Artikull
Mërkurë 24 Dhjetor 2025 11:48
Mërkurë, 24 Dhjetor 2025, 11:48
FOTO: Kopshti Zoologjik në Stara Zagora
Madhësia e shkronjave
Dhurata më e çmuar e Krishtlindjeve në Stara Zagora tashmë ka një fytyrë. Pas 43 ditësh në fshehtësi të plotë, për herë të parë para publikut u prezantua këlyshi i parë i tigrit bengalez i lindur në Bullgari. Lindja e të voglit ishte një surprizë e plotë madje edhe për ekipin e kopshtit zoologjik. Prindërit – Karina dhe Bellço – janë bashkë prej 8 vitesh dhe deri më tani nuk kanë pasur pasardhës.
Drejtori i kopshtit zoologjik, dr. Najden Ilinov, njoftoi se pas një kontrolli të kujdesshëm u konstatua se i porsalinduri është femër. Ajo ndihet shumë mirë, ndërsa nëna Karina po përkujdeset shkëlqyeshëm për të, dhe kafsha e re tashmë peshon 7,8 kg. Vogëlushi ende nuk ka emër, dhe pritet që pagëzimi i saj të shndërrohet në ngjarjen e parë të madhe për kopshtin zoologjik pas Vitit të Ri.
Tigri bengalez është i përfshirë në Librin e Kuq si një specie në rrezik kritik zhdukjeje. Nga kopshti zoologjik zbuluan edhe një lajm tjetër – po presin pasardhës edhe te luanët, dhe është e mundur që në shkurt të vitit të ardhshëm të lindë edhe një këlysh luani.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova