FOLKLOR

Artikull

"Surva" fillon - 60 vjet Perniku është kryeqyteti i festivalit në janar

Zjarret e survakarëve po ndizen përsëri dhe zilet e kukerëve po tingëllojnë

Premte, 16 Janar 2026, 08:05

"Surva" fillon - 60 vjet Perniku është kryeqyteti i festivalit në janar

FOTO: Facebook /Surva

Madhësia e shkronjave

Diçka e vërtetë, autentike, e ardhur deri te ne nga kohë të lashta të paharruara – kjo është magjepsja e lojërave të maskaradës që zhvillohen në trojet tona në mes të dimrit. Personazhet në to më shpesh quhen kukerë, por janë edhe survakarë, babugerë, xhamalë dhe të gjitha llojet e krijesave të tjera të çuditshme të lindura nga thellësitë e folklorit tonë. Edhe krijuesit e përbindëshave në industrinë e lojërave dhe në kinematografi do ta kishin zili fantazinë e mishëruar në kostumet e maskaradës, të punuara prej lëkure kafshësh, leshi, brirësh, kafke dhe çdo lloji materiali tjetër natyror. E megjithatë, kukerët janë tanët, tipikisht bullgarë – për këtë kujton euforia e madhe që shpërthen sa herë që afrohet festivali “Surva” në qytetin minerar Pernik, jo larg Sofjes.Çdo vit në janar, këtu mbahet festivali më masiv dhe spektakolar i maskaradës në Bullgari. Mijëra bartës të traditës bullgare të maskaradës nga të gjitha rajonet etnografike të vendit tonë vijnë për të marrë pjesë në programin e festivalit. Ata tregojnë se vijnë në Pernik për emocion, për argëtim dhe, së fundmi, por jo më pak e rëndësishme - për të treguar kostumet e tyre autentike, të punuara nga vetë ata me materiale dhe mjete që kanë mbledhur gjatë gjithë vitit.

FOTO: Facebook /Surva

Këtë vit, rënia e kambanave të kukerëve do të tingëllojë në Pernik më gjatë se zakonisht, sepse "Surva" feston 60-vjetorin e saj. Festivali lindi në vitin 1966 si një mbledhje e traditave të maskaradës nga rajoni i Pernikut në një vend dhe duke tërhequr vëmendjen ndaj tyre, por tani në një skenë dhe të paraqitur në një mjedis urban.

FOTO: Facebook /Surva

Festivali ka kaluar një rrugë të gjatë gjatë gjithë këtyre dekadave, para se të afirmohej si një nga ngjarjet më të njohura dhe më tërheqëse për Bullgarinë. Organizator është Komuna e Pernikut dhe që nga viti 1985 ai ka statusin e një festivali ndërkombëtar. Në vitin 1995, Perniku u pranua si anëtar i Federatës së Qyteteve Evropiane të Karnavaleve. Një tjetër vlerësim i rëndësishëm erdhi më 26 qershor 2009, kur gjatë një seance solemne të Këshillit Bashkiak, presidenti i Federatës së Qyteteve Evropiane të Karnavaleve, Henri van der Kroon, shpalli Pernikun si Kryeqytetin Evropian të traditave të survakarëve dhe kukerëve. Në vitin 2014, Perniku dhe festivali “Surva” u përfshinë në renditjen e revistës National Geographic për destinacionet më të mira dimërore në botë.

FOTO: Facebook /Surva

I nisur fillimisht si bienale, më vonë Festivali Ndërkombëtar i Lojërave të Maskaradës u shndërrua në një ngjarje vjetore dhe të gjithë e dinë se Perniku pret mysafirë nga vendi dhe jashtë të shtunën dhe të dielën e fundit të muajit janar.

Këtë vit, megjithatë, tradita është thyer. “Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm, përmasat e festivalit u rritën dhe u bë e pamundur që qyteti ynë të strehojë mysafirët vetëm për 2 ose 3 ditë festivali. Prandaj festivali do të zgjerohet dhe tashmë do të zgjasë gati 10 ditë – nga 16 deri më 25 janar”, thotë në një intervistë për Radio Bullgaria Stefan Krëstev, nënkryetar i Komunës së Pernikut.

FOTO: Facebook /Surva

Hapja zyrtare është më 16 janar, dhe tre ditët e para do të jenë të mbushura me parada maskarade shumëngjyrëshe, të zhurmshme dhe autentike. 5 ditët e ardhshme të javës i kushtohen një programi të pasur shoqërues me shfaqje, koncerte, ekspozita, konferenca, prezantime librash etj. Megjithatë, kulmi mbetet fundjava e fundit e janarit - më 24 dhe 25, kur grupet më të zhurmshme, më të gjalla dhe më të përkushtuara ndaj festivalit, që vijnë nga e gjithë Bullgaria, mblidhen në qytet. Nuk ka mungesë të mysafirëve nga jashtë, dhe këtë vit, përveç Evropës, vijnë grupe nga Azia, Amerika dhe madje edhe Afrika. Paradat, si gjithmonë, do të kalojnë nëpër pjesën qendrore të qytetit dhe të gjithë do të kenë mundësinë të prekin, të luajnë dhe të bëjnë një foto me personazhet e maskuar.

FOTO: BGNES

“Në fakt, që nga 13 janari fillojnë lojërat survakare në rajonin e Pernikut – zakoni Surva, i cili është i regjistruar në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO‑s. Njerëzit që kryejnë rituale maskarade në Bullgarinë Perëndimore quhen survakarë,” shpjegon Stefan Krëstev. “Në Festivalin Ndërkombëtar të Lojërave të Maskaradës ‘Surva’ – 2026 do të marrin pjesë shumë shtete. Edhe vetë hapja më 16 janar do të jetë e paharrueshme. Festivali është me të vërtetë ngjarja më prestigjioze dhe më madhështore dimërore e maskaradës në gjithë Evropën, dhe jo rastësisht këtë vit ai zhvillohet nën patronazhin e UNESCO‑s.”

FOTO: Facebook /Surva

Çdo vit festivali thyen rekordin e vet për numrin e pjesëmarrësve – këtë herë në defile do të marrin pjesë 13 000 mysafirë, shton Stefan Krëstev.

“Ata vijnë nga të gjitha zonat etnografike të vendit, por në të njëjtën kohë kemi edhe 34 grupe nga jashtë. Përfaqësuesit më perëndimorë janë nga SHBA dhe ishulli Aruba, duke kaluar nëpër shumë vende të Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Lindore, e deri në Lindje, te grupet nga vendet e largëta – Indonezia dhe Kina. Spektakli do të jetë i jashtëzakonshëm! Ne do t’i presim me një organizim të përsosur të festivalit, si edhe me një program të pasur shoqërues. Por le të jemi të qartë: përtej ‘Surva’-s, qyteti i Pernikut ka shumë për të treguar – si Muzeun Nëntokësor të Minierave, unik në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe Drejtorinë e Minierave, si dhe kalanë mesjetare Krakra. Pallati i Kulturës në qendër të qytetit është gjithashtu ndër atraksionet, ashtu si edhe Memoriali i Punës së Minatorëve… Edhe këtë vit sheshi qendror do të jetë i mbuluar dhe i ngrohur gjatë ditëve të festivalit, sepse priten temperatura nën zero, dhe aty zhvillohen shumë aktivitete shoqëruese për fëmijë dhe koncerte. Kështu që, jo vetëm Perniku, por e gjithë Bullgaria nga 16 deri më 25 janar do të rrahë në ritmin e ‘Surva’-s.

FOTO: surva.org

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva