SHOQËRI

Artikull

Përrallë dimërore rodopase në Banite – filma, pazar dhe kaçamak rodopas

Shtunë, 20 Dhjetor 2025, 08:00

Përrallë dimërore rodopase në Banite – filma, pazar dhe kaçamak rodopas

FOTO: smolyanpress.net

Madhësia e shkronjave

Komuna Banite në Rodope i pret mysafirët e saj të shumtë me një program festiv dimëror, që ndërthur natyrën, traditat dhe frymën e Krishtlindjes. Deri në fund të dhjetorit fshatrat dhe qytetet e vogla malore në komunë gjallërohen me ngjarje të larmishme – nga panaire të Krishtlindjes me zanate vendore dhe specialitete të shijshme rodopase deri te koncerte, shfaqje teatrale dhe projeksione filmash për të vegjël e të rritur.

Më 20 dhe 21 dhjetor 2025 do të ketë projeksione speciale nga “Banite Film Fest”, shfaqje magjike dhe një pazar bamirës shkollor, ndërsa adhuruesit e sportit do të përfshihen në festimin e 20 vjetëve të hokejit në fushë në rajon, duke i shndërruar dy ditët në një mozaik të vërtetë festiv.

FOTO: bgtourism.bg

Deri në fund të muajit mysafirët e Komunës Banite do të mund të marrin pjesë në punëtori mjeshtërie për suvenire të punuara me dorë, të provojnë ëmbëlsira tradicionale dhe ëmbëlsira me shurup, të përgatitura sipas recetave të vjetra, dhe të zhyten në magjinë e dimrit malor mes majave të mbuluara me borë të Rodopëve. Ndërsa më 27 dhjetor mjeshtrja lokale e kuzhinës Marijana Emillova do të përgatisë live një kaçamak të shijshëm rodopas për të gjithë mysafirët.

FOTO: bgtourism.bg

Programi festiv përfshin gjithashtu koncerte të koreve dhe formacioneve muzikore, të cilat do t’i mbushin sheshet me melodi festive dhe ritme folklorike. Do të ketë edhe zakone tradicionale – mbajtja e degëve të drurit me zbukurime, demonstrime të valleve rodopase dhe procesione festive, që do të ndërthurin të qeshura, muzikë dhe frymë komunitare.

Përpiloi: Veneta Nikollova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski

Foto: smolyanpress.net, bgtourism.bg