FOLKLOR

Artikull

“Krishtlindja nga Deti i Bardhë në Danub” – Stojan Varnaliev dhe 21 këngë

Të parët tanë i kanë ruajtur këngët e Vigjiljes së Krishtlindjeve si një pajë të çmuar”, thotë studiuesi i folklorit bullgar

Premte, 26 Dhjetor 2025, 07:00

“Krishtlindja nga Deti i Bardhë në Danub” – Stojan Varnaliev dhe 21 këngë

FOTO: Arkiv personal

Madhësia e shkronjave

Krishtlindja është një nga festat më të pritura për familjen. Sipas traditës së vjetër, në natën para Krishtlindjes secili duhet të jetë kthyer pranë të afërmve – edhe nëse ka përshkuar një rrugë të gjatë, për Krishtlindje duhet të jetë në shtëpi. Dhe tradita më e pritur në trojet tona është pritja e këngëtarëve të Krishtlindjes, të cilët në natën para festës së madhe vizitojnë çdo shtëpi me këngët e tyre-bekim dhe urimet për shëndet, për mbarësi dhe begati.

Këngëtarët e Krishtlindjes sjellin magjinë e Krishtlindjes bullgare, ata e mbushin festën me pritshmëri për fatin e mirë që do të realizohet gjatë gjithë vitit pasues. Dhe nëse një shtëpi nuk vizitohet nga këngëtarët, atëherë edhe viti nuk do të jetë i begatë për njerëzit që jetojnë në të – thoshin bullgarët e vjetër. Fatkeqësisht sot tradita është shndërruar më shumë në një atraksion dhe shpesh luhet në skenë, dhe sikur nuk përshtatet me konceptet urbane të festës.

Por çfarë humbasim duke u larguar nga traditat e të parëve tanë?
– këtë përpiqet të na sugjerojë autori i përmbledhjes “Krishtlindja – nga Deti i Bardhë deri në Danub”, Stojan Varnaliev. Vetë ai është një muzikant i talentuar dhe interpretues i këngëve autentike të Krishtlindjes, i mbledh dhe i regjistron ashtu siç njiheshin nga të parët tanë. Dhe akoma më interesante është se, përmes punës së tij, Stojan Varnaliev zbulon rrugën nëpër të cilën këngët kanë migruar dhe, siç shpjegon vetë ai – njerëzit i merrnin këngët si një trashëgimi të çmuar, e cila duhej të përcillej në vendin e ri, atje ku shkonin, në kërkim të një jete më të drejtë dhe më të mirë. Kështu një këngë, e krijuar në dialektin e Rodopëve, zbriste në fushë, por vazhdonte të tingëllonte në mënyrën se si e kishin kënduar njerëzit e malit.

FOTO: Arkiv personal

Tema e migrimit të bullgarëve nga Trakia e Detit të Bardhë, drejt rajonit të Jambollit, e më pas përmes Dobruxhës – deri në Danub, është e pafundme, ndërsa këngët e vigjiljes së Krishtlindjeve në përmbledhjen e Stojan Varnaliev vetëm sa e sugjerojnë pasqyrimin e këtij momenti historik në jetën dhe përditshmërinë e refugjatëve dhe të shpërngulurve.

Libri “Nga Deti i Bardhë deri në Danub” përfshin 21 këngë nga repertori i vetë Stojan Varnaliev. Përveçse këngët janë përcjellë me tekstin popullor, ato shoqërohen me nota muzikore dhe CD, që të mos harrohet tingëllimi i tyre autentik.

FOTO: Arkiv personal

“Me këtë projekt ne u tregojmë dëgjuesve tanë se ekziston një festë dhe ajo është më e ngrohta, më e bukura, më e përzemërta – festa që bashkon dhe është një arsye për t’u ndier të afërt me njëri-tjetrin, për të qenë empatikë dhe për t’u dhuruar të afërmve tanë praninë tonë” – thotë krijuesi i përmbledhjes, me zërin e të cilit i dëgjojmë këto këngë të vjetra bullgare, Stojan Varnaliev. Dhe vazhdon: – fillova të këndoja “Çizmet e kuqe trokisnin”. Kjo është një këngë nga fshati im i lindjes – Generall Inzovo, rajoni i Jambollit. Në fshatin tim ka refugjatë nga Trakia e Detit të Bardhë, nga vendbanime të ndryshme atje, prandaj unë i kam dëgjuar këto këngë dhe ato hynë në repertorin tim. Kënga e parë ishte “Çizmet e kuqe trokisnin”, pastaj “U bë e famshme e bukura Vivda”, dhe më pas fillova të shikoja edhe drejt këngëve të Detit të Bardhë. E para që regjistrova ishte “U hodh një valle e imët”.

FOTO: BTA

Kur shkon në Dobruxhë para 5 vitesh, Stojan Varnaliev punon me Zhivko Zhelev, i cili bën aranzhimin e këngëve të Krishtlindjes në përmbledhje. Vetë Zhelev e sheh te Stojan Varnaliev vazhduesin e traditës që i është përcjellë nga këngëtarja popullore Vëllkana Stojanova, e cila është edhe mentore e tij në muzikën folklorike. Ai e cilëson si një ruajtës të madh të këngëve bullgare të Vigjiljes së Krishtlindjeve, ndaj e këshillon të regjistrojë më shumë këngë të tilla nga krahina e vet, por të dëgjojë edhe ato që këndojnë këngëtare të tjera të njohura popullore – Kalinka Vëllçeva dhe Atanaska Staneva. Pikërisht kështu Stojan Varnaliev arrin t’i rizbulojë ato dhe të gjejë një tingëllim të përbashkët me ato trakase. “Atëherë Zhelev më tha se këto janë këngë të të shpërngulurve nga Trakia. Edhe fisi i Kalinka Vëllçevës është nga fshati Gllavan, rajoni i Stara Zagorës, ndërsa Atanaska Staneva është nga rajoni i Jambollit. Në këtë mënyrë zbulova se në Dobruxhë ka shumë këngë trakase” – ndan studiuesi gjatë pjesëmarrjes së tij në edicionin e Krishtlindjeve të emisionit “Bullgaria sot” në Radio Bullgaria:

“Ata janë shpërngulur atje, por më interesantja është se kanë ruajtur pamjen dhe karakterin e vendit prej nga kanë ardhur. Kjo më la një përshtypje shumë të madhe dhe më pas fillova të mendoj se edhe këngët e Vigjiljes së Krishtlindjeve janë shpërngulur në Bullgarinë Lindore, ashtu si njerëzit. Ata i kanë mbajtur këngët si pajë në gji. Në këtë mënyrë kanë ruajtur një trashëgimi që ne nuk e shohim, por që na mbush zemrat dhe na ngroh shpirtrat. Dhe deri më sot na tregon se rrënja bullgare është shumë, shumë e thellë këtu. Dhe qoftë në jug, qoftë në veri, ajo është e njëjta.”

Këngët janë jashtëzakonisht të pasura, shumë poetike, me tekste shumë domethënëse. Çdo fjalë në to ka qëllimin e vet. Në këngët e Krishtlindjes nuk ka asgjë sipërfaqësore – në to gjithçka është e saktë, e qartë dhe konkrete. Ato janë të destinuara për një person të caktuar – për zonjën e shtëpisë, për djalin, për vajzën. Ka këngë që këndohen rrugës, ose kur grupi mblidhet dhe niset. “Nuk ka asnjë këngë që të jetë kënduar pa qëllim” – pohon Stojan Varnaliev dhe vazhdon:

“Melodia është e bukur, e pasur, interesante, dhe pikërisht për këtë janë këngë burrash, që burrat të mund t’i këndojnë. Janë të vështira aq sa teksti është i lidhur me vijën melodike, e cila është shumë e pasur. Dhe e gjithë kjo duhet të këndohet, sepse kur i gjithë grupi i këngëve këndon, të gjithë i presin këngët e tyre si dhuratë. Vetë zërat janë si një magnet që zgjon tokën. Atëherë është ende periudha e ditëve të ndyra dhe zërat e burrave kanë një fuqi të tillë pastruese. Kënga e Krishtlindjes duhet të jetë në gjendje të pastrojë atë energji negative që është grumbulluar ose që sapo po vjen drejt fshatit. Prandaj këto këngë janë kaq interesante, me tekste kaq të pasura – aty shohim edhe një njohje shumë të detajuar të Biblës dhe të subjekteve biblike. Shohim se këngët e Krishtlindjeve janë të lidhura edhe me paganizmin, por në shumë nga këngët këndohet për shenjtorë që ndihmojnë dhe vigjilojnë mbi njerëzit, ndërsa elementët paganë janë të lidhur në një mënyrë të tillë që nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin.”

FOTO: BGNES

Që të bëhet pjesë e grupit, i riu kalon nëpër një periudhë përgatitjeje. Ai nis të shkojë me grupin që nga mesi i nëntorit, kur fillojnë agjërimet e Krishtlindjes – një periudhë kohore gjatë së cilës kënëgtarët duhet të “piqen”, domethënë të mësojnë këngët në mënyrën se si janë përcjellë nga brezi në brez – tregon Stojan Varnaliev:

“Këtu vjen edhe fjala magjike ‘vazhdimësi’. Vazhdimësia nis nga njeriu më i moshuar, i cili tashmë ka kënduar dhe e kupton kuptimin dhe domethënien e këngëve të Vigjiljes së Krishtlindjes. Djemtë që nisen të këndojnë, në këtë mënyrë i tregojnë shoqërisë së tyre se tashmë janë burra dhe kalojnë në një status tjetër shoqëror. Gjatë festave të Krishtlindjes djemtë vizitojnë shtëpitë atje ku janë të zgjedhurat e tyre – vajzat me të cilat do të dëshironin të martoheshin. Dhe kur vizitojnë këto shtëpi, i riu tregon gatishmëri për të marrë rrugën e burrit të martuar dhe se dëshiron pikërisht atë vajzë. Kjo është një simbolikë që ne tashmë e kemi humbur, për fat të keq prej kohësh nuk e kemi këtë ndjeshmëri. Këngët e Vigjiljes së Krishtlindjeve nuk u drejtohen të gjithëve, ato këndohen për një person të caktuar. Kur vjen grupi dhe të këndon një këngë për ty, ti e ndjen personalisht energjinë e urimit të tyre. Pikërisht në këtë qëndron magjia që sjell këndimi dhe urimet” – thotë Stojan Varnaliev.

Stojan Varnaliev dhe Profesoresha e lartë dr. Galina Llukanova në prezantimin e koleksionit

FOTO: iefem.bas.bg

“Gjithçka tashmë është skenë, spektakël, mungon shpirti i Vigjiljes së Krishtlindjes, por kjo nuk na pengon të kujtojmë dhe të njohim traditat. Të njohim ndjeshmërinë e këtyre njerëzve dhe mesazhin e këtyre këngëve” – shton shton Profesoresha e lartë dr. Galina Llukanova nga Instituti i Etnografisë dhe Folkloristikës me Muze Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Edhe ajo ka një rol lidhur me këngën e Krishtlindjes dhe merr pjesë në përgatitjen e përmbledhjes duke shënuar këngët e përzgjedhura:

“Ato mbartin shumë shpresë, dritë, shumë urime për begati dhe janë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Madje nëse këngëtarët nuk hynin në shtëpinë e dikujt, njerëzit ofendoheshin, sepse ardhja e këngëtarëve parashikon gjithë ogurin dhe begatinë e mëtejshme gjatë vitit.”

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski