SHOQËRI

Artikull

Marian Serafimov – një i ri nga Gabrovo, që e kthen entuziazmin në ndryshim

Dielë, 28 Dhjetor 2025, 08:10

Marian Serafimov – një i ri nga Gabrovo, që e kthen entuziazmin në ndryshim

FOTO: Facebook/ Marian Serafimov

Madhësia e shkronjave

Në Gabrovo – një qytet në qendrën gjeografike të Bullgarisë, dikur i njohur si “Manchester-i bullgar”, ndërsa sot përballë sfidave demografike – shfaqen të rinj që besojnë se e ardhmja mund të jetë më e mirë dhe kjo në masë të madhe varet nga zgjedhjet e tyre personale. Njëri prej tyre është Marian Serafimov, për të cilin aktiviteti shoqëror nuk është një detyrim, por një mënyrë natyrale jetese.

“Punoj në Qendrën Rinore të Gabrovos më shumë se 3 vjet si ndërmjetësues arsimor, kam qenë ndërmjetës dhe trajner kryesor në seminare të ndryshme brenda dhe jashtë Bullgarisë. Kam qenë ambasador rinor i demokracisë në një projekt të Universitetit Amerikan në Bllagoevgrad, ku organizuam Asamblenë e parë Rinore në Bullgari. Mblodhëm 50 të rinj dhe diskutuam tema të ndryshme – si mund të përmirësohet punësimi i të rinjve në Bullgari, si të mbahen të rinjtë në vend, dhe jo vetëm të ikin për pak dhe të mos kthehen kurrë.”

FOTO: Facebook/ Marian Serafimov

Në fjalët e Marian Serafimovit ndjehet siguria e një personi që tashmë ka parë si fillon ndryshimi – me një bisedë, me një kauzë, me një grup të rinjsh të mbledhur nga pjesë të ndryshme të vendit. Marian ka edhe një rol tjetër shoqëror, të cilin e sheh si një mision personal.

FOTO: Facebook/ Marian Serafimov

“Tani kam titullin Ambasador Evropian i Paktit për Klimën nga Komisioni Evropian – një iniciativë që ka për qëllim të përhapë praktika të qëndrueshme brenda Bashkimit Evropian, dhe, kur ka mundësi, edhe jashtë tij.”

Çfarë i bën një djaloshi nga Gabrovo të angazhohet me kauza që zakonisht i marrin përsipër organizatat e mëdha? Për Marianin, përgjigjja është e thjeshtë – njerëzit.

“Më motivojnë njerëzit, jam një person mjaft ekstrovert. Marr energji kur njihem dhe komunikoj me njerëz të rinj; kjo më mbush plotësisht.”

FOTO: Elena Karkallanova

Puna në Qendrën Rinore pranë Bashkisë së Gabrovos i jep mundësinë të komunikojë me shumë të rinj dhe t’u ndikojë. Ai beson se, si mentor i të rinjve, roli i tij është të japë një shkëndijë që mund të ndezë një ide të re. Me këtë ishte i angazhuar edhe gjatë një prej ngjarjeve më frymëzuese në qendrën gjeografike të Bullgarisë, “Uzana Poljana Fest” gjatë verës. Me krenari përmend shumë iniciativa të realizuara nga të rinjtë – Festivali “Lumenjtë e qytetit”, një koncert bamirës ku të rinj të talentuar mblidhnin fonde për një bashkëmoshatar nga qyteti, trajnime, shkëmbime rinore. Veprimtaria e tyre mbështetet financiarisht nga Ministria e Rinisë dhe Sportit dhe Bashkia e Gabrovos. Ekipi është i vogël, por i larmishëm – dhe pikërisht në këtë qëndron forca e tij.

FOTO: Facebook/ Marian Serafimov

“Ne jemi shtatë persona, por jemi tërësisht të ndryshëm, dhe pikërisht në këtë qëndron forca jonë. Unë komunikoj lehtë me të rinjtë më ekspresivë, ndërsa kolegia ime, që është më introverte, krijon një lidhje të shkëlqyer me të rinjtë më të qetë dhe më të mbyllur.Ndoshta ky është çelësi i suksesit të ekipit – njerëz të ndryshëm, por me një qëllim të përbashkët: dhe ai është një mjedis më i mirë për të jetuar dhe për të krijuar familje.”

Një nga idetë më inovative të Marianit është një makinë për riciklimin e shisheve plastike, që prodhon fije plastike për printerë 3D.

FOTO: Elena Karkallanova

“Nuk mund të them se ideja është plotësisht e imja, por e pashë nga këndvështrimi im dhe nisa të kërkoj mënyra për ta vënë në zbatim. U konsultova me pedagogë nga Universiteti Teknik i Gabrovos, të cilët më ndihmuan me disa detaje teknike. Të gjithë jetojmë në një planet dhe secili duhet të interesohet për ekologjinë. Ndoshta jam pak më i angazhuar dhe dua të përfshij sa më shumë njerëz. Nëse nuk kujdesemi për planetin tonë, nuk kemi plan B. Duhet të tregojmë kujdes, sepse po shohim se po ndodhin fatkeqësi dhe njerëzit po jetojnë gjithnjë e më të pakënaqur. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse shihet që ndodhin katastrofa dhe njerëzit jetojnë më pak të lumtur. Dhe kur je në harmoni të mirë me natyrën, jeta – si personale, ashtu edhe profesionale – është shumë më e mirë, më e qëndrueshme dhe e kënaqshme.”

Kur flet për Gabrovon dhe ëndrrën për të jetuar në një mjedis më ekologjik, Marian tingëllon njëkohësisht racional dhe emocional.

“Shoh shumë potencial në Gabrovo dhe në praktikë po lëvizim në këtë drejtim – kemi autobusë elektrikë, infrastrukturë që po modernizohet, gjë që më gëzon shumë. Para tre vjetësh mendoja se ku të jetoja, por Gabrovo më mbajti pikërisht përmes platformës që më dha Qendra Rinore, për të ndikuar në shoqëri.”

FOTO: Facebook/ Marian Serafimov

Dhe megjithëse e ardhmja e tij përfshin udhëtime dhe zhvillim, drejtimi është i qartë.

“Do të doja të ndjek studime master, ndoshta edhe doktoraturë. Dua gjithashtu, për një ose dy vite, të shkoj në një vend tjetër, për të parë modele të reja pune, për të grumbulluar përvojë dhe ide. Por pas kësaj do të kthehesha. Ëndërroj të krijoj familje në Gabrovo.”

Në fjalët e tij dëgjohet siguria e një personi që beson se ndryshimi fillon me hapa të vegjël. Dhe shembuj të tillë si i tij na kujtojnë se e ardhmja e qyteteve bullgare varet në masë të madhe edhe nga të rinjtë që vendosin të qëndrojnë – dhe të veprojnë.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova