Artikull
Shtunë 20 Dhjetor 2025 07:00
Shtunë, 20 Dhjetor 2025, 07:00
FOTO: starazagora.bg
Madhësia e shkronjave
Më 20 dhjetor 2025 fshati Zmejovo i rajonit të Stara Zagorës sërish pret adhuruesit e traditave dhe shijeve bullgare për të shënuar Festën e Pelinit. Sheshi i fshatit shndërrohet në skenë gëzimi dhe takimesh, ndërsa mjeshtër nga rajoni paraqesin pelinët e tyre shtëpiakë, me shpresën të nderohen me çmimin për eliksirin më të mirë – juria do të vlerësojë kthjelltësinë, ngjyrën, aromën dhe lehtësinë e pirjes së çdo shisheje. Degustimi nuk është vetëm për shqisat, ai është një urë drejt historisë dhe mënyrës se si breza të tërë kanë ruajtur sekretet e bimëve dhe aftësinë për të krijuar një pije me karakter dhe shpirt.
FOTO: starazagora.bg
Teknologjia e pelinit të Zmejovos është krejtësisht e ndryshme nga pelini osmar i njohur në vend. Për përgatitjen e tij përdoret një tretësirë e veçantë dhe verë e vjetër. I pari që e prodhoi ishte i linduri në vitin 1881 Stojan Najdenov – çorbadxhi vendas dhe pronar i një punishteje vere, dyqani dhe pijetoreje. Pikërisht ai është autori i recetës origjinale dhe nderohet nga vendasit me një pllakë përkujtimore të veçantë në ish-dyqanin e tij në fshat.
FOTO: starazagora.bg
Në ditën e së shtunës Zmejovo i pret mysafirët me një program të pasur folklorik, këngë dhe valle popullore, të interpretuara nga amatorë vendas dhe ansamble të ftuara, ndërsa aroma e pelinit të Zmejovos do të përzihet me gostinë festive. Organizatorë të festës dimërore janë Shtëpia e Kulturës Popullore “Probuda – 1928” dhe komuna e Zmejovos me mbështetjen e Bashkisë së Stara Zagorës, të cilët për një vit radhazi mbledhin banorët dhe mysafirët e fshatit në një përjetim të përbashkët dimëror.
Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Përpiloi: Veneta Nikollova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski