POLITIKË

Artikull

Dorëheqja e Presidentit Rumen Radev përmbushi pritjet e shoqërisë

Sociologu Përvan Simeonov: Bullgaria është një vend i inovacionit politik

Martë, 20 Janar 2026, 15:46

Dorëheqja e Presidentit Rumen Radev përmbushi pritjet e shoqërisë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

"Për herë të fundit po paraqitem para jush si president i vendit", njoftoi Rumen Radev në një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar kombit nga Salla e Stemës të institucionit presidencial. Një precedent i tillë ndodh për herë të dytë në historinë 36-vjeçare demokratike të Bullgarisë, pas 6 korrikut 1990, kur, në agim të ndryshimeve demokratike, Petër Mlladenov, në rolin e tij si kryetar-president, dha dorëheqjen  pas protestave studentore që kërkonin ndryshime politike. Rasti tjetër i tillë ka të bëjë me Zëvendëspresidenten Bllaga Dimitrova, e cila dha dorëheqjen në vitin 1993 për shkak të mosmarrëveshjeve me kreun e parë të shtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Zheljo Zhelev.

Zëvendëspresidentja Ilijana Jotova

FOTO: BGNES

Procedura në raste të tilla parashikon që pasi Gjykata Kushtetuese të vërtetojë dorëheqjen e kreut të shtetit, e cila duhet të konfirmojë vullnetin e tij personal dhe t'i japë fund kompetencave të tij, funksionet e kreut të shtetit merren nga Zëvendëspresidentja Ilijana Jotova, e cila duhet të betohet para Asamblesë Kombëtare brenda pak ditësh.



Përvan Simeonov

FOTO: BGNES

Për Radio Bullgarinë sociologu nga Agjencia "Mjara" Përvan Simeonov me shaka e përshkroi vendin tonë si "vendi më interesant në botë". Argumentet e tij mbështeten edhe në histori:

"Kishim një Car të vajosur që u bë Kryeministër (Simeon Sakskoburggotski - shënim i redaktorit ), tani një president në detyrë po hyn në politikën aktuale - në përgjithësi, ne jemi një vend i inovacioneve politike. Sinjali që po dërgojmë është se intoleranca ndaj shtresës politike është shumë e lartë. Radev thjesht po i përgjigjet pritjeve serioze të shoqërisë dhe mund të rezultojë të jetë një nga opsionet e fundit për një "person sistemik" që dëshiron ndryshim. Ka shumë formacione në Bullgari që duan ndryshim, por ka pak që ofrojnë si ndryshim, ashtu edhe koherencë. "Po e Vazhdojmë Ndryshimin" - "Bullgaria Demokratike" (PP-DB) është pjesërisht një koalicion i tillë, por mundësia tjetër e ngjashme, sipas mendimit tim, do të jetë pikërisht Rumen Radev."

Natalija Kisellova

FOTO: BGNES

"Ajo që dëgjuam nga fjalimi i zotit Radev është se ai nuk i mohon arritjet e Bullgarisë në politikën e jashtme dhe në aspektin e integrimit evropian. Theksi dhe problemi kryesor me të cilin, sipas tij, po përballet vendi tani është lufta kundër oligarkisë dhe korrupsionit. Këtu vjen momenti shumë interesant – jo aq si duken fushatat në terren, sa përplasja me realitetin politik", komentoi deputetja dhe ish-kryetarja e Asamblesë Kombëtare, avokatja Natalija Kisellova në një intervistë për Bulgaria në Air TV. – I uroj suksese zotit Radev sepse besoj në qëllimet e tij të pastra, por ajo që duket nga jashtë nuk është e njëjtë me të qenit brenda elitës politike, sepse unë, si njeri që kam shkruar jo pak artikuj dhe komente për mënyrën se si duhet të duket shteti bullgar, shoh se lufta brenda është shumë më tepër për të qëndruar në këmbë, sesa për të arritur qëllimet e tua.”

"Përfshirja e presidentit si një nga lojtarët në terrenin politik pritej nga disa njerëz, me idenë për ta mbështetur", tha Genoveva Petrova, një sociologe nga agjencia Alfa Research, në një intervistë për BTV.

Genoveva Petrova

FOTO: BTA

"Kemi një studim nga fundi i vitit të kaluar që mati në mënyrë të kushtëzuar potencialin e një formacioni të ngjashëm politik, të udhëhequr nga z. Radev. Do të thoja se potenciali i tij u përvijua brenda kufijve të ngjashëm me ata të mbështetjes që GERB dhe PP-DB do të kishin marrë veçmas në atë moment (dy forcat e para parlamentare në Asamblenë e 51-të Kombëtare - shënim i redaktorit). Mbetet të shihet nëse mbështetja për të do të mbetet brenda kornizës së forcave politike që po dalin si një rezervuar potencial - "Vëzrazhdane", MEÇ dhe "Veliçie" - parti që në vitin 2025 ndanin vazhdimisht qëndrime të afërta me ato të Presidentit Rumen Radev, apo nëse ai do të arrijë të kapërcejë këta kufij dhe të tërheqë mbështetjen si të qytetarëve që nuk votojnë, ashtu edhe të disa prej mbështetësve të PP-DB, sepse akoma javën e kaluar, në një deklaratë të tij, ai vuri në dukje se po u drejtohet njerëzve që pozicionohen si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, domethënë po përpiqet ta hapë gërshërën sa më gjerë të jetë e mundur dhe të tërheqë një mbështetje sa më të gjerë."

Për Radion Kombëtare Bullgare ish-kryetari i Këshillit Strategjik, i formuar gjatë mandatit të parë të kreut të shtetit, Aleksandër Marinov, parashikoi një interes të madh për pjesëmarrje në projektin politik të Rumen Radevit:

Aleksandër Marinov

FOTO: Adriana Kiselinçeva

Te Radevi do të shohin mundësi njerëz nga çdo lloj dhe fluksi do të jetë shumë i madh. E rëndësishme është nëse këta njerëz kanë cilësi dhe nëse nuk do të komprometohen; çështja nuk është nëse vijnë nga parti të tjera. … Më e mira do të ishte që ata që nisen me të të kontribuojnë për partinë, e jo të përfitojnë nga rejtingu i tij” – komentoi prof. Marinov.

FOTO: BGNES/Kolazh

Rumen Radev po largohet nga presidenca me një vlerësim relativisht të lartë (pak nën 50%) dhe me kërkesën për të çmontuar modelin e egër të qeverisjes në vend - kërkesa kryesore e mijëra protestave në vend që nga vjeshta e vitit 2025. Prandaj, parashikimet janë se paraqitja e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta sillte atë në ballë si forca e parë politike në Asamblenë e 52-të Kombëtare, por ende nuk është e sigurt nëse kjo do të thotë edhe një mundësi për të arritur një shumicë parlamentare me më shumë se 120 deputetë. 

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva