndësishme në artin vendas shfaqet në fund të viteve 30-të të shekullit të kaluar, kur u krijua vepra e parë e madhe vokalo-instrumentale e një kompozitori bullgar, kushtuar Krishtlindjes.

Premiera e poemës simfonike “Krishtlindja” për solistë, kor të përzier dhe orkestër u zhvillua në vitin 1940. Pas një rishikimi serioz, u prezantua sërish më 7 janar 1944, por më pas u harrua për gati katër dekada. I harruar dhe i neglizhuar mbeti edhe vetë Dimitër Nenov, i cili vdiq në moshën 51-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

FOTO: dimitarnenov.com

“Krishtlindja” u ringjall në skenën e Sofjes mezi në vitin 1982. Në vitin 1994 ajo u regjistrua nga formacionet e Radios Kombëtare Bullgare (BNR), nën dirigjimin e Milen Naçevit. Gati një çerek shekulli më vonë – më 1 dhjetor 2017, në sallën “Bëllgaria”, Kori i Përzier dhe Orkestra Simfonike e BNR-së e prezantuan sërish “Krishtlindjen” nën drejtimin e Mark Kadin.

FOTO: Ani Petrova - BNR

Atëherë, në një intervistë për programin “Horizont”, dirigjenti ndau se partitura e kishte intriguar thellë: “Për mua ishte interesante të vëzhgoja procesin historik dhe të krahasoja se çfarë ishte situata në kohën kur Dimitër Nenov po shkruante oratorinë e tij “Krishtlindja”. Kjo është periudha e viteve 1938–1939… në atë kohë Stravinski tashmë ishte një yll, kishte pushtuar Evropën dhe Amerikën, ndërsa Prokofjevi ishte një personalitet i famshëm…”

Mark Kadin

FOTO: Ani Petrova - BNR

Sipas Kadin, gjysma e parë e shekullit të XX-të ishte një periudhë shumë intensive në zhvillimin e muzikës botërore, kur shfaqen mjete të reja shprehëse, stile dhe forma të reja – zhvillimi është i vrullshëm kudo. Në këtë sfond, sipas tij, Dimitër Nenov dallohet për faktin se nuk joshet nga avangardizmi: ai nuk ndjek përfaqësuesit e Shkollës së Re moderne të Vjenës, por mbetet besnik ndaj traditave.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova