KULTURË

Artikull

Radio Bullgaria – me tri nominime për çmimet vjetore të BNR-së

Presidentja Ilijana Jotova do të dorëzojë Çmimin e Madh për gazetari radiofonike

Hënë, 26 Janar 2026, 17:07

Radio Bullgaria – me tri nominime për çmimet vjetore të BNR-së

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Në një ceremoni solemne sot, Radioja Kombëtare Bullgare do të ndajë çmimet e saj vjetore për gazetari radiofonike, që mbajnë emrin e drejtorit të parë të medias, Sirak Skitnik. Ngjarja e veçantë i kushtohet 91-vjetorit të themelimit të medias publike. E ftuara speciale do të jetë presidentja Ilijana Jotova, e cila do të dorëzojë Çmimin e Madh “Sirak Skitnik”.

Mes shtatë nominimeve për çmimin më të lartë radiofonik është edhe një nominim për programin Radio Bullgaria, i cili këtë vit do të festojë 90-vjetorin e tij. Ja cilët janë pretenduesit:

Programi Kombëtar “Horizont”;
• Ekipi “Humor dhe Satirë” i programit “Hristo Botev”;
• Ekipi “Gjuha turke” i “Radio Bullgarisë”;
• Drejtoria “Programet Digjitale” për faqet e reja të internetit dhe aplikacionin e parë të këtij lloji të BNR-së;
• Kori i Fëmijëve i BNR-së për 65-vjetorin e themelimit të tij;
• Fushata bamirëse e Radio Sofjes “Krishtlindje me libër për çdo fëmijë”;
• Drejtoria Tregtare e BNR-së.

Ekipi i programit në gjuhën turke i Radios Bullgaria

FOTO: BNR

Çdo ditë, kolegët nga ekipi “Gjuha turke” i “Radio Bullgarisë” marrin me të drejtë vlerësim nga dëgjuesit e tyre për profesionalizmin e lartë. Roli i tyre ndër vite ka qenë shumë i rëndësishëm edhe në mbrojtjen e parimeve të tolerancës etnike dhe fetare. Programi në eter dhe faqja në internet e “Radio Bullgarisë” në gjuhën turke përfaqësojnë një produkt unik mediatik, i cili ka rëndësi të veçantë për bashkatdhetarët tanë turqishtfolës, si në Bullgari ashtu edhe jashtë saj, duke ofruar informacion të besueshëm dhe në kohë për ngjarjet dhe proceset në vendin tonë. Një vend të veçantë në emisionet në gjuhën turke të Radio Bullgarisë i kushtohet problemeve të banorëve të vendbanimeve të vogla, traditave dhe historisë së komunitetit turk, si dhe marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Bullgarisë dhe Turqisë fqinje.

Në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje, ekipi i Radio Bullgarisë në gjuhën turke realizon emisione njëorëshe, të larmishme për nga stili dhe karakteri i tyre, në të cilat përfshihen në mënyrë aktive edhe dëgjuesit. “Reagimi” i fortë vijon edhe përmes korrespondencës jashtë eterit, ndërsa gazetarët e ekipit nuk kursejnë as energji dhe as kohë për t’i kushtuar vëmendjen e nevojshme çdo dëgjuesi që i drejtohet redaksisë me kërkesë për të përshëndetur të afërmit e tij me rastin e një feste personale apo familjare, për të marrë më shumë informacion mbi një çështje që e intereson, apo me propozime për tema dhe bashkëbisedues që dëshiron t’i dëgjojë në radio.

Sondazhet e dëgjueshmërisë tregojnë interes të qëndrueshëm dhe të lartë për këto emisione – mes 65% dhe 75% e dëgjuesve të BNR-Kërxhali (një nga platformat për transmetimin në eter të programeve në gjuhën turke) shprehin pikërisht preferencën e tyre për përmbajtjen radiofonike në gjuhën turke, të përgatitur nga ekipi i Radio Bullgarisë.

Joan Kolev

FOTO: arkiv

Gjashtë janë gazetarët e nominuar nga radioja publike për çmimin individual për prani të spikatur para mikrofonit dhe për kontributin në forcimin e autoritetit të BNR-së. Mes pretenduesve për këtë çmim individual është edhe gazetari i redaksisë kryesore “Radio Bullgaria”, JoanKolev, i cili di të zbulojë thellësinë njerëzor aty ku të tjerët shohin vetëm faktologji të thatë. Reportazhet dhe intervistat e tij i ndjekin bashkatdhetarët tanë kudo në botë – nga bullgarët e Besarabisë në Moldavi dhe Ukrainë, përmes jetës kulturore të bashkatdhetarëve tanë në Evropë, deri te historitë personale të artistëve, mjekëve dhe vullnetarëve – ato nuk sjellin thjesht informacion, por empati, vëmendje dhe respekt për njeriun. Ai është nga ata gazetarë që punojnë qetë, me këmbëngulje dhe me zemër – dhe pikërisht kjo lë një gjurmë të qëndrueshme, duke lidhur njerëz, hapësira dhe kohë.





Darina Grigorova dhe Aleksandra Karamihaleva

FOTO: BNT

Radioja është magji, krijuar nga ekipe, dhe pikërisht për këtë arsye ndër çmimet vjetore të BNR-së ekziston edhe një vlerësim i veçantë, që vë theksin mbi simbiozën midis profesionalizmit, ideve dhe realizimit – ky është Çmimi për emision radiofonik, projekt radiofonik, projekt muzikor ose projekt multimedial. Këtë vit ka 9 pretendues, mes të cilëve është edhe podkasti i specializuar i Radio Bullgarisë “Ura e Besimit”, me drejtuese Darina Grigorova nga Radio Bullgaria dhe Aleksandra Karamihaleva, kryeredaktore e organit të shtypur të Kishës Ortodokse Bullgare – “Gazeta Kishtare”.



Ky është “fëmija më i ri” i Radio Bullgarisë – nisi një vit më parë, por tashmë arriti tek bashkatdhetarët tanë në Berlin, Londër, Paris, Lyon, Gjenevë, Mannheim dhe Hagë, duke treguar historinë e bashkësive të Kishës Ortodokse Bullgare në zemër të Evropës. Seria e transmetimeve “Ura e Besimit”, krijuar sipas idesë së kryeredaktorit të Radio Bullgarisë, Krasimir Martinov, dhe realizuar në partneritet me Eparkinë e Evropës Perëndimore dhe Qendrore të Kishës Ortodokse Bullgare, është një produkt mediatik i vetëm në llojin e tij. Përmes dëshmive personale, intervistave dhe regjistrimeve autentike nga shërbimet kishtare, ai na bën pjesëmarrës të jetës shpirtërore të bullgarëve jashtë vendit.

FOTO: Ani Petrova

Emrat e laureatëve të çmimeve “Sirak Skitnik” për vitin 2025 do të bëhen të ditur sonte, kur në orën 19:00 në Studion e Parë të BNR-së do të fillojë ceremonia festive e ndarjes së çmimeve.

Dhe pasi Shtëpia e Vjetër i pëlqen të hapë dyert për audiencën dhe të arrijë tek zemrat edhe të të rinjve, organizatorët kanë përgatitur një shfaqje moderne audio-vizuale me shumë muzikë – bashkohuni me festën e BNR-së përmes radios dhe në faqen e internetit bnrnews.bg.

 

Redaktoi: Elena Karkllanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova