POLITIKË

Artikull

Bullgaria tashmë ka një presidente grua – Ilijana Jotova

Premte, 23 Janar 2026, 17:07

Ilijana Jotova

Ilijana Jotova

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Gjykata Kushtetuese mori një vendim se kompetencat e presidentit të Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, ndërpriten para afatit me konstatimin nga Gjykata Kushtetuese të dorëheqjes së paraqitur prej tij. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi nga sot – 23 janar 2026. Vendimi u miratua njëzëri. Në seancë morën pjesë 12 gjyqtarë.

Me vendimin e gjykatës hyjnë në fuqi edhe pasojat e tij sipas Kushtetutës, përkatësisht nëndëspresidenti merr detyrën e presidentit deri në përfundim të mandatit në janar 2027. Nëndëspresidentja e Bullgarisë aktualisht është Ilijana Jotova. Kështu, Bullgaria tashmë ka presidenten e saj të parë grua dhe komandante supreme të forcave të armatosura, raportoi gazetarja e BNR-së, Mira Stefanova.

Ilijana Jotova është kreu i gjashtë i shtetit në historinë 33-vjeçare të këtij institucioni.

Në vitet 90-të të shekullit të XX-të, Jotova ishte një nga figurat më të njohura të Televizionit Kombëtar Bullgar. Në vitin 1997 ajo kaloi nga gazetaria në politikë. Mori drejtimin e zyrës së shtypit të BSP-së. Më vonë u bë anëtare e partisë dhe deputete në Legjislaturën e 40-të të Kuvendit Popullor. Për 10 vjet – nga 2007 deri në 2017 – Ilijana Jotova ishte deputete në Parlamentin Evropian. Temat kryesore me të cilat ajo merrej ishin lufta kundër terrorizmit, kriza e refugjatëve dhe pranimi i Bullgarisë në zonën Shengen. Ajo është autore e raporteve dhe propozimeve në legjislacionin evropian për përballimin e krizës së migracionit. Merrte pjesë aktive në debatet për sigurinë e përbashkët evropiane, si edhe në diskutimet në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme. Kandidon për zëvendëspresidente dhe, së bashku me Rumen Radev, fituan zgjedhjet presidenciale dy herë – në vitin 2016 dhe në vitin 2021.

Gjatë nëntë viteve të fundit, prioritet kryesor në punën e saj u bënë komunitetet bullgare jashtë vendit, ruajtja e shkollave tona të së dielës dhe mësimi i gjuhës bullgare.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova



Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova